Fundi i pashmangshëm i një autokrati dhe triumfi i një proteste

Ndërsa shihja kryeministrin t’i tundte i acaruar e hakërryeshëm një libër me ballinë rozë gazetares së CNN-it, ku sipas tij qe vizioni me projektet që i di veç ai për Shqipërinë e së nesërmes, mu kujtua një leksion i arkitektit Winny Mass në një nga universitet më të rëndësishme europiane.
Me një gazmend çamarrok u tregonte studentëve pa teklif, se ndërsa gjerbnin një kafe në një verandë mbi Tiranë, kryeministri shqiptar i pat thënë:
“Ver gishtin, ku do të ndërtosh një kullë. A të pëlqen atje?”
Studentet qeshën, si të qe një barcoletë. Sepse e paimagjinueshme për ta ideja e një kryeministri europian që flet si Mobutu Sese Seko në Afrikën e largët, ideatori i “Gbadolite”, një qytet luksoz në mes të xhunglës për qejf të tij, me një pistë për charterin e vet personal Concorde, ndërsa vendi qe zhytur në mizerje. “Në Zaire, unë jam shteti”, thoshte ai me një egocentrizem patologjik.
Mass për The Guardian, para se pallati të ndërtohej, pohonte se ideja kish qenë e Edi Ramës duke i thënë se “Dua të bëj diçka me historinë”. Nga kjo fjali kishte lindur koka gjigande prej betoni ne qendër të Tiranës, në sheshin Skënderbej. Vetëm nga gojëdhëna godina mund të japë idenë e Skënderbeut, sepse në realitet imazhi është i qartë, lideri suprem që qesëndis popullin e nënshtruar poshtë.
Një megallomaní për t’u ndjerë sulltan i një vendi të vogël europian me pozitën gjeografike më të favorshme, klimën e adhurueshme mesdhetare, daljen në dy dete, relievin me të gjitha shprehjet e mrekullueshme të natyrës, por me një bilanc trishtues për ekonominë dhe mirëqenien e popullit të vet.
Çfarë arriti lideri i ëndrrave mashtruese?
Porti i Durrësit, që historikisht ishte aseti më i rëndësishëm logjistik i vendit, u bë lagje pallatesh që zhyten çdo ditë. Shqipëria humbi rolin gjeopolitik të portit kryesor te saj historik.
Porto Romano, që u paraqit si zëvendësuesi i madh logjistik, ende nuk ka nisur nga puna, që të kompensojë sadopak peshën historike dhe ekonomike të portit të Durrësit.
Aeroporti i Kukësit u inaugurua me bujë si simbol zhvillimi, por sot është nje fantazmë ku kanë bërë fole shpendët.
Aeroporti i Vlorës (“do ta kërkoni Vlorën Admiral”), projekti strategjik që na u ofrua si mekanizmi i fuqizimit të turizmit të jugut ka ngecur mes aferash e çështjesh gjyqësore, i debatuar shkencërisht mbi ndikimin mjedisor, fizibilitetin afatgjatë dhe nevojën reale krahasuar me prioritetet e tjera ekonomike.
Mund të vijoj me rrugët, korridoret, autostradat e hekuradhat, sesi ne 13 vite nuk arritën të krijojnë infrastrukturën mbështetëse për një vend me pasuri nën e mbitokësore, që mund të ish prodhues industrial e bujqësor, me eksporte e rol në tregje rajonale e ndërkombëtare. Këto asete do duhej të lidhnin fabrikat me tregjet, ekonominë me investimet, eksportet dhe turizmin.
Por lideri suprem e gjeti shprehjen e vizionit të tij tek betoni e kullat, më herët tek kanabisi e sot tek pastrimi i parave, duke humbur kohë e njerëz të çmuar për të ndërtuar “kapacitet kombëtar” ne ekonomi me industri përpunuese, bujqësi konkurruese, logjistikë moderne, arsim profesional, kërkim dhe inovacion, porte të integruara me ekonominë prodhuese, duke kësisoj turizmin cilësor.
Vështirë të kuptohet se si një kryeministër i një Shqiperie në bash të vendit gjeostrategjik të transformojë e dërrmojë asetet ekzistuese për të gjeneruar fitime afatshkurtra nga ato që blejnë zgjedhje, patronazhistë, lobime dhe gjynahe. Duke detyruar ende sot shqiptarët të emigrojnë sikur të ikin nga sytë këmbët prej nje vendi në luftë, me konflikte etnike.
