Vendosen tabelat e rrugëve me emrat “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën e Veriut, qytetarët me reagime të ndryshme
Tabela me emërtimet “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq”, të vendosura në rrethrrotullimin në hyrje të Mitrovicës së Veriut, kanë nxitur reagime të ndryshme ndër qytetarë.
Vendosja e tyre u bë të mërkurën nga ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, së bashku me kandidatin për deputet, Valon Peci.
Qytetarët dhanë qëndrime të ndryshme për KosovaPress lidhur me këtë veprim, duke komentuar si kohën e realizimit, ashtu edhe përzgjedhjen e emrave të vendosur në hyrje të qytetit.
Kadrush Peci u shpreh se vendosja e tabelave është dashur të bëhej më herët dhe se situata në atë zonë ka qenë e pazgjidhur për një kohë të gjatë.
“Nuk është në kohë fushate. Ajo është dashur me qenë edhe përpara, më herët e jo tash, por serbët atëherë e kanë uzurpuar atë vend atje. Tash është çliruar, kështu që mundemi jo vetëm me tabelat, por edhe njerëzit shkojnë atje, pinë kafe e rrinë”, tha ai.
Një qytetar që nuk pranoi të identifikohej e vlerësoi veprimin si normal.
“Po, gjë normale. Kosova tash është e lirë. Parullat e huaja çka na vyejnë neve, flamujt e huaj. Ai është akt terrorist dhe kundër atij kryetari duhet me marrë masa. Policia e ka sigurinë aty, ajo nuk largohet më. Kaq”, tha ai.
Beqir Ferati kërkoi largimin e tabelave me emra të dyfishtë, duke thënë se në të njëjtin vend nuk mund të qëndrojnë “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq”.
“Këtë duhet menjëherë me shku me i largu se nuk bën. Nuk rrinë në një vend Isa Boletini dhe Zoran Gjingjiq. Unë nuk e di a në kohë të fushatës, por nuk është as fushatë kjo. Nuk mundet me u krahasu Isa Boletini me Zoran Gjingjiq. Ne e dimë kush ka qenë Isa Boletini e kush Zoran Gjingjiq. Kjo është tragjedi për neve. Unë dal atje me pa, nuk jam qitash, po e marr vesh veç që është e vërtetë. Marre në qiell është për neve”, tha Ferati.
Vendosja e dy emrave në të njëjtin vend është kritikuar edhe nga Bedri Sadiku, i cili u shpreh se Zoran Gjingjiq nuk ka duhet të jetë këtu hiç.
“Më së pari, Zoran Gjingjiq nuk duhet me qenë këtu hiç, edhe pse shumë njerëz të LDK-së dhe PDK-së e kanë përkrahur atë… Emri i tij nuk na vyen neve kurgjë hiç. Ama më së paku është ai që na vyen këtu se ne jemi mësuar me budallaki, kishe di diçka edhe na sakatojnë. E një emër i një rruge duhet me pas një emër e jo dy emra. Bile shumë raste duhet me i pas siç kanë qenë ‘Dardania’, ‘Iliria’, emrat e vjetër e emrin e Hasanit e Hysenit, ato janë kalimtarë, vjen gjenerata tjetër edhe e largon. Kështu, nëse është një emër i vendosur, atëherë me lënë gjithë atë emër. Atë që e ka qit aty dy emra afër-afër është dashur me e marrë në pyetje dje e me i dënue tamam qysh duhet se nuk ka të drejtë armiqtë me i bë miq, sikurse Bora edhe Ramizi atëherë që i kanë bërë. Nuk kanë qenë asnjëri miq, por i kanë bërë. Aq flliqësirë është ka sjellë dikush”, tha Sadiku.
Ky zhvillim vjen pas ndryshimeve të mëhershme të emërtimeve të rrugëve në veri të vendit, të cilat ishin miratuar nga udhëheqja e atëhershme komunale, por më pas u shfuqizuan në janar të këtij viti nga pushteti aktual në Komunën e Mitrovicës së Veriut.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.