☁️
Tiranë 34°C · Vranët 11 September 2026
S&P 500 7,592 ▼0.58%
DOW 52,064 ▼0.6%
NASDAQ 26,082 ▼0.65%
NAFTA 99.16 ▼3.24%
ARI 4,372 ▼0.81%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061
₿ CRYPTO
BTC $76,495 ▼ -1.51% ETH $2,448 ▼ -0.19% XRP $1.3233 ▼ -3.33% SOL $98.8300 ▼ -2.03%
S&P 500 7,592 ▼0.58 % DOW 52,064 ▼0.6 % NASDAQ 26,082 ▼0.65 % NAFTA 99.16 ▼3.24 % ARI 4,372 ▼0.81 % S&P 500 7,592 ▼0.58 % DOW 52,064 ▼0.6 % NASDAQ 26,082 ▼0.65 % NAFTA 99.16 ▼3.24 % ARI 4,372 ▼0.81 %
EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1618 EUR/GBP 0.8593 EUR/CHF 0.9437 EUR/ALL 92.0465 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.4001 EUR/JPY 179.21 EUR/CAD 1.6061
11 Sep 2026
Breaking
Opinion

Feminizmi si alibi

Nga LUAN RAMA

Shoqet gra – deputete të grupit kuvendar të Partisë Socialiste, domethënë (jo për disfemizëm!) kuvendaret e partisë, janë shfaqur pak ditë më parë publikisht krejt në të drejtën e tyre, me një deklaratë ku “dënojnë me forcën më të madhe sulmet verbale, kërcënimet, fyerjet dhe aktet e agresionit fizik të ushtruara nga një pjesë e dhunshme e protestuesve ndaj deputetëve gjatë dhe për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre”.

Pa dashur t’i injoroj faktet apo rastet konkrete nga ku ka marrë udhë frymëzimi i shoqeve gra – deputete socialiste për të na shpalosur, përmes një dokumenti të gjatë promemorial, solidaritetin e tyre, duket qartë se mendja që e ka ideuar dhe dora që e ka shkruar atë deklaratë, nuk e ka idenë se çfarë është përfaqësimi si atribut publik e politik dhe si përgjegjësi qytetare po ashtu.

Për të qenë sa më i qartë me lexuesin, por edhe mirëkuptues me shoqet gra – deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, siç ato vetëprezantohen, m’u desh të kërkoj në Kuvendin e Shqipërisë, më saktësisht në strukturat përbërëse të tij, se çfarë përfaqëson ky grupim në kuptimin institucional. Por, nuk gjeta ndonjë shpjegim.
Sepse nuk ekziston një strukturë parlamentare me këtë veçanti përfaqësimi. Gjeta vetëm emërtimin Aleanca e Grave Deputete, por që, në fakt, nuk është konsituuar që kur ka nisur punë kjo legjislaturë e, për pasojë, nuk ekziston.

Ndaj, pyetja e parë që më erdhi ndërmend ndërsa po lexoja tekstin e deklaratës së shoqeve gra – deputete të Partisë Socialiste qe: pse ky dokument nuk u paraqit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, por vetëm nga gratë e atij grupi?

Mos vallë shokët burra – deputetë socialistë e kanë konsideruar punë grash e nuk e kanë parë të udhës të merren edhe me punët e grave? Apo, për ta, nuk është ndonjë shqetësim aq i madh sa është për gratë kjo puna e “sulmeve verbale, kërcënimeve, fyerjeve dhe akteve të agresionit fizik të ushtruara nga një pjesë e dhunshme e protestuesve”?

Ky është paradoksi i parë.

Sepse nuk gjej dot asnjë shpjegim të besueshëm se për çfarë arsye një deklaratë që ka për objekt një problem kaq të rëndësishëm nuk u shpall si qëndrim i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Dhe, për ta vazhduar arsyetimin ca më tej, pse jo edhe bazuar në filozofinë feministe, mirë që burrat ua lanë në dorë grave hallin e tyre me “sulmet verbale, kërcënimet, fyerjet dhe aktet e agresionit fizik etj”, po vetë shoqet gra – deputete a nuk ndjehen të fyera dhe të diskriminuara nga mënjanimi burrëror i burrave deputetë që nuk u bashkuan me to, së pari në dimensionin njerëzor, së dyti në shfaqje të solidaritetit të njohur socialist, të cilin e himnizojnë me aq panegjerikë, dhe së treti në aspektin formal institucional, pasi Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është një aktor i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë si grup i maxhorancës që qeveris vendin?

Paradoksi tjetër i deklaratës së shoqeve gra – deputete pa shokët burra – deputetë është gjuha e përdorur.

Ja disa shembuj:
“Kërkojmë nga Policia e Shtetit…”
“Kërkojmë nga organet e drejtësisë…”
“Kërkojmë nga strukturat përgjegjëse…”

Dhe më tej vijnë afatet:

“Kërkojmë që brenda 72 orëve Policia e Shtetit …”.
“Brenda 10 ditëve, kërkojmë një raport …”.

