Flandra Marmullaku në “Rrugëtimi”, nga pasioni për gazetarinë te krijimi i një kompanie me AI dhe të dhëna
Flandra Marmullaku, CEO dhe bashkëthemeluese e Data4x, ishte e ftuara e episodit të gjashtë të podcastit “Rrugëtimi”, me redaktoren Jehona Hulaj, ku foli për kalimin nga gazetaria në ndërmarrësi, ndërtimin e një kompanie të bazuar në të dhëna dhe inteligjencë artificiale, si dhe për çmimin ICT Women of the Year, të cilin e mori nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Në fillim të bisedës, Marmullaku tregoi se rrugëtimi i saj profesional ka ndryshuar me kalimin e kohës, ndonëse gazetaria mbetet një pjesë e rëndësishme e formimit të saj.
“Rrugëtimi profesional mundet me ndryshu gjatë rrugës edhe interesat edhe ato çka t’i don me u zhvillu, kështu ka qenë për mua. Prej gazetarisë kam dalë në ndërmarrësi”, tha ajo.
Flandra Marmullaku gjatë podcastit “Rrugëtimi” në Telegrafi
Duke folur për çmimin rajonal, Marmullaku tha se lajmi për shpërblimin ishte emocion i madh, jo vetëm për të personalisht, por edhe për Kosovën.
“Me të vërtetë ka qenë një emocion shumë i madh kur e kam pranu njoftimin se ë unë jam zgjedhë për vitin 2026 si Gruaja e vitit për Teknologji, për të gjitha shtetet e rajonit, këto gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, është privilegj vetëm jo vetëm për mua si individ, po edhe për vendin që po përfaqësohemi me këtë çmim”, tha Marmullaku.
Marmullaku foli edhe për anën më pak të dukshme të suksesit: sakrificën, lodhjen dhe pasiguritë që vijnë me ndërmarrësin.
“Është me të vërtetë sakrificë e madhe ndërmarrësia si proces, qofsh grua apo burrë. Vjen me shumë mund, vjen me shumë lodhje, vjen me shumë momente ku ndoshta shumë shpesh don me u dorëzu”, tha ajo.
VIDEON
Duke treguar për themelimin e Data4x, Marmullaku tha se përvoja në gazetari dhe komunikim ishte një nga pikat që ndihmoi në identifikimin e problemit me të dhënat në Kosovë dhe rajon.
“Qasja në të dhëna është shumë goxha problematike në Kosovë edhe në rajon, për shkak që janë shumë të fragmentuara dhe kështu kemi vendosë që me e kriju një platformë që ë i ka të gjitha dhënat institucionale të strukturuara me një vend”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Data4x synon t’u ndihmojë bizneseve, institucioneve dhe investitorëve që të kuptojnë më mirë tregun, sektorët, sfidat dhe mundësitë.
Në episod, ajo foli edhe për potencialin ekonomik të Kosovës, duke përmendur mundësinë e zëvendësimit të importit me prodhim vendor.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës ishte edhe roli i grave në teknologji dhe biznes. Marmullaku tha se gratë shpesh përballen me paragjykime dhe nevojën për t’u dëshmuar më shumë.
“Fatkeqësisht, jo vetëm në Kosovë, po e dëgjojmë edhe në rajon, po edhe në shumë vende të zhvilluara, ku ti si grua ndoshta duhesh me fol më shumë për shkollimin tënd edhe për atë se si ke arritë deri këtu ku je në atë tavolinë ulur”, tha ajo.
Në fund, Marmullaku dha një mesazh për të rinjtë dhe për ata që shohin vetëm versionin final të suksesit.
“Mendoj se kërkon shumë punë, shumë përkushtim, nëse don me arritë diçka në jetë. Asgjë nuk servohet lehtë”, tha Marmullaku.
Ajo shtoi se rruga drejt suksesit kërkon përpjekje, sakrificë dhe përballje me procesin. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.