Fixhi – vizitë te “faraoni” i Oqeanisë
Ndërsa çon ndër mend ishujt Fixhi, menjëherë mendon për plazhet e pafundme ranore, ishujt me palma e resurset luksoze. Por një botë komplet tjetër, por shumë më shprehëse, përjetojnë vizitorët në një fshat tradicional të tyre, siç është dhe Bucalevu. Për një kohë të gjatë, koha atje thuajse kishte ngecur, por tanimë po shpërthen modernizmi.
Nga 850 banorët e Bucalevu-s, shumë prej tyre më panë gjithë habi, kur unë zbrita nga një autobus në ngjyrë bardheblu. 6,20 dollarë fixhianë, thuajse 3 euro, për rreth 150 kilometra të mira nga kryeqyteti Suva. Udhëtimi zgjat katër orë, e jo falë muzikës me ritme të larta Reggae, sepse nervat të janë qetësuar plotësisht vetëm kur ke parë të kalojnë para syve, pamje të qeta e të bukura të natyrës vendase me shtëpi druri, ura e objekte të tjera.
“Kujdes, këtu gjenden shpesh shoferë të çmendur”, thotë shoqëruesi im Joe. Më pas, në krah të kalon një kamion që ecën me të paktën 80 km/h, duke lëshuar shumë tym e zhurmë, i ngarkuar plot me hekurishte e kosha metalikë. Unë mënjanoj pluhurin që ngrihet lart me vrull dhe pyes se çfarë ka në ato kosha metalikë. “Plehra nga fabrika plastike, në fakt plehra shumë të rrezikshme, shumë helmuese”, thotë Joe.
Në autobus unë isha i vetmi lëkurëbardhë. Por edhe në Bucalevu ka kaluar një vit qëkurse është parë për herë të fundit një i bardhë. Sapo mbërrita u rrethova menjëherë nga fëmijë të veshur me bluza shumëngjyrëshe, që shihnin me sy të mëdhenj çdo lëvizje timen. Ata qeshnin dhe thërrisnin Bula, që do të thotë Tungjatjeta dhe në të njëjtën kohë edhe jetë.
Bukë, sheqer, kawa
Tradita kërkon që unë të takoj një herë Pharao-n, për të “kërkuar leje” së pari, e pastaj të qëndroj në fshatin e tyre me anë të shoqëruesit tim, duke m’u shërbyer Sevusevu. Kjo e fundit është një lloj droge popullore kawa, që përftohet nga rrënjët e piperit. Kështu që i kisha marrë masat e kisha sjellë nga qyteti mish e ushqime si; sheqer, miell, bukë, çaj e margarinë. Pharao quhet me emrin e vërtetë Josefa Lalaisu dhe ai është kryeplaku 75-vjeçar i Bucalevu-t. Ai nuk di asgjë për nofkën që mbart, e që reflekton në njëfarë mënyre sjelljen e tij të ashpër e strikte, e cila i përmbahet traditës vendase.
Kur unë e takova atë për herë të parë, ai preu ndanë lumit me shpatën e tij të madhe, në mes të vapës përvëluese, gjethe taroje. Ishte elegant, me gjatësi rreth 1,70 metra dhe kishte duar të forta me damarë të dalë, një mjekër treditëshe dhe flokë të zinj të gjatë. Syze dielli të rrumbullakëta e me skelet të trashë. Mbante veshur një T-shirt ngjyrë blu të hapur e nuk kishte këpucë. Zëri i tij ishte si i çjerrë e aspak i këndshëm, por gjithsesi, i lartë e gjithë autoritet. Ndryshe nga shumë fixhianë të tjerë që unë kisha takuar deri më tani, ai nuk qeshte aspak. Chief Josefa nuk flet anglisht, kështu që Joe më prezantoi tek ai në gjuhën autoktone, dhe më pas ai më pyeti nëse doja të qëndroja aty për disa ditë.
