Gazetari amerikan i librit “Armët dhe çunat” flet me emra për Gërdecin: Asgjë nuk fshihet dot përgjithmonë!
Në një intervistë për Dritare.net ai tha se nevojitet guxim për t’i bërë ballë kësaj historie por Shqipëria, si anëtare e NATO-s, si një vend që po përpiqet të jetë pjesë e Evropës, ka nevojë të krijojë rrugën e saj dhe të mos jetë frikacake nën hijen e Amerikës.
Asgjë nuk fshihet dot përgjithmonë. Mendoni se faktet do të dalin një ditë?
– Nevojitet guxim për t’i bërë ballë. Është e lehtë për mua si një gazetar në Amerikë që të jem i guximshëm, për t’i detyruar njerëzit të thonë të vërtetën, por e di gjithashtu se për një gazetar shqiptar është shumë më e vështirë. Nëse shikoni rastin e Kosta Trebickës dhe vdekjes së tij në rrethana shumë të dyshimta në një aksident me makinë, i cili nuk është hetuar siç duhet, kuptoni se çfarë ndodh nëse përpiqesh të thuash të vërtetën dhe t’i bësh ballë këtyre njerëzve.
Pra, mendoj se nevojitet pak diplomaci e vërtetë nga ana e qeverisë amerikane, për të folur jo vetëm për dëshirën e një qeverisjeje të hapur dhe të ndershme në Shqipëri, por për të bërë përgjegjës zyrtarët.
Nevojitet diçka më shumë nga vetë Edi Rama dhe njerëzit rreth tij. Shkoni pyesni pse nuk keni nxitur të hapet një hetim; çfarë ka ndryshuar; pse ajo që ndodhi në Gërdec nuk është më kuptimplotë; pse nuk kanë më rëndësi jetët e njerëzve; nuk ka më rëndësi Kosta Trebicka?
Po kush ishte i përfshirë?
– Kryeministri i Shqipërisë dhe ministri i Mbrojtjes. Kemi miliona dollarë të zhdukur nga çmontimi i një grumbull municionesh të tepërta, kemi 26 civilë të vrarë; keni një njeri, Kosta Trebickën, i cili i tregoi të vërtetën pushtetit, që e çoi të vërtetën tek New York Times dhe më pas në Pentagon, e në fund tek Departamenti i Drejtësisë në Amerikë dhe asnjëri prej tyre nuk donte t’ia dinte për të vërtetën.
Në fakt, kjo iu kthye për keq atij. Pra, ajo që dua të them është se struktura e korruptuar politike në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë amerikane në lejimin e atij korrupsioni, bënë që zyrtarët shqiptarë nuk mbajtën përgjegjësi dhe individë të caktuar dolën të fituar nga kjo skemë multimilionë dollarëshe.
A mund të më thoni diçka në lidhje me politikanët shqiptarë të përfshirë në Gërdec, që nuk i keni përfshirë në libër, pasi nuk kishin interes në Amerikë?
– Nuk është se nuk kishin interes, por ato ishin shumë specifike për Shqipërinë për t’u botuar, besoj se më kuptoni. Gjithsesi, pjesa më e madhe e këtij informacioni lidhej me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Vajza e tij studionte në një shkollë në Teksas, ku taksa vjetore ishte 40.000 dollarë, ndërkohë e gjithë paga e ministrit ishte 20.000 dollarë në vit. Pra, më thoni se si ishte e mundur?
Ministri i Mbrojtjes Mediu vinte gjithmonë në Shtetet e Bashkuara për Mëngjesin e Lutjeve, një lloj ceremonie ku republikanët konservatorë dhe disa demokratë mblidheshin për t’u lutur për të ardhmen në botë dhe Mediu hiqej si i krishterë.
Kur u takua një herë me ambasadorin Withers, ambasadori duke menduar se Mediu ishte i krishterë, i kërkoi atij të thoshte një lutje.
Të gjithë zyrtarët shqiptarë filluan të qeshnin sepse, në thelb, ata luanin lojën me politikanët amerikanë duke bërë nga këto gjëra për t’i kënaqur ata, por në fakt ky ishte mysliman.
Kjo tingëllon si një shaka, por duhet të kuptoni se Shqipëria ka një situatë shumë të dobët ligjore. Unë nuk e di nëse e vërteta do të dalë, por Shqipëria, si anëtare e NATO-s, si një vend që po përpiqet të jetë pjesë e Evropës, ka nevojë të krijojë rrugën e vet dhe të mos jetë frikacake nën hijen e Amerikës.
Unë shpresoj që shqiptarët të përpiqen t’i detyrojnë njerëzit të mbajnë fjalën e tyre dhe të mbështesin viktimat e Gërdecit.
Mos e prisni nga jashtë ndihmën. As Hollivudit nuk i bëhet vonë shumë për historinë e vërtetë, sinqerisht as New York Times-it nuk i bëhet vonë. Njerëzit që e duan vërtetë Shqipërinë dhe gazetarët si unë e ti janë ata që duhet të ushtrojnë më shumë presion që e vërteta të dalë.
Pee duhet nje gazetar amerikan te thote te verteten per nje ngjarje qe ndodhi ne Shqiperi?
New York Times ,Filmi nga Hollywood an mos edhe keto jane filma per tu injoruar nga drejtesia ?