Opinion

Fundi i turpshëm i idhullit të demokracisë Sali Berisha

Nga PETRO DHIMITRI

Ishin vitet dhe muajt kur që nga Moska dhe në të gjitha shtetet ”vasale” komuniste të Evropës, diktaturat komuniste u shpërbënë për t’i lënë vendin  transformimeve demokratike. Kishim mbetur komuniste vetëm Kina, Koreja e Veriut dhe Shqipëria. Thënia e shtypit Evropian : Shqipëria nuk duhet të vonohet për të kapur trenin e fundit për në Evropë, ishte një thirrje e duhur dhe në kohë që edhe ne shqiptarët të reflektonim. E dinim mirë këtë. Nuk lëviznim se diktatura të gjakoste keqas. Populli ishte në pritje të çastit të duhur. Ai erdhi edhe pse pasardhësi i Enver Hoxhës, diktatori Ramiz Alia nuk ishte gjakësor si mësuesi i tij. Edhe ai vetë kishte menduar për disa ndryshime, por gjithmonë me luhatje dhe me vonesë. Ndërkohë punëtorët paguheshin me 70 përqind. Në dyqane mund të merrje në kryeqytet vetëm 5 vezë në javë. Mishit i qe zhdukur vula me kohë. Tirana, si e preferuar, merrte 1 kile mish në muaj për familje. Mish thuajse i skaduar i ardhur deri nga Argjentina. Nuk kishte ku të shkonte më keq… Shkodra dhe Kavaja dhanë shenjat e para. Ishte  dhe hyrja masive në dyert e ambasadave, sidomos asaj Gjermane, që tronditën themelet e diktaturës. Frikës iu tha: TUTJE LARG!.. Dhe erdhëm te revolta e studentëve. Erdhëm te kërkesa këmbëngulëse për pluralizmin për të qenë edhe ne si gjithë Evropa. Populli u ngrit si uragan për të mbështetur studentët. Diktatori u detyrua të pranonte kërkesat e tyre. Në krye të popullit kryengritës printe doktori komunist Sali Berisha. Ai u zgjodh edhe Kryetari i Partisë Demokratike. Ishte udhëheqësi i  një populli që kishte 50 vjet nën thundrën e të vetmes parti diktatoriale. Figura e tij dhe dashuria e popullit për udhëheqësin e tyre arriti kulme të paimagjinueshme. Ai ishte zëri dhe shpresa e gjithë popullit, përveç atyre që mbetën komunistë. Doktori ishte shpëtimtari ynë. Në zemrat tona zuri një vend nderi. Po jap vetëm një fakt nga jeta ime. Kur ai më arrestoi dhe me ndërhyrjen e Ambasadorit të SHBA-së Ryerson, më mbajti në arrest shtëpie, erdhi dhe vëllai im i madh të më takonte. Sa u ul pranë meje, në vend të më pyeste pse më kishin vënë prangat, me sa fuqi kishte thirri: ” Rroftë Sali Berisha! Sali Berisha të marrsha të keqen!” Heshta nga që nuk doja të prishesha me vëllanë . Gati  si tërë populli dhe ai betohesh për doktorin. Në atë ditë të trishtueshme për mua, ai  ”shkelmoi”  vëllanë për idhullin e demokracisë. Ishte një adhurim dhe dashuri për njeriun që mendohej se solli demokracinë. Për këtë nuk i mbajta dot mëri. Si i persekutuar nga diktatura ,te Sali Berisha ai shikonte idhullin e demokracisë aq të munguar dhe të dëshiruar.  Ai dhe tërë populli në atë kohë nuk e dinte se Sali Ram Berishën e kishte thirrur në Komitetin Qendror të Partisë Ramiz Alia .Si komunist dhe sekretar partie besnik që ishte, e ngarkoi me detyrë që të vihej në krye të revoltës së studentëve.

              Si ia shpërbleu doktori popullit dashurinë aq të zjarrtë dhe besimin që kishin për të?
              Ç’mund të bënte për demokracinë një njeri që njihte vetëm mësimet e marksizëm leninizmit dhe praktikën e  organizimit dhe drejtimit të Partisë së Punës? Sado që brenda 24 orëve ai u kthye nga komunist në demokrat (duke vazhduar të mbante teserën në xhep), sa do që veshi një xhaketë demokratike dhe një partesy po të tillë, sado që ngrinte tërë kohën dy gishtat lart, ai mbeti po komunist .