Nuk pyesim dot kryeministrin e 83 mandateve në parlament se përse Shqipëria ka kaq shumë beton dhe kaq pak industri, pse ka kaq shumë apartamente dhe kaq pak kërkim shkencor, pse kaq shumë projekte imobiliare dhe kaq pak parqe industriale, pse kaq shumë kontroll të centralizuar territorial dhe kaq pak zhvillim prodhues, pse kaq shumë korrupsion e kaq pak drejtësi, sepse ia nis me turfullimë e arrogancë isos me luftrat hibride, armiqtë e Shqipërisë, fqinjët e xhelozuar, komplotet ndaj “vizionit” unik që po u imponohet burokratëve “të mahnitur” të BE-së me modelin e vet.
Ama protestat kanë meritën e jashtëzakonshme të dëshmojnë se s’ka shqiptar që sot nuk e di se filozofia e tij qeverisëse nuk kapi territorin për të krijuar ekonomi më të fortë, por kapi shtetin të konsumojë territorin.
Dhe mu bash këtu lidhet edhe protesta e drejtë e ditëve të fundit, jo thjesht me një projekt (pa projekt) në Zvërnec, por me ndjesinë se për vite me radhë territori është trajtuar si burimi kryesor i pushtetit edhe për te pastruar para, ndërsa sektorët që krijojnë mirëqenie afatgjatë, industria, bujqësia moderne, inovacioni, kapitali njerëzor janë luftuar si te ishin makthi mbi ëndrrën mashtruese të sulltanit.
Winny Mass mund të krenohet me instalacionet e tij në “bienalen” e Tiranës, por Tirana nuk funksionon më. Një qytet funksional nuk është ai ku sheh më shumë vinça në horizont e ku rrokaqiejt gërvishtin gjak retë, por ai ku ambulanca mbërrin në kohë, ku zjarrfikësja futet në lagje, ku transporti publik e bën të panevojshme makinën, ku kanalizimet përballojnë reshjet, ku ajri nuk te vdes nga ndotja, ku fëmijët kanë hapësira publike dhe ku trafiku nuk ha orë të jetës së njerëzve çdo ditë.
Në Tiranë, Durrës a Vlorë, qytetarët po paguajne “borxhin urban”, atë ku
fitimi merret sot nga leja e ndërtimit, ndërsa kostoja paguhet me breza nga banorët dhe pronarët e përzënë nga e drejta e tyre.
Prandaj shumë njerëz nuk protestojnë sot vetëm për një resort a një kullë, por kundër cilësisë mizerabël të jetës. Se jo vetëm pelikani kaçurrel e flamingot, por edhe fryma e fëmijëve tanë rrezikohet çdo orë.
Arsye të tjera për të protestuar?
Industria e bujqesia sot në recesion faktik, nuk u bëne kurrë projekte kombëtare. Sepse per to duhen energji konkurruese, siguri ligjore, arsim profesional, kapital njerëzor, administratë efikase. Shëndetësia po vret.
Po ku presin votimet e radhës, babëzia e shfrenuar për të qeverisur një popull të nënshtruar, për të bërë jetë sheikësh në Ballkan?
E megjithate dështimi më i madh nuk është as industria dhe as bujqësia.
Por njerëzit.
Shqipëria ka parë emigrimin masiv të mjekëve, inxhinierëve, IT-ve, profesionistëve të rinj për t’i zëvendësuar me punëtorë afrikanë, bangladeshas, indianë e filipinas.
Shpopullimi i shpejtë dhe kontrolli i frikshëm mbi territorin e bënë Shqipërinë terrenin parajsë per krijimin e narkoshtetit të parë në Europë. Me një kontroll të egër të territorit u centralizua vendimmarrja. Bashkitë humbën peshën reale. Këshillat vendorë u kthyen në noterë politikë. Vendimet e mëdha për zhvillimin urban, zonat turistike, investimet strategjike, portet, aeroportet dhe bregdetin kaluan gjithnjë e më shumë në duart e qeverisë qendrore. Të një njeriu të vetëm, në fakt.
U zvogëluan hapesirat e mbrojtura, iu ul statusi shumë prej tyre, u bënë ligje speciale e për investitorë strategjike. Vendimet nisën të merren veç me VKM, duke anashkaluar kuvendin. U përzunë investitorët seriozë ndërkombëtarë.
Në Shqipërinë e tranzicionit, pushteti ndahej përmes vendeve të punës, ndërsa në Shqipërinë e Rilindjes, pushteti u nda përmes lejeve, pronave, zhvillimit urban dhe aksesit tek toka.
