Ekonomia

Ekonomi pret investitorët maqedonas: Besimi midis dy palëve do të na çojë përpara

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, priti në një takim përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë si dhe një përfaqësi nga 35 bizneset më të rëndësishëm në Maqedoni. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i AIDA-s, Genti Beqiri.

Gjatë takimit u diskutua për promovimin e potencialeve ekonomike mes dy vendeve, duke e konkretizuar në investime. Ministrja Ekonomi tha se prekonditat janë të mira. “Çështja e besimit midis dy palëve do të na çojë përpara në një bashkëpunim të suksesshëm. Shqipëria po bënë më të mirën e saj për ta shtrirë bashkëpunimin në nivel më të gjerë, duke krijuar mundësi lehtësuese për një bashkëpunim konkret midis dy palëve”, shtoi ajo.

Drejtori ekzekutiv i AIDA-s, Beqiri bëri një prezantim të Shqipërisë, duke u siguruar investitorëve të Maqedonisë se ata do të gjejnë një terren mikpritës dhe procedura lehtësuese për të investuar në Shqipëri.
Ai bëri të ditur se vendi ynë tashmë gëzon stabilitet ekonomik që favorizon investuesit, duke i njohur këta të fundit me një panoramë të detajuar të Shqipërisë që nga klima favorizuese për turizëm (jo vetëm në verë), kursi i këmbimit të valutës në stabilitet financiar, nivel i kënaqshëm i krahut të punës, duke përmendur se mosha mesatare e popullsisë është 31-vjeç etj.

Në këtë takim, kreu i AIDA-s u ndal gjerësisht në procedurat lehtësuese për investitorët e huaj, të cilët patën pyetje konkrete në lidhje me shtrirjen e investimeve për turizmin në Shqipëri. Ministrja Ekonomi shprehu të gjithë gatishmërinë që ka qeveria jonë për të përmirësuar sektorin energjetik dhe atë të infrastrukturës sa më shpejt, që investitorët të ndihen të mirëpritur në projektet e tyre drejt Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button