Bota

Fluksi i emigrantëve, Sllovenia mobilizon ushtrinë

Në përpjekjen për të ndihmuar policinë në përballimin e fluksit të refugjatëve, Parlamenti slloven i dha “dritën jeshile” mobilizimit të ushtrisë në kufirin e vendit me Kroacinë, një prej pikave kryesore të kalimit në zonën Shengen.

Kryeparlamentari slloven, Milan Brglez, tha se ligji i cili i mundëson ushtrisë të ndërhyjë për të kontrolluar fluksin e emigrantëve përgjatë 3 muajve, u miratua me 69 vota pro në Parlamentin prej 90 vendesh.

Sipas ligjit të ri, personeli ushtarak do të lejohet gjithashtu të ndalojë përkohësisht grupe emigrantësh dhe t’ia dorëzojë ata policisë. Pak para votimit, kryeministri slloven Miro Cerar e cilësoi projektligjin si një veprim të natyrshëm në rrethanat në të cilat ndodhej vendi.

Ministrja e Brendsheme, Vesna Gyrokos Znidar, u tha ligjvënësve se mbështetja e ushtrisë ishte mjaft e nevojshme për të lehtësuar barrën e policisë e për t’i mundësuar të kryejë detyrat brenda vendit, ku siç tha, priten probleme të mëdha në rastin kur emigrantëve do t’u refuzohet hyrja në Austri.

Pasi Hungaria mbylli kufijtë e saj për emigrantët në muajin tetor, Sllovenia me një kufi të jashtëm të Shengenit me Kroacinë prej 670 km u bë vendi kryesor tranzitit për emigrantët që udhëtonin drejt Austrisë dhe Gjermanisë.

Në përpjekjen për të reduktuar hyrjet në vend, Sllovenia shtoi kontrollet më herët gjatë muajit shkurt, pasi Austria fqinje kufizoi numrin e emigrantëve që do të kalonin në vend në 3200 në ditë.

Gjatë 4 muajve të fundit, më shumë se 470 mijë emigrantë kanë hyrë në Slloveni dhe pasi u janë nënshtruar procesit të identifikimit, kanë kaluar kufirin drejt Austrisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button