Ja pse duhen kullat, marinat, ppp-të e koncesionet, si valuta përmes te cilave sistemi shpërndan influencë, krijon aleanca, prodhon besnikëri dhe ndërton klientela.
Shqipëria nuk ka naftën e Gjirit, industrinë e Gjermanisë apo financat e Londrës. Ajo cfarë ka është toka pjellore, bregdeti, malet, peizazhi, klima. Por për t’u kapardisur në sallonet e influencës, sikur të vinte nga një ekonomi dhe ushtri e stërmadhe, Rama nuk priste dot gjatë. Korrupsioni nuk mjaftonte. Provoi me kanabisin, mandej ndërtimin, lejoi pastrimin e parave, synoi amnistitë, shtetin bektashi, kampet e emigrantëve, shtetin e bëri agjenci imobiliare, Shqipërinë katalog pronash.
A është Shqipëria pasuri për t’u trashëguar, apo mall për t’u konsumuar?
Kjo është ndoshta pyetja që do të përcaktojë jo vetëm fundin e epokës së Ramës, por mënyrën se si ajo do të mbahet mend në histori.
Për këtë arsye protesta ka një domethënie më të madhe sesa vetë Zvërneci. Ajo është protesta e parë masive që nuk kërkon thjesht largimin e Ramës, por zhbërjen e filozofisë së tij qeverisëse sui generis.
Të vjen marre nga ideja se ndërsa protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ai u gjegjet sikur protestat po kërkojnë anulimin e një projekti (pa projekt), madje të vetë zhvillimit të Shqipërisë.
Jam e qartë se askush nuk i kërkon dorëheqjen një kryeministri, sepse ndërtohet një hotel. Një kryeministri i kërkohet dorëheqja kur njerëzit mendojnë se mënyra se si po qeveriset vendi po ua bën të pamundur jetën.
Mesazhi është se Shqipëria ka arritur në pikën ku çdo konflikt e aferë mbi territorin, pronën, investimet, institucionet dhe interesin publik të çon gjithmonë tek i njëjti emër.
Tek një mjeshtër i manipulimit publik, që kur fiton (blen) zgjedhjet, fiton ai. Kur humbet besimin e njerëzve, fitojnë armiqtë. Kur hapen negociatat, është meritë e tij. Kur protestojnë qytetarët, është luftë hibride. Kur vijnë investitorë, i solli ai. Por kur largohen fajin e ka opozita. Kur turistët vijnë në Shqipëri është veç aftësia e tij, por korrupsionin e narko-shtetin e krijoi xhelozia e fqinjeve.
Me këtë logjikë, Rama ka qeverisur vetëm sukseset. Shqipërinë tjetër e paskan qeverisur armiqtë.
Propaganda tashmë e diskretituar e përdorimit të një koncepti gjeopolitik për të shpjeguar një fenomen kryekëput korruptiv, e përdorimit të gjuhës së sigurisë kombëtare për të shmangur atë të llogaridhënies është kapur keq kësaj here.
Për 13 vite Rama qeverisi pa ideologji, pa parime, pa kundërshtarë, vetëm me rezultatin e pushtetit. Tani, për herë të parë, po përpiqet ta shesë veten si mbrojtës i një kauze ideologjike, zhvillimit kundër prapambetjes. Dhe mu aty është zënë shah-mat.
Një kryeministër që qeveris prej më shumë se një dekade, kontrollon shumicën parlamentare, administratën, bashkitë dhe pothuajse çdo levë të pushtetit, por vijon të flasë si viktimë, si komandant i një fortese të rrethuar.
Ama nëse pranon këtë, lufta ka nevojë për parime. Ndërsa qeverisja e tij ka kaluar nga kanabisi te kullat, nga PPP-të tek resortet strategjike, nga betonizimi te amnistitë fiskale, me të njëjtën lehtësi me të cilën një tregtar ndryshon vitrinën sipas stinës. Vështirë të gjesh një ideologji që ka si bosht të saj çmimin e metrit katror.
Shqiptarët nuk kanë kundërshtuar kurrë zhvillimin. Përkundrazi, për vite kanë parë në emër të zhvillimit të zhduken porte, pyje, brigje, hapësira publike dhe institucione kontrolli. Prandaj sot nuk kërkojnë më premtime, por garanci dhe një drejtim të ri.
Ky është ankthi i vërtetë i pushtetit, sepse qytetari nuk mjaftohet më me sloganin “besoi vllait tat”.
Zhvillimi nuk është fe. Dhe kryeministri nuk është profeti i saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.