Ndërsa në fund, është betimi:

“Nuk do të pranojmë që… “
Nuk do të lejojmë që…”

Të mos jemi cinikë e të themi shumë mirë me të gjitha këto, por një pyetje mund ta bëjmë:

Më falni, po në çfarë cilësie të gjitha këto? Si gra? Si deputete? Apo si gra – deputete socialiste?

Mandati i deputetit nuk ka asnjë tagër autoriteti mbi institucionet e tjera.

Një deputet ose edhe një grup deputetësh, edhe një grup shoqesh deputete mund të pyesë, mund të kërkojë informacion, mund të kërkojë llogari, mund të ushtrojë kontroll parlamentar.
Por nuk mund të jetë epror i Policisë së Shtetit me një deklaratë për shtyp dhe nuk u cakton organeve të zbatimit të ligjit afate si ato që përmban deklarata e tyre, “brenda 72 orëve” apo “brenda 10 ditëve”.

Dhe meqë kanë kaluar 72 orët e afatit që caktuan për Policinë e Shtetit dhe strukturat përgjegjëse, a e kanë marrë shoqet gra – deputete informacionin që kërkuan zyrtarisht?

Shoqet e nderuara gra – deputete të grupit të kuvendarëve socialistë kanë ngatërruar përfaqësimin me pushtetin.

Kjo nuk është vetëm një gafë. Është dëshmi e një lajthitjeje në objekt, sepse ndryshe nuk justifikohet mungesa e kulturës për të mos dalluar kufirin midis asaj që mund të kërkojë politikisht një deputet dhe asaj që mund të urdhërojë institucionalisht një organ shtetëror.

Një tjetër paradoks i deklaratës është standardi i dyfishtë.

Në fakt, për të qenë më i drejtpërdrejtë, do të duhej të kisha përdorur fjalën dyfytyrësi. Mirëpo, që të mos prek sado pak edhe ndjeshmëritë e kauzës feministe të grupit të shoqeve gra – deputete socialiste, po arsyetoj mbi standardin e dyfishtë që shfaqin shoqet tona të nderuara, përfaqësuese të popullit të papërfaqësuar.

Shumë mirë bënë që reaguan për të mbrojtur shoqet e tyre dhe për t’iu bërë barrierë gjuhës së dhunës, urrejtjes, nënçmimit, linçimit e përçmimit ndaj çdo gruaje.

Mirëpo, përse nuk kanë reaguar në të njëjtën mënyrë edhe më parë, kur edhe në Kuvendin ku ato janë deputete janë shfaqur pafund raste të sulmeve verbale, kërcënimeve, fyerjeve e shpifjeve gjithfarësh?

Nuk po pyes se përse nuk kanë reaguar për gjithë sa ndodh me gratë në protestë, të cilat tërhiqen zvarrë nga policia e sulmohen me gjuhë dhune edhe nga brenda Kuvendit.

Po kur vetë zoti Kryeministër u tall me aq cinizëm publikisht në një takim me njerëz të partisë me “Atë nënën!”, apo kur imitonte në skena karagjozllëku disa nga gratë me influencë në rrjetet sociale, përse nuk bënë ndonjë deklaratë shoqet tona të nderuara, gra – deputete të grupit kuvendar të Partisë Socialiste?!

Apo gruaja është grua vetëm kur është brenda mureve të pushtetit?

Ja pra ku qëndron problemi; te përdorimi i feminizmit si alibi, përmes të cilit dhuna bëhet e dukshme vetëm kur viktima është grua e pushtetit.
Por një grua nuk bëhet më pak grua kur gjendet përballë pushtetit, as dinjiteti i saj nuk varet nga vendi që zë në skenën politike. Nëse dhuna është e papranueshme, ajo mbetet e tillë pavarësisht se mbi kë ushtrohet, nga kush ushtrohet dhe në cilën anë të pushtetit ndodhet viktima.

Pikërisht këtu bie edhe pretendimi moral i deklaratës. Sepse feminizmi, nëse kuptohet si parim emancipimi dhe barazie, nuk mund të shndërrohet në privilegj për gruan që ushtron pushtet.
Nuk mund të ketë një standard për gruan deputete dhe një tjetër standard për gruan që proteston ndaj deputetes.

Gruaja që qeveris dhe gruaja që proteston janë njësoj gra; ajo që ndryshon është pozicioni i tyre politik, jo masa e dinjitetit, e të drejtave dhe e mbrojtjes që u takon.

Deklarata e shoqeve gra – deputete të grupit kuvendar të Partisë Socialiste shprehet kundër standardeve të dyfishta, ndërsa vetë ndërton një standard të dyfishtë. Kërkon barazi, por rezervon një vëmendje të veçantë për gratë e pushtetit.
Kërkon mbrojtje nga dhuna, por e gjykon dhunën përmes përkatësisë politike të viktimës.

Në këtë mënyrë feminizmi pushon së qeni parim dhe shndërrohet në instrument.

Sepse feminizmi që mbron gruan vetëm kur ajo ndodhet brenda mureve të pushtetit nuk e çliron atë nga privilegji i burrit; përkundrazi, i jep privilegj vetë pushtetit.

Dhe kur barazia varet nga ajo anë e pushtetit ku ndodhesh, nuk kemi të bëjmë më me barazi, por me një tjetër formë privilegji.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.