Gjykata lë në fuqi masën arrest shtëpie për Saimir Tahirin
Ai kundërshtoi argumentimet në vendimin e zbardhur të gjyqtares Liliana Baku. “Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, mësohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë Prokurori Besim Hajdarmataj tha se janë dërguar letërporosi të reja, dy në Itali dhe një në Mal të Zi. “Na rezulton e provuar se është zhdoganuar një skaf i blere nga Orges Liperi. U ble 15 mijë euro. Na rezulton e provuar që Saimir Tahiri ka drekuar në Greqi me Artan Habilajt. Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj.
Prokurori Besim Hajdarmataj tha më tej se dyshohet se lekët që iu gjetën në makinë Orest Sotës, janë të ish ministrit Saimir Tahiri.
Ndërsa pikë tjetër kyçe është edhe Orges Liperi, pronari i skafit që mendohet të jetë përdorur për një kohë të gjatë nga Tahiri, kryesisht gjatë pushimeve.
Prokurori vijon më tej se në Durrës u paraqit Moisi Habilaj për skafin e prishur të Orges Lperit, dhe fillimisht ka pasur rezistencë nga policia kufitare e Durrësit, dhe më pas është lejuar. “U nis skafi për t’u riparuar dhe persona që ishin në skaf” dhe sipas Hajdarmatajt personat, që ishin mekanikë të policisë së Shtetit, dyshohet se rikthimi i tyre në Shqiperi është paguar nga Moisi Habilaj.
“I kemi dërguar Italisë dy letërporosi ku faturat e blerjeve të bizhuterive të blera të na vijnë me emër”, ka thënë Hajdarmataj. Më pas ai i ka thënë Tahirit se ka drekuar e darkuar me Artan Habilajn në Greqi. “Zonja gjyqtare do sjellim të dhëna më pas që vërtetojnë se ka ndërhyrje në sistemin TIMS jo vetëm në Vlorë por edhe në Durres e Sarandë, ku nuk pasqyrohen hyrje-daljet e Moisi Hablajt”, tha ai.