Ëndrra e Berishës për të “shpërfytyruar” kundërshtarët

Sot Sali Berisha dukej i dorëzuar. E vetmja gjë e sinqertë që i doli nga shpirti ishte thirrja që u bëri demokratëve që, kudo ta shikonin Edi Raman dhe Belinda Ballukun, t’i sulmonin fizikisht, madje, siç tha vetë, “ta shpërfytyrojmë ku ta gjejmë”.
Është një thirrje që buron nga dëshpërimi dhe pafuqia.
Në fillim ka provuar ta mundë me zgjedhje, por nuk ia ka dalë. Që prej vitit 2013 ka humbur rregullisht, gjithnjë e më thellë. Madje zgjedhjet e fundit ishin ndër humbjet më të rënda në historinë e tij politike.
Pastaj provoi ta mundë me mitingje. Edhe ato, njësoj si zgjedhjet, shkuan keq e më keq, nga disa mijëra vetë në fillim, në qindra në fund.
Më pas vendosi të bëjë “Foltoren”, por edhe ajo u tkurr në disa dhjetëra vetë.
Pas kësaj, e vetmja gjë që i ka mbetur është pikërisht kjo thirrje për “shpërfytyrim”. Nuk ka formulim më të qartë të dorëzimit se kaq.
Në konceptin e Berishës, ndryshe nga çdo politikan tjetër në Shqipëri, kundërshtari nuk është dikush që mundet politikisht, por dikush që duhet poshtëruar ose goditur fizikisht. Ai është ndër të paktët politikanë që ka rrahur fizikisht kundërshtar, nga figura si Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Imami, Eduard Selami, Dashamir Shehi, që i kishte në parti, deri tek kundërshtarë politikë si Edi Rama.
Në përfytyrimin e tij më ekstrem, kundërshtari është dikush që duhet poshtëruar përmes dhunës, duke e kthyer konfliktin politik në një akt dhunimi personal. Kjo reflektohet edhe në gjuhën e mbështetësve të tij, ku rrahja shpesh shfaqet si zgjidhje e fundit kur nuk funksionojnë as votat, as fjala, as argumenti.
Dhe sot ishte pikërisht një ditë e tillë. I dëshpëruar nga pjesëmarrja minimale në “Foltorë”, i braktisur nga protestat, i rrethuar nga një parti që po i rrëshqet nga duart, ai e rriti ritmin e përjashtimeve dhe mbërriti në pikën ku e vetmja dalje është thirrja për dhunë.
Ai nuk ka më nerv as për të lejuar një garë formale në PD. E bezdis vetë ideja që dikush tjetër mund të pretendojë vendin e tij. Dhe për këtë arsye do ta mbyllë çdo mundësi gare duke përjashtuar këdo që shfaq një ambicie të tillë. Në logjikën e tij, çdo rival është armik, dhe çdo armik duhet shpërfytyruar, përmes rrahjes ose poshtërimit.
Në fund, kjo nuk është më një strategji politike. Është një simptomë e një beteje të humbur, ku pushteti nuk fitohet dot më, por mbetet obsesioni për të shpërfytyruar kundërshtarin fizikisht. Eshtë e vetmja gjë e qetëson. Gjaku në fytyrën e armiqëve!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.