Ekonomia

Gjiknuri: Sektori energjitik në një kthesë historike

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së, Adrian Çela inspektuan të martën, një prej investimeve që po kryhen për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes në kryeqytet.

Gjiknuri dhe Çela u ndalën në zonën e periferisë së Tiranës ku po ndërhyhet për ndërtimin e një fidri të ri dhe rrjetit që përfshin nënstacionin e Selitës, lagjet e Selitës, Kodrën e Diellit, zonën e Kopshtit Botanik, Kopshtin Zoologjik, Liqenin e Thatë dhe deri në Saukun e Vjetër. Pavarësisht shtimit të dukshëm të popullsisë së këtyre zonave në vitet e fundit, rrjeti energjitik ishte i njëjtë duke mos patur investime që në vitet 90’.

Investimi që po kryhet kap vlerën e 250 milionë lekë të reja dhe parashikon ndërtimin e fidrit të ri, shtrimin e 25 kilometër linjë të tensionit të mesëm 20 kV dhe tensionit të ulët ABC. Gjithashtu do të ndërtohen 14 kabina të reja, ndërsa rreth 30 të tjera do të transferohen nga tensioni 10 kV në atë 20 kv. Projekti parashikon edhe montimin e mbi 200 shtyllave që do të fuqizojnë rrjetin e shpërndarjes. Në këtë zonë llogariten rreth 4500 abonentë ose afro 20 mijë banorë, që përfitojnë një shërbim më cilësor me energji në sajë të këtij investimi.

“Me përfundimin e këtij investimi do të kemi përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të qytetarëve. Pra, nuk do të ndjehen më ato ndërprerjet që kanë patur gjatë periudhës së dimrit. Nga ana tjetër, do të reduktohen edhe humbjet e kompanisë të cilat ishin rreth 40%. Pas përfundimit të investimit, pra që nga muaji maj, ne llogarisim që humbjet në këtë zonë të zbresin në 25%. Kjo është përgjigja më e mirë që ne po i japim gatishmërisë që qytetarët po tregojnë për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Pra, pagesave të qytetarëve ne u përgjigjemi me investime, me një përmirësim të kujdesit ndaj klientit dhe me investime në teknologji”, u shpreh z.Çela.

Ndërkaq, ministri Gjiknuri u ndal tek rëndësia e këtyre investimeve në kuadër të përmirësimit të furnizimit me energji, reduktimit të humbjeve por edhe përmirësimit të të gjithë sektorit në tërësi.

“Sektori energjitik ka hyrë në një kthesë të rëndësishme historike. Mjafton t’u them një fakt domethënës për Tiranën. Humbjet ishin në 39% ndërsa vitin e fundit ato u mbyllën në 24%. Vitin që jemi presim të kemi një reduktim akoma më të thellë për të gjithë Tiranën. Të gjitha këto investime por edhe masat e ndërmarra kanë bërë të mundur që humbjet të reduktohen në mënyrë radikale, duke arritur një rekord historik në vitin 2015 prej 31.1% në shkallë vendi. Synojmë që këtë vit ta çojmë nën 30% nivelin e humbjeve dhe të kapim ato kuota që janë pjesë e projektit të rimëkëmbjes së sektorit energjitik, pra rreth 27% humbje në shkallë vendi”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri tha se sektori energjitik sot është sektori që ka zhvillimet më rrënjësore si nga pikëpamja e institucionalizimit të tregut, nga pikëpamja e transformimit të kompanive dhe nga pikëpamja e investimeve. “Sektori po bëhet lider në të gjithë komponentët, prodhim, transmetim, shpërndarje dhe investime private. Është sektori lider i investimeve, qoftë publike apo private në Shqipëri dhe synojmë që me këto reforma të vazhdojmë ta mbajmë të tillë”, insistoi Gjiknuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button