Gazeta: organizatori i dyshuar i atentateve ka vdekur?
I dyshuari si koka e organizimit të terroristëve në Paris, Abaaoud, sipas gazetës “Washington Post” ka vdekur. Por zyrtarisht kjo nuk konfirmohet. Një grup terrorist ishte i gatshëm për një atentat të ri.
Gazeta e njohur e SHBA “Washington Post” i referohet në njoftimin e saj, se i dyshuari si kryeterrorist Abdelhamid Abaaoud ka vdekur, dy punonjësve evropianë të rangut të lartë të shërbimit të fshehtë. Hollësi të tjera “Washington Post” nuk bëri të ditur.
Deri tani prokuroria e Parisit nuk i ka konfirmuar këto të dhëna. Prokurori François Molins deklaroi, se islamisti belg Abaaoud nuk është arrestuar në aksionin antiterror në Saint-Denis. As i dyshuari si atentator Salah Abdeslam nuk ndodhet ndër të arrestuarit. Njëkohësisht Molins theksoi se të dyshuarit e vrarë në aksion ende nuk janë identifikuar.
Policia franceze kishte marrë të dhëna nga telefonata të përgjuara se Abaaoud-i mund të ndodhej në një banesë në Paris. Xhihadisti 28 vjeçar, i cili ka luftuar për Shtetin Islamik (IS) jetonte më parë në lagjen e preferuar nga islamistët në Bruksel, Molenbeek.
Pengohet me sa duket një atentat i ri
Me aksionin antiterror në Veri të Parisi me sa duket policia pengoi një atentat të ri. “Një grup i ri terroristësh u neutralizua dhe po të kemi parasysh armatimin, organizimi me strukturë dhe vendosmëria flet që kjo komandë mund të kalonte në vepra,” tha Molins. Tetë persona të dyshuar u arrestuan.
Terroristët e dyshuar ishin strehuar në një banesë në Saint-Denis. Forca të armatosura rëndë të policisë zhvilluan luftime disa orëshe me bashkëpunëtorët e mundshëm të atentatorëve të Parisit.
Një grua e hodhi veten në erë, kur policët rrëzuan derën e banesës. Një burrë tjetër u gjet i vdekur në banesën e shkatërruar, i goditur për vdekje nga të shtënat dhe granatat. Sipas hetuesve, kufoma deri tani nuk është identifikuar.
Aksioni antiterror u ndërmor pesë ditë pas atentateve të Parisit me 129 të vrarë. Sipas të dhënave të reja, atentatorët krijuan tri grupe me secili trieanëtarë. Njëra nga komandot do të sulmonte Stade de France, tjetra vrau 89 vetë në sallën e koncertit Bataclan, një e tretë hapi zjarr pa dallim kundër njerëzve në kafene dhe restorante.
Shtatë atentatorë u vranë në atentate, dy të tjerë besohet se ndodhen në arrati. Autorësinë e atentateve e mori përsipër Shteti Islamik. Qeveria franceze bëri të ditur se janë identifikuar të gjitha viktimat e atentateve.