              NË PARTI shumë shpejt u bë njësh absolut. Kush nuk shkonte pas berihait të të tij, mënjanohej. Kush kundërshtonte, përjashtohej duke u anatemuar si armik. Nga  të gjithë intelektualët, ish themelues të PD-së, që ishin jo të pakët në numër, në PD (para shkërmoqjes në dy apo më shumë grupe) kishin mbetur jo më shumë se dy vetë. Sëpata e doktorit kundër ”armiqve ” brenda partisë ka qenë e pamëshirshme. Ajo nuk kishte të bënte fare me praktikën e partive demokratike. Ishte thjesht zbatim i  mësimeve dhe përvojës së Enver Hoxhës që shpalli armiq të gjithë bashkëluftëtarët e vet pa bërë as më të voglën tradhti.
               Sali Berisha injektoi pandërprerë urrejtjen ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas mendjes së tij ata ishin vetëm armiq dhe duhej të nëpërkëmbeshin, duke i hequr nga puna ose duke u nxjerrë njëmijenjë  pengesa të natyrave nga  më të ndryshmet. Madje dhe arrestoi thjesht për politikë?!
                Nuk e kishte dhe nuk e ka për turp të gënjejë për çdo gjë. Pas çdo zgjedhjeje si ai, po edhe kukulla e tij Basha, thoshin se na vodhën zgjedhjet. Madje edhe për rezultatin fantastik të zgjedhjeve për pushtetin vendor që doli 53 me 7 për të  majtët, thotë se e kanë vjedhur, prandaj nuk i njeh ato zgjedhje. Nuk e thotë vetëm ai. Fryma e tij mohuese është mbizotëruese në PD. Thonë na vodhën për të justifikuar humbjen që drejtuesit të mos lëshojnë karrigen.
Këto veprime ndikuan që shumë intelektualë të shquar të mënjanoheshin . Ata po e shikonin që PD-ja e Berishës nuk kishte asgjë të përbashkët me idealet e dhjetorit. Kjo solli në një farë mënyre rrudhjen e partisë. E keqja më e madhe për PD-në qe se elektorati gri ose, ta them më mirë ,populli nuk po e shikonte më si idhullin e demokracisë. Madje një pjesë e mirë qenë zhgënjyer aq shumë sa nisën të ndiqnin me interes ndryshimet në Partinë Socialiste. Nuk ishte gjë e vogël as e rastit që të majtët zgjodhën për kryetar një njeri që nuk kishte qenë kurrë komunist dhe as socialist. Ai e nisi udhëtimin e tij politik si demokrat. Kur e pa që në krye të tyre ishte një komunist, u tërhoq dhe shkoi të punonte si piktor në Paris.
                PSEUDOIDHULLI PRESIDENT DHE KRYEMINISTËR ?!
                Po, është e vërtetë e zgjodhi populli me entusiazëm. Kishte besim të verbër te ai njeri karismatik se iu kundërvu Partisë  së Punës që e edukoi dhe i besoi . Në një nga çastet më vështira të ekzistencës së saj, i thanë:” Doktor Saliu, shko e kryeso  lëvizjen e fuqishme studentore kundër mëmës Parti…” Që të nesërmen e asaj dite ai filloi ta quante armike ish partinë e tij. Nuk ke  ç’ti thuash: NJERI ME ” KARAKTER”. Si President hartoi edhe një Projekt Kushtetutë që do ta kthente doktorin gati si mbret, po pa atë emërtim. Populli i heshtur, edhe pse vazhdonte ta adhuronte, i tha një JO të madhe asaj lloj kushtetute . Shqiptarët KURRSESI NUK DONIN MË NJË MBRET OSE DIKTATOR TË RI.
                  Ëndrrën e tij  të sëmurë për të pasur të gjitha pushtetet  e realizoi 100 për qind  kur ishte për dy mandate kryeministër i Shqipërisë. Idhulli i demokracisë po shndërrohej dita-ditës në dirigjent absolut për qeverisjen, Presidencën, Parlamentin, Policinë dhe DREJTËSINË. Ishte një dekadë kur nga Perëndimi Shqipëria u quajt SHTET I KORRUPTUAR.
Nuk ishte lajthitje e të huajve ky epitet. Jo,jo. Berisha me stafin e tij si ujqër të uritur filluan të vidhnin ku të mundnin. Theu embargon e naftës për t’i çuar Milosherviçit naftë kontrabandë. Firma ”Shqiponja” ishte e PD-së. Të ardhurat nuk qenë të pakta. Në tendera bëhej kërdia. Çdo nëpunës që kishte të bënte me dhënie lejesh për ndërtim e deri te çertifikatat e lindjes të kërkonte hapur bakshishin. E njëjta gjë me mjekët, sidomos me kirurgët. Prona nuk vajti te i zoti. Të fortët e Berishës zaptonin troje .Nisi epidemia e ndërtimeve pa leje. Prokurorët dhe gjykatësit , përmes ç’drejtësisë , u bënë si të babëzitur për para. Se sa dhe si e rropën popullin ata e tregoi  më vonë vetingu…
                  Kjo gjendje anormale e një shteti, edhe pse shumë i vogël në territor dhe popullsi, nuk mund të kalonte pa rënë në sy të Perëndimit, sidomos SHBA-së. Ata ishin partnerët tanë kryesorë. Ata mbështetën Berishën. Ata kishin të drejtë edhe të bënin vërejtjet e tyre. Po i thoshin idhullit të rremë: ”Ndalu beg se ka hendek!”.Begu jo vetëm që nuk bëri kthesë, po i quajti përfaqësuesit e  miqve dhe partnerëve tanë armiq. Shtatë ambasadorë të SHBA-së, përveç Ryersonit që e përkrahu PD-në të vinte në pushtet, dolën armiq të deklaruar të Sali Berishës. Arriti të thoshte edhe budallallëkun diplomatik, se ai nuk e ka kritikën për Washingtonin, po për ambasadorët që bëjnë politikë personale?! Nuk munguan shpifjet dhe akuzat e tij ndaj Arvizit, Donald Lu-së dhe sidomos Juri Kim -it. Ndaj saj përdori një fjalor prej rrugaçi që na turpëron të gjithëve.
                   Sali Berisha si komunist i maskuar vazhdoi në rrugën pa kthim të deformimit të demokracisë. Arrestoi kryetarin e opozitës Fatos Nano sepse e shikonte si rival që do t’i merrte fronin. Doktori mori në mbrojtje Ministrin e Punëve të jashtme, Ilir Metën, kur përmes një videoje ai dilte fare hapur si një njeri që i kërkonte më shumë se 700000 EURO, ministrit të ndjerë Dritan Prifti. Me specialistët e tij maskarenj hodhi poshtë ekspertizën e specialistëve të FBI-t . Shpëtoi nga burgu një hajdut. Kur në 21 janar shpërtheu protesta kundër Ilir Metës, ishte Berisha ai që urdhëroi për të qëlluar demonstruesit e pa armatosur. Si katandisi flamurtari i demokracisë në një vrasës ordiner?! I prishi të gjitha provat. Prokurorët dhe gjykatësit mashtrues  thanë se plumbat e qëlluar në ajër bënë rikoshetë te degët e pishave. Pra, fajtorët e vërtetë na qenkan pemët?! Për Aleks Nikën që u vra në mes të bulevardit nuk kishin si të gënjenin, prandaj vrasja e tij nuk është gjykuar. Në Tiranë po, veç jo në Evropë. Gjykata Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut  21 janarin e ka quajtur VRASJE SHTETËRORE. Nuk e di ç’pret më drejtësia për t’u mbyllur
 hetimi për atë vrasje?! Bëmat vrastare të kryetarit të opozitës pseudodemokratike  nuk kanë të sosur. Gërdeci ende thërret. Janë 26 të vrarë dhe mbi 250 të plagosur. Edhe pse projekti për Gërdecin nuk u miratua nga mbledhja e qeverisë, Berisha shumë shpejt ia besoi  atë projekt të familjes së tij ministrit të mbrojtjes.  Pse u anashkalua qeveria? Sepse për demontimin e armëve të shtetit ishte i interesuar i biri, Shkëlzeni. Natyrshëm vijmë edhe te privatizimi i Klubit ”Partizani”. Pse dhëndëri i pishtarit të demokracisë kishte 144 m2 në atë truall që ishte paguar kur bënë shpronësimin italianët , përfituan edhe të tjerët duke i vjedhur shtetit jo pak po 26000 m2?! Nga transmetimet televizive kemi mësuar se edhe për dosjen ÇEZ DIA shtrihen tentakulat e familjes Berisha…
              Këto ishin disa nga veprimet më ” demokratike” të Sali Berishës të kryera gjatë viteve të qeverisjes së tij. Ato nuk mbetën pa u përfolur në popull asnjëherë, prandaj dhe admirimi dhe dashuria e pa kufizuar për të filloi të shuhej deri sa u venit fare kur populli nuk e votoi më. Sa për sy e faqe, nja gjashtë muaj pas humbjes që nuk e pranoi kurrë, Sali Berisha dha dorëheqjen. Zgjodhi për kryetar njeriun më të besuar të tij. Të gjithë e dinin se nuk e drejtonte PD-në Luli, po vetëm Berisha që qëndronte pas skenës. Ai nisi një yrysh si drejtues kur SHBA-ja e më pas Anglia, bashkë me familjen e shpallën NON GRATA dhe sidomos kur dishepulli i tij, nga presioni i SHBA-së, u detyrua ta përjashtonte  doktorin nga grupi i deputetëve. Doktori doli ashtu edhe siç ishte kryetar në hije i PD-së. Mblodhi rreth vetes besnikët e tij. E quan veten kryetar të PD-së dhe të opozitës, ndonëse grupimi ose partia e tij, nuk është regjistruar në gjykatë?! Kemi një përçarje brenda të njëjtës parti. E keqja e madhe për të ishte kur SPAK-u arrestoi dhëndrrin e tij dhe vetë Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Nga ai çast ”luani” u zgjua dhe nisi sulmin kundër diktaturës së Edi Ramës. Nuk ka ditë dhe dalje publike që të mos bëjë thirrje për mosbindje civile dhe për të rrëzuar regjimin e Ramës që nuk u përmbyset dot me votë. Duke e ditur mirë që nuk ka mbështetje masive, si dikur për demonstratat me shashka e djegie, që organizonte, ndërroi taktikë. Me besnikët e Rithemelimit, ku janë edhe disa palo deputetë, për më shumë se një muaj po bllokon punimet e Parlamentit. Grumbullojnë para foltores  karrige të kthyera mbrapsht dhe hedhin lëndë tymuese.  I vunë zjarrin tavolinës së deputetit Basha si dhe pirgut të karrikeve. Po të mos kishin   ndërhyrë djemtë e Gardës, Parlamenti i Shqipërisië do të ishte djegur si Rajshtagu. Edhe pse ka bërë thirrje që të vijnë demonstuesit nga e gjithë Shqipëria për të mbrojtur vendin nga diktatura e të majtëve, nga sa kemi parë në ekranet e televizioneve, numuri i tyre varion nga 300 dhe deri në  500 vetë. Krahasuar me ata qindramijëra që mblidheshin kur i thërriste idhulli i tyre, këta janë  një numur i papërfillshëm. Është një e vërtetë e hidhur për të, po shumë e mirë për Shqipërinë, se miti i tij ka rënë. Të gjithë demokratët e ndershëm, se populli po e po, e kanë të qartë që ai duhet të përballet me drejtësinë për akuzat që i bëhen. Kësaj  i trëmbet ” luani” i zgjuar nga gjumi , prandaj po përpiqet me çdo kusht që t’i shmanget procesit gjyqësor.Pse nuk u paraqit, sipas kërkesës së gjykatës, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, Parlamenti miratoi kërkesën e SPAK-ut që të ashpërsohet masa ndaj tij. Do të thotë që pishtari, idhulli, emblema e demokracisë, SALI RAM BERISHA të përfundojë këto ditë në arrest shtëpije ose në burg. Për shkak të moshës të gjitha gjasat janë që ka për të qendruar brënda shtëpisë për sa kohë do të jetë në hetim dhe gjykim dosja e privatizimit të kompleksit ”Partizani”. Po nuk është vetëm ajo dosje. Doktorin e pret edhe dosja e 21 janarit…Asaj nuk ka si t’i shmanget , nuk ka si të trillojë artifica juridike : SPAK e ka lejen për ta patur të pandehur. Po të jetë i dënuar nuk mund të fshihet  në nevojtoren e shtëpisë pa qira…
             Ky ishte fundi i turpshëm i një lideri mbarëpopullor. Kur e kërkonin për t’i dhënë njoftimin e gjykatës, duan të thonë se fshihej në tualet?! Nuk ke ç’ti thuash: trimëri alla Berishjane!? Në këto çaste po më kujtohet thënia e ish të burgosurit politik Fato Nano. Kur e pyetën gazetarët se a kishte për ta burgosur Berishën, ai u gjegj:
              – Berisha do të burgosi veten.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button