Zgjedhjet lokale 2015

Fushata elektorale drejt përfundimit

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore mbyllet të premten në mbrëmje në të gjithë Shqipërinë, për t’i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 21 qershor.
Forcat politike që konkurojnë në garën elektorale të këtij viti përgjatë 30 ditëve të fushatës, gjatë takimeve me zgjedhësit, shpalosën programet dhe alternativat e tyre për qeverisjen vendore gjatë katër viteve në vazhdim.
Dy forcat kryesore politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pritet të finalizojnë pasditen e të premtes mbylljen zyrtare të fushatës me mitingje respektive.
Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin të shtunën heshtjes zgjedhore.
“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.
Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 62 subjekte zgjedhorë, 57 prej të cileve te grupuar në dy koalicione, një i spektrit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, që përfshin 37 parti, dhe një i spektrit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, që grupon 15 parti.
Për kryetarët e rinj të 61 bashkive janë thirrur të votojnë 3.382.295 zgjedhës, mbi 143 mijë prej tyre, votues për herë të parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button