FMN paralajmëron sërish për rreziqet e PPP-ve: Mund të dëmtojnë shpejt bilancin publik të Shqipërisë
Më 1 korrik 2019, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se përfundoi shqyrtimin e dytë të Programit të Monitorimit për Shqipërinë dhe aprovoi raportin e Stafit.
Raporti paralajmëron se “si rezultat i borxhit publik ende të lartë, nevojave relativisht të mëdha për financim dhe rritjes së detyrimeve potenciale, goditjet e rënda negative ndaj rritjes ose përkeqësimi i kushteve financiare rajonale, mund të dëmtojnë shpejt bilancin publik të Shqipërisë dhe të ndikojnë negativisht qasjen e tij në financime të përballueshme”.
Rreziqet fiskale të PPP-ve, pagesat po i afrohen limitit prej 5%
Shqipëria përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë në krahasim me rajonin, gjë që aktualisht po adresohet përmes përdorimit të gjerë të PPP-ve. Më shumë se 200 projekte PPP (31 përqind e PBB-së) janë kontraktuar, dhe të tjera me vlerë rreth 15 përqind e PBB-së janë në proces. Megjithatë,paralajmëron FMN, PPP-të nuk janë të integruara mirë në kuadrin e përgjithshëm të menaxhimit të investimeve publike, për vlerësimin e fizibilitetit, përballueshmërisë dhe rreziqeve. Në të njëjtën kohë, pagesat e parashikuara të buxhetit vjetor për PPP-të (të financuara nga qeveria) po i afrohen tashmë kufirit të ligjshëm që arrin në 5 përqind të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar.
Projektet e gjenerimit të energjisë përbëjnë rreth 23 për qind të PBB-së dhe mbulohen nga marrëveshjet e blerjes së energjisë që përcaktojnë çmimin e blerjes, me pak rrezik të dukshëm fiskal të mbetur.
Shumica e projekteve të tjera kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe janë ende në fazën e planifikimit ose ndërtimit. Rreziqet fiskale shoqëruese do të mund të materializoheshin në afat të mesëm ose afatgjatë.
Stafi u kërkoi autoriteteve të përdorin amendamentet e propozuara në ligjin për PPP për të kufizuar rreziqet nga detyrimet potenciale të lidhura me PPP-së dhe për të siguruar menaxhim më konsistent të investimeve publike. Kjo është e rëndësishme për të mbrojtur financat publike dhe për të siguruar vlerë për paratë.
Në matricën për vlerësimin e rrezikut të publikuar në raport, ka një rrezik të lartë që PPP-të për infrastrukturën të jenë të hartuara dobët dhe të rriten detyrimet potenciale. Kjo do të pengonte eficiencën e investimeve publike dhe do të krijonte detyrime të mëdha potenciale, çka do të minonte qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit.
Rritja do ngadalësohet në 2019 dhe do përshpejtohet sërish në 2020
Perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme, thuhet në raport. Në vitin 2019, rritja pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind, për shkak të rënies së prodhimit të energjisë që kulmoi në 2018-n dhe ngadalësimit ekonomik në vendet partnere kryesore të Shqipërisë. Në periudhën afatmesme, rritja e PBB-së parashikohet të konvergojë në nivelin e mundshëm prej 4 për qind, pasi aktiviteti pritet të nxitet nga rimëkëmbja e BE-së, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, forcimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për të mbyllur hendekun e madh të infrastrukturës në Shqipëri. Pritet që inflacioni të konvergojë ngadalë drejt objektivit të tij prej 3 për qind deri në vitin 2021, teksa hendeku i prodhimit do të ngushtohet dhe inflacioni i importuar nga eurozona do të rimëkëmbet. Deficiti i llogarisë korente parashikohet të kufizohet më tej në periudhën afatmesme, mbështetur nga rritja e fortë e eksporteve dhe konsolidimi i planifikuar fiskal. Niveli i rezervave valutore mbetet i përshtatshëm.