Unë e njoha Joe-në në Suva. Ai është 24 vjeç, elektricist dhe pinte njëra pas tjetrës cigare nga paketat e markës Benson & Hedges. Mbi sipërfaqen e trupit të tij e rreth duarve, kishte tatuazhe me linja e trekëndësha, të zbukuruara me ornamente e germa. Pas një mbrëmjeje të gjatë me shumë kawa e këngë, ai më pyeti nëse unë do të doja të shikoja nga afër një fshat tradicional fixhian, në të cilin ai në fakt ishte lindur e rritur, para se të zhvendosej në kryeqytet.
Shishe Sprite ndanë bambuve
Rreth gjysma e popullsisë së Fixhit jeton në fshat, e shumë prej tyre në fshatra si Bucalevu. Njerëzit aty mund të furnizohen e të ushqehen vetë, duke u marrë me blegtori e bujqësi. Për ujë të pijshëm e peshk, kujdeset lumi madhështor Wainibuka, e në të njëjtën kohë, ai shërben edhe si dush, apo vaskë për larje. Shpesh banorët sjellin edhe ushqime e mallra të konsumit të përditshëm, të blera në qytet.
Kjo sjell një përzierje interesante të botës së re me atë autentike vendase. Në shtëpinë e Chief Josefa-s, pranë fshesës së bërë vetë me bambu, ndodhet paradoksalisht një shishe Sprite dhe pranë saj një pjatë e punuar me filigran, e veshur me dru, ndodhet edhe një jastëk me shëniminSweet Dream. Më parë, shtëpitë kishin çati kashte, por ato po prishen e po bien përtokë, e për këtë po përdoret gjithnjë e më shumë tani eterniti e teneqetë. Në Bucalevu ka një frigorifer dhe vetëm një tualet të saktë, e ai gjendet në shtëpinë e kryeplakut.
Kur je mik apo i ftuar atje, vlejnë disa rregulla që duhet të mbahen parasysh. Kështu për shembull, duhet të rrish ulur vetëm në tokë e këmbëkryq, sepse çdo qëndrim tjetër konsiderohet mungesë respekti. Kush shkon në banjë, duhet ta mbash peshqirin në krahë dhe jo mbi supe. Hyrja kryesore e shtëpisë së kryeplakut duhet të përshkohet vetëm nga ai vetë dhe askush tjetër, të gjithë të tjerët duhet të hyjnë e të dalin nga hyrja anësore. “Bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i mbash gjallë traditat”, na thotë Joe. “Të rinjtë vërshojnë në qytet, duan të shohin TV e të dëgjojnë muzikë hip-hop”. Por ndonjëherë ka dhe mbrëmje që kalohen duke parë DVD në fshat e që kushtojnë 30 cent për fëmijët e 50 cent për të rriturit. Sigurisht, nëse nuk prishet gjeneratori i vjetër që na siguron energji.
Dalëngadalë, shtëpia e kryeplakut nis e mbushet me njerëz. Burrat vijnë nga puna në fushë, apo nga peshkimi. Ndërsa ata rrinë këmbëkryq në tokë, përgatitet Grog dhe secili nis të flasë me zë të lartë e në dukje pa radhë. Chief Josefa se ç’thotë diçka në gjuhën vendase, që bën që për pak sekonda të bjerë qetësia dhe ndërsa Joe qesh, më thotë se “ai tha: Pushoni, flisni me ngadalë e zë të ulët, se europianët nuk e durojnë dot kur flasim kështu në rrëmujë e me zë të lartë”.
Ana tjetër e medaljes
Udhëtarët më të shumtë në Fixhi përjetojnë një botë komplet të ndryshme kur vijnë atje vetëm për turizëm. Ata rrinë vetëm pak kohë në Viti Levu, për të shkuar më pas direkt në atë që njihet si parajsa turistike e Yasawa-s, apo dhe ishujt Mamanuca. Atje, resursi turistik luksoz kujdeset që të mos mungojë asgjë nën moton All Inclusive, duke të ofruar parajsën e plazheve me palma që njihet si laguna blu. Mbrëmjeve, animatorët demonstrojnë një ceremoni me kawa, një shou ekzotik ky që ndiqet e pëlqehet shumë nga turistët.
Marrë nga FAZ – Gjermani