FMN qendër për integrimin e shteteve ballkanike në BE, përfiton edhe Shqipëria!
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të krijojë një Qendër të re të Ndihmës Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC) në Romë për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë ndërkohë që ato përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka thënë se qendra e re pritet të fillojë operacionet në javët e ardhshme, me mbështetjen e Italisë, Komisionit Evropian, Greqisë dhe Luksemburgut, si dhe vendeve përfituese.
Kjo qendër do të ofrojë këshilla mbi politikat, asistencë teknike dhe zhvillim kapacitetesh për vendet në procesin e anëtarësimit në BE.
Ajo do të plotësojë qendrën ekzistuese të FMN-së në Vjenë, e cila ofron trajnime për vende përfshirë Ukrainën.
“Për Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor, anëtarësimi në BE mund të sjellë një rritje prej 47% të PBB-së për frymë në 15 vite. Anëtarët aktualë të BE-së mund të shohin nje përfitim prej 13%. Kjo është arsyeja pse ne duhet që të evoluojmë mënyrën se si e strukturojmë integrimin ekonomik të shteteve kandidate”, tha Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva.
Georgieva tha se anëtarësimi në BE u ofron vendeve kandidate një mundësi të madhe për të përshpejtuar rritjen dhe për të përmirësuar standardet e jetesës, por theksoi se përfitimet varen nga reformat e suksesshme të brendshme dhe produktiviteti më i fortë.
Sipas saj, produktiviteti nuk rritet automatikisht me anëtarësimin në BE por varet nga investimet, inovacioni, konkurrenca dhe aftësia e kompanive vendase dhe të huaja për të përfituar nga mundësitë e reja të krijuara nga integrimi.
Shefja e FMN argumentoi se zgjerimi i suksesshëm do të përfitonte jo vetëm vendet kandidate, por edhe anëtarët ekzistues të BE-së, veçanërisht në një kohë kur Evropa po përballet me presione demografike dhe fiskale, tensione gjeopolitike në rritje dhe rritje më të dobët globale.
Për Georgievën zgjerimi i BE-së është përsëri në krye të agjendës evropiane ndaj duhet të ofrojnë një nxitje të konsiderueshme për rritjen ekonomike në të gjithë Evropën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.