Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një konferencë për shtyp pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që i dha 3 pikët Shqipërisë për ndeshjen ndaj Serbisë, tha se është i emocionuar për shkak se fitoi drejtësia dhe futbolli.
“Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim. Fitoi e drejta dhe futbolli. Nuk dua të gjykoj për klasifikimin dhe nuk dua të diskutoj nëse do të shkojë apo jo Shqipëria në Europian. Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend. Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje”, tha Duka.
Në lidhje me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në vend të dytë me 10 pikë (aq sa Danimarka), Duka tha se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.
Kur u pyet në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit De Biasi, Duka u përgjigj: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biasi do të jetë me ne atje”.