Glauk Konjufca i prerë me Serbinë, zbulon kushtet për dialog, akuzon Beogradin për lojë të rrezikshme dhe tregon…
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dalë dje me një qëndrim të fortë ndaj dialogut me Serbinë, duke vendosur kushte të qarta për rikthimin e çdo lloj mirëbesimi mes palëve. Ai theksoi se pa drejtësi për sulmin në Banjskë dhe pa ndryshim të qasjes së Beogradit, nuk mund të ketë asnjë avancim në proces. Në një konferencë për media pas takimit me homologun nga Belgjika, Konjufca akuzoi Serbinë për sjellje të qëllimshme destruktive, duke theksuar se gjithçka që ka ndodhur pas Marrëveshjes së Brukselit ka qenë në funksion të minimit të dialogut. Konjufca shkoi edhe më tej, duke e lidhur Beogradin me veprime destabilizuese në Kosovë, përfshirë sulme dhe tentativa për krijimin e kaosit. Ai përmendi gjithashtu se personat përgjegjës për sulmin në Banjskë jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por vazhdojnë të kenë rol dhe ndikim në Serbi.
Loja e Vuçiçit
Konjufca u shpreh se Vuçiç, i dha goditjen më të madhe marrëveshjes menjëherë pas kthimit në Serbi, duke minuar progresin e arritur. “Mund t’i keni parasysh klauzolat