Kronika

Gaxhai: Lidhja me politikanët dhe kush na armatosi në ’97-ën

Gazmend Braka, i njohur me emrin “Gaxhai”, vazhdon rrëfimin e tij për gazetën “Shekulli”. Pas pjesës së parë ku foli për familjen, fëmijët dhe marrëdhëniet me shokët e burgut, ne kërkojmë të mësojmë prej tij të vërtetën e bëmave me të cilat u bë i njohur gjatë vitit 1997 dhe më pas u ndëshkua nga drejtësia.

Për këtë pjesë e ka tepër të vështirë të flasë me shumë detaje. E pyesim për të kaluarën, për shkaqet që e shtyn të krijoj një organizatë kriminale, përplasjet me grupet rivale të të njëjtit qytet, si dhe për faktin se si ndihet pas më shumë se 18 viteve nga e gjithë ajo histori që për fat të ke mori jetën e shumë personave mes tyre edhe të pafajshëm. Teksa është mësuar me kushtet e burgut dhe fatin e tij, Gazmend Braka del me një përfundim.

Gazmend të gjithë të njohin si të “fortin” e Vlorës dhe person i rrezikshëm. Si ndihesh aktualisht? (qesh)

Në ato kohë është e vërtetë që ashtu na njihnin. Por duhet të kuptojmë një gjë. Të fortët dhe të rrezikshmit janë jashtë.

Po Ju?

Ah ne! Ne, që ndodhemi sot duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, them me plotë bindje se jemi viktima.

Viktima të kujt?

Nuk do shumë për tu kuptuar. Ne jemi viktima të politikës së mbrapshtë të vitit 1997. Tani kur e mendoj dhe analizoj nxjerr këtë rezultat.

A ka Gaxhai një peng?

Nuk mendoj se kam ndonjë peng të veçantë. Ajo që mund të quhet peng për mua sot janë ata, qeveritarët, duke filluar që nga viti 1997 e në vazhdim. Ata e bënë “luftën”, ata na armatosën, ata na vranë me njëri–tjetrin.

Kur thua ata, ke ndërmend një emër të veçantë?

Nuk ia vlen të flasësh me emra sot. Nuk kam asnjë. Por politika na armatosi dhe ne tashmë gjendemi këtu.

Çfarë kërkon prej politikës?

Nuk dua ndonjë gjë të parealizueshme. Por, ata që na armatosën ata duhet edhe të mendojnë për ne. Deri tani asnjë prej politikanëve nuk është kujtuar të bëjë një ligj për vitin 1997. Na bënë kriminel me zor. U vramë me njëri-tjetrin pa ditur se çfarë po bënim. Kur s’ka shtet normal që do vritesh.

Ndiheni të përdorur nga politikanët?

Bëj përgjegjës gjithë qeveritarët për këtë problem. Ne jemi dënuar për krimet që kemi kryer. Por kjo s’do të thotë se duhet të qëndrojmë përjetë në qeli. Pushtetarët duhet të bëjnë një ligj të veçantë për ’97. Ne ishim të vegjël, na kapi ajo valë. Armët nuk i kishim në banesa. Ato na i dha vet politika e cila lejoi ardhjen e atyre trazirave.

Zhgënjimi

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të bindur drejtësinë se veprimet e kryera në vitin 1997 nuk kanë qenë me paramendim dhe gjitha sipas Gaxhait nisi si lojë fëmijësh, ai tashmë ka humbur çdo shpresë. I drejtohet politikës, por nga ana tjetër është i bindur se asnjë prej qeverive nuk do të bëjë gjë. “Kam humbur shpresat se këta politikanë do të kujtohen për ne”, shprehet Gaxhai. Kjo ishte fjalia e fundit thënë prej tij. Më pas përshëndetemi dhe largohemi nga sektori “vip”, ku ai gjendet së bashku me Arben Grorin dhe Taulant Balliun.

Gaxhai: U vramë si puna e kaposhit, s’jemi killera

Gaxhai nuk e konsideron veten të fortë. Me fjalë të thjeshta kërkon të shpjegoi situatën ku u përfshi atë vit, pse dhe si u krijuan rivalitetet. Është dënuar për një sërë vrasjesh, por gjithsesi ai është i bindur se nuk është killer. Flet në numrin shumës kur kthen përgjigje. Teksa e pyet për shkaqet e përfshirjes në vorbullën e krimeve dhe ngritjen e grupeve kriminale, Gaxhai përgjigjet: “Ne nuk jemi killera. Nuk e fusim veten në kategorinë e personave që vritemi për lekë. Ne u vramë si puna e kaposhit. Ishim 20 vjeçar e nuk e mendonim mirë gjërat. Por asnjëherë nuk kemi ngritur armët për të fituar para. Vramë njëri-tjetrin dhe për këtë duam të na jepet një shans. Qeveria të bëjë një ligj për të gjitha ngjarjet e vitit 1997”. E sheh të largët ditën kur do të jetë i lirë. Por gjithsesi shpresat i ka të mëdha.