Rreziku nga plakja dhe emigrimi
Si një ekonomi e vogël e hapur, me diversifikim të kufizuar ekonomik, Shqipëria mbetet e ekspozuar dukshëm ndaj rreziqeve të jashtme dhe të brendshme. Vendi është veçanërisht i prekshëm ndaj thatësirës, plakjes së popullsisë së kombinuar me emigrimin e vazhdueshëm të punëtorëve të kualifikuar dhe ndikimin nga rritja më e ulët në partnerët kryesorë tregtarë, thekson FMN.
Duhen rregullime fiskale
Raporti rekomandon që është e rëndësishme të zbatohet rregullimi i mëtejshëm fiskal, i kombinuar me përmirësimet në cilësinë e politikave buxhetore. Përshpejtimi i reduktimit të borxhit publik në një periudhë afatmesme, do të krijojë hapësirë për të absorbuar dhe kompensuar goditjet e kundërta nëpërmjet politikave fiskale anticiklike. Duke pasur parasysh nevojën për të përmirësuar infrastrukturën dhe zhvillimin njerëzor të Shqipërisë, konsolidimi fiskal duhet të mbështetet nga përmirësimet në politikën tatimore dhe administrimin e taksave që çojnë në të ardhura më të larta. Këto reforma duhet të mbështeten nga një analizë e kujdesshme e sistemit të të ardhurave dhe një strategjie afatmesme për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të krijuar kushte të barabarta për bizneset.
Fondi shprehet kundër përjashtimeve fiskale në 2018-2019, sidomos në regjimin e TVSH-së, të cilat kanë ulur rendimentin fiskal. Fondi ka ripërsëritur kërkesën që të mos ketë vonesa në rimbursimin e TVSH-së dhe të mos krijohen detyrime të prapambetura.
Të rishikohet propozimi për Korporatën e Investimeve
Autoritetet po konsiderojnë krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) – një institucion zhvillimi që do të shfrytëzonte asetet shtetërore “të lira” duke përdorur institucionet financiare si dhe burime të tjera financimi. Detyrat e korporatës do të përfshijnë përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimeve në pronën shtetërore dhe financimin ose bashkëfinancimin e projekteve të tilla.
Stafi fuqimisht u këshilloi autoriteteve që të rishikojnë propozimet për krijimin e AIC, për të shmangur rreziqet ndaj buxhetit dhe për integritetin e kuadrit të menaxhimit të investimeve publike. Në formatin që është, projektligji do të lejonte qeverinë të drejtonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin AIC në një instrument shpenzues jashtë buxhetit, çka rrezikon të ulë disiplinën fiskale dhe të anashkalojë proceset e menaxhimit të investimeve publike. Në vend të kësaj, kuadri duhet të sigurojë që AIC do të veprojë në baza komerciale dhe të jetë një zgjatues i qeverisë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e AIC në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve. Stafi gjithashtu rekomandoi kufizimin e kontributit financiar të qeverisë në AIC më qartë në legjislacion dhe ta bëjë AIC subjekt të Ligjit të Prokurimit Publik.
Kujdes me ardhjen e lojtarëve pa përvojë në sistemin bankar
Sektori bankar po finalizon një konsolidim të rëndësishëm, nga 16 banka në vitin 2016 në 13 për momentin. Brenda këtij procesi, pronësia e bankave është zhvendosur nga bankat mr përvojë të BE-së tek lojtarët e rinj – disa pa përvojë bankare, duke ngritur shqetësime në lidhje me cilësinë e qeverisjes së bankës dhe kapacitetin e administrimit të rrezikut. Për të përballuar këto rreziqe, BSH ka miratuar një kornizë më intensive të inspektimit dhe mbikëqyrjes, si në vend ashtu edhe jashtë saj, për bankat me aksionarë të rinj. Këto masa janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga banka qendrore për të harmonizuar më tej kuadrin rregullator me standardet ndërkombëtare, thotë raporti i FMN.