Firmoset marrëveshja, gati projekti që do të transformojë Piramidën
Pas 30 vitesh, ëndrra e transformimit të Piramidës bëhet projekt konkret. Bashkia e Tiranës mori në dorëzim nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), projektin për të nisur punimet në Piramidën e Tiranës, që do të transformojë atë dhe të ardhmen e fëmijëve të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Michael Granoff, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila i hap rrugën fazës përfundimtare të rikonstruksionit të Piramidës.
“Jam shumë i lumtur që, bashkë me mikun tim Michael dhe bordin e AADF-së, nisim fazën përfundimtare të konceptit të Piramidës. Së bashku kemi folur shpesh se të dyja grupet tona, AADF dhe Bashkia, specializohen për t’i kthyer ëndrrat në projekte. Kemi pasur një ëndërr për transformimin e Piramidës së Tiranës si qendra më e madhe e teknologjisë së informacionit, ndaj fëmijët e vegjël aty do të kenë mundësi të mësojnë sesi të programojnë, të kodojnë, të animojnë etj”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Piramida do të ndryshojë brenda një viti e gjysmë. “Sot është akti final, kur ne marrim në dorëzim projektin, pra e përkthejmë ëndrrën në një projekt të zbatueshëm. Brenda këtij viti do të kemi garën për të nisur punimet në Piramidën e Tiranës dhe me një supervizim të përbashkët, por edhe me një menaxhim e financim të përbashkët me AADF, do të shohim se si në një vit e gjysmë do të transformojmë hapësirën më të lakmuar të qytetit të Tiranës, në hapësirën që do të transformojë, besoj, të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti”, nënvizoi ai.
Kryebashkiaku siguroi se ky do jetë një projekt mbresëlënës, që do shenjojë një pikë kthese në mënyrën sesi Tirana orientohet tek teknologjia e informacionit. “Kemi disa eksperienca shumë të mira bashkë: kemi bërë një punë të shkëlqyer tek Pazari i Ri, ai është standardi me të cilin punojmë. Pazari i Ri është një dëshmi e gjallë që ky qytet e përqafon ndryshimin dhe punët e bëra me cilësi nga Bashkia e AADF, janë punë që lënë një shenjë dhe transformojnë edhe kulturën e asaj fushe ku ndërhyjmë”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se për Piramidën “kemi një projekt final, të cilin qyteti e mezi pret; do të jetë një xhevahir në qendër të Tiranës. Do sjellë një standard të ri në arkitekturë, por më e rëndësishmja, do sjellë një standard të ri në kulturë dhe kultura e teknologjisë së informacionit, sidomos tek fëmijët, është gjëja për të cilën Shqipëria ka më shumë nevojë. Ne nuk mund të jemi pafundësisht vendi i fasonëve, kemi nevojë të kalojmë nga koncepti dhe punësuesi më i madh, që është industria e call – centerave, në një industri të data-centerave; pra, në një industri që më shumë përqafon teknologjinë, punë që paguhen më mirë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, e cilësoi projektin e Piramidës një mundësi unike, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë vendin, që do të ndihmojë të rinjtë të aftësohen dhe të përgatiten për të ardhmen.
“Është një mundësi unike për ne, që në bashkëpunim me kryetarin Veliaj, të bëjmë diçka kaq transformuese, jo vetëm për qytetin e Tiranës, por besoj për të gjithë vendin. Nuk ndodh shpesh të ndryshojmë edhe formën, edhe substancën, për të bërë një transformim të tillë. Në rastin e projektit të Piramidës ne do t’i bëjmë të dyja: Ta kthejmë në një ambient për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë në të ardhmen. Jo vetëm për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë talentet e tyre, por edhe në mënyrë që Tirana dhe Shqipëria t’i bashkohen botës më e kompletuar dhe të sigurohemi që fëmijët tanë të fitojnë aftësitë e duhura për të zhvilluar talentin e tyre në kontekst global”, deklaroi Michael Granoff.
Falë projektit të Bashkisë, qeverisë dhe partnerëve të AADF-së, Piramida do të jetë një pikëtakim për të gjitha grupmoshat.