“Shpresat nuk i kam humbur asnjëherë”, shprehet Gaxhai. Kur flet për vitet e burgut nuk lë mënjanë as shokët bashkëvuajtës. Në të njëjtin institucion ku është akomoduar, ka edhe pjesëtarët e tjerë të grupit, ndonëse shprehet se nuk i takon shumë shpesh. “Edhe ne duam të jetojmë jetën si të tjerët, s’kemi pse mbahemi të izoluar. Nuk them se duhet të na falin, por të mendojnë diçka për ne. Të mos qëndrojmë përjetë brenda, por të bashkohemi me familjen dhe të vazhdojmë jetën”, shprehet Gaxhai, një prej personave që deri pak vite më parë njihej si personi më i rrezikshëm në qytetin bregdetar të Vlorës. Qëndrimi për një kohë të gjatë në qeli e ka bërë të reflektoj. Mendon se një ditë shansi do t’i jepet nga krerët e lartë të shtetit, cilado qoftë forcë politike në pushtet.

Nuk përmend emra politikanësh kur hap bisedën e nxjerrjes së një ligji të posaçëm vetëm për ngjarjet e vitit 1997, kur ashtu sikundër thotë, i gjithë vendi u përfshi nga flakët, vrasjet, grabitjet me armë dhe hakmarrja për njëri-tjetrin. Pjesën më të madhe të historisë së shkuar e pranon në heshtje. Ndërsa në të shumtën e rasteve pyetjeve i përgjigjet me tundje koke. Duket i heshtur por me pak fjalë të zbërthen gjithë mekanizmin e përdorur nga grupet kriminale për të eliminuar njëri-tjetrin. Kur thotë u vranë si puna e kaposhit, shpjegon se ka parasysh faktin se duke qenë të rinj, ata nuk e ulnin hundën dhe për të mbrojtur shokët më të afërt, hidheshin kundër rivalëve. Por ndërsa futeshin në kurthe të tilla, Gaxhai tregon se u gjendën në rrugë pa krye.

“Qenia në burg është edhe fat për mua”

Një pjesë e madhe e pjesëtarëve të grupeve kriminale që operuan në qytetin e Vlorës janë eliminuar. Shumica u vranë me njëri-tjetrin dhe disa pasi liroheshin nga burgu. Një prej tyre është edhe i njohuri me emrin Kakami. Sapo doli nga burgu në vitin 1998, ai u vra dhe u dogj në pyllin e sodës. Pas tij edhe shumë të tjerë të konsideruar si rival të Gaxhit dhe Myrteza Çaushit. I ndodhur përballë fakteve të jetuara, Gazmend Braka është i vetëdijshëm për realitetin.

E pyesim nëse ndihet me fat që është gjallë, kur shumë shokë të tij dhe rival tashmë janë nën dhe, përgjigjet shkurt: “Sigurisht që jam me fat. Nëse edhe unë do të isha jashtë dyerve të burgut do të isha vrarë. Burgosja në njëfarë mënyre më ka ndihmuar të jetoj jetën edhe pse i izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë”. I kam mësuar të gjitha vrasjet që u janë bërë si shokëve ashtu edhe atyre me të cilët unë jam përplasur. Por sot besoj se ato krime duhet të mos kujtohen si vrasje të kryera me paramendim, por të kuptohet nga të gjithë se gjithçka është bërë vetëm për shkak të mendjelehtësisë së moshës.

Dënimi, Gaxhai: Nuk do ta rikthej çështjen

Kohët e fundit është vënë re se shumë persona të dënuar me burgim të përjetshëm për kryerjen e krimeve të ndryshme edhe në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale, kanë depozituar në Gjykatën kushtetuese kërkesën për rikthimin e çështjeve. I pari që kërkon rigjykim është Marjan Rroku, akuzuar për dy vrasje. Pak kohë më parë kushtetueses iu drejtua edhe një prej personazheve të botës së krimit, i njohur me emrin Aldo Bare. Ky i fundit ndodhet në të njëjtin burg me Gaxhain, por sikundër na konfirmuan drejtuesit e institucionit nuk ka asnjë kontakt. Ne e pyetëm drejtpërdrejtë Gaxhain nëse do të kërkonte rihapjen e çështjes për të kërkuar pafajësi dhe përgjigja ishte e qartë. “Nuk shpresoj të rikthej çështjen. Jam i përgjegjshëm për atë çfarë ka ndodhur. Tashmë çështja ime është mbyllur dhe e ndjej se kam gabuar. E vetmja gjë që shpresoj është dhënia e një shansi nga qeveritarët, të cilët duhet të bëjnë një ligj të veçantë për vitin 1997”.

Si njihej banda e Gaxhait

E krijuar në mars të vitit 1997, banda e Gaxhait njihej si mbështetëse e Partisë Demokratike. Ajo ishte rivale me bandën e Çoles, drejtuar nga Zani Çaushi. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj tëp o atij viti, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Ky i fundit në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi. Por deri në përfundim, gjakrat e të rinjve ishin të ndezur dhe ata kërkonin me çdo kusht hakmarrjen. Si qendër grupi i ngritur nga Gaxhai e kishte me qendër në Cerkovinë.

Skeda e vendimeve nga krimet e rënda

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor në vitin 2009 pas pesë vitesh gjykim, dhe dënoi me burgim të përjetshëm Gazmend Brakën, i njohur si “Gaxhai”. Ndërsa me nga 25 vite burgim u dënuan Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiun. U deklaruan fajtorë, për tre vrasje të kryera në emër të “bandës”, pikërisht për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit dhe Zihni Harunit. U shpallën të pafajshëm për vrasjen e policit Vrion Rrapi.

Prokuroria i akuzonte për veprat penale të “vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Bashkim Dule, “krijimit të bandës së armatosur”, “kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, siç janë vrasjet me paramendim të Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Dhimitraq Mishkës, Zihni Harunit, Robert Myftarit, vrasje për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj, si dhe armëmbajtjes pa leje.

Shekulli

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button