Funksionalizimi i Gjykatës Administrative, Gërvalla: Një mekanizëm i ri i shtetit ligjor në Republikën e Kosovës
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla sot mori pjesë në ceremoninë zyrtare të funksionalizimit të Gjykatës Administrative, gjykata e parë e specializuar në Republikën e Kosovës.
Në fjalën e saj, Gërvalla tha se me funksionalizimin e Gjykatës Administrative po vihet në funksion një mekanizëm i ri i shtetit ligjor, duke e cilësuar ditën e sotme si një prej hapave të rëndësishëm në shërbim të një reforme të denjë, të thellë dhe të fuqishme në sektorin e drejtësisë.
“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do të kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike”, u shpreh Gërvalla.
Ajo nënvizoi se administrata publike prek jetën e qytetarit çdo ditë përmes vendimeve, procedurave, lejeve, të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive, andaj çdo vendim administrativ duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe i kontrollueshëm.
Tutje, ministrja theksoi se Gjykata Administrative po fillon punën me një barrë të madhe, me mbi 10 mijë lëndë të bartura, e cila përbën sfidë serioze, por njëkohësisht edhe një mundësi për të dëshmuar se një gjykatë e specializuar mund të sjellë më shumë rend, shpejtësi dhe cilësi në drejtësinë administrative.
“Vendimet tuaja nuk do të zgjidhin vetëm konteste individuale. Ato do të krijojnë standarde për administratën publike. Një vendim i mirë i kësaj Gjykate nuk mbetet vetëm në dosjen e një pale. Por, ai duhet të shërbejë si orientim për zyrtarët publikë dhe si garanci për qytetarët”, deklaroi Gërvalla drejtuar gjyqtarëve të pranishëm.
Teksa përgëzoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës për hapat e ndërmarrë në rekrutimin dhe transferimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, Ministrja Gërvalla theksoi se nga sot, fokusi kalon tek rezultatet.
“Sot e kemi ligjin. E kemi gjykatën. Kemi gjyqtarët. Dhe kemi pritjen e qytetarëve. Ajo që duhet të ndërtohet nga sot është besimi në këtë Gjykatë. Besimi nuk krijohet me ceremoni. Besimi krijohet me vendime të drejta. Me procedura të shpejta. Me praktikë të unifikuar. Me profesionalizëm dhe integritet”, nënvizoi Ministrja Gërvalla.
Duke uruar që në takimin e radhës të flitet për sukseset e Gjykatës së re Administrative, Ministrja Gërvalla u zotua se Ministria e Drejtësisë do të jetë gjithmonë pranë për ta mbështetur gjyqësorin në këtë proces, bashkë me pritjen që kjo Gjykatë të prodhojë rezultate konkrete. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.