FOKUS – Greqia në betejë me 73 vatra zjarri, era e fortë vështirëson ndërhyrjen
ATHINË, 31 korrik /ATSH-ANA/ – Greqia po përballet me një situatë kritike nga zjarret, ndërsa forcat zjarrfikëse po luftojnë njëkohësisht me 73 vatra aktive në të gjithë vendin.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, vatrat më problematike ndodhen në Kalamaki dhe Ksironomi (Xiromoni) të rajonit të Beotisë, ku terreni i vështirë dhe erërat me intensitet të lartë po pengojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Komunikimit në Shërbimin Zjarrfikës, Vasilis Vathrakogiannis, bëri të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 51 zjarre të reja në zona pyjore dhe bujqësore.
Ai paralajmëroi se rreziku mbetet shumë i lartë, ndërsa për të shtunën Athina dhe Evia pritet të jenë në nivelin ekstrem të rrezikut për shpërthimin e zjarreve.
Një nga frontet më të vështira është ai në malin Poikilo, pranë Athinës, ku janë angazhuar 95 zjarrfikës, gjashtë ekipe speciale të pyjeve, vullnetarë dhe 22 mjete zjarrfikëse.
Prioritet i autoriteteve ka qenë mbrojtja e spitalit psikiatrik Dafni, ndërsa në zonë ndodhen edhe banesa, çka detyroi autoritetet të dërgojnë mesazhe emergjente për evakuimin e banorëve.
Në Beoti po zhvillohet një operacion i madh me 215 zjarrfikës, dhjetë ekipe speciale, 57 automjete, mjete të rënda të ushtrisë dhe makineri të autoriteteve lokale për hapjen e brezave mbrojtës kundër zjarrit.
Flakët u përhapën drejt vendbanimit bregdetar të Agios Vasileios, duke bërë të nevojshme evakuimin e 254 personave, të cilët u transportuan në siguri me anije të Shërbimit Zjarrfikës, Rojes Bregdetare dhe mjete private lundruese.
Forca të shumta janë angazhuar edhe në zjarret në Komboti të Artës dhe Fihti të Argolidës, ku flakët po kërcënojnë zona me banesa të shpërndara.
Megjithatë, autoritetet raportojnë se zjarret në Maratho të Evritanisë, Arhondohori të Amfilohisë, Floka të Ahaisë dhe Hinitsa të Argolidës janë vënë nën kontroll ose janë në rënie.
Shërbimi Zjarrfikës theksoi se të gjitha mjetet ajrore janë vënë në dispozicion për operacionet, por në shumë raste avionët dhe helikopterët nuk kanë mundur të furnizohen me ujë ose të ndërhyjnë për shkak të erërave shumë të forta, të cilat krijojnë turbulenca të rrezikshme dhe vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e mbrojtjes civile dhe njoftimet e sistemit të emergjencës 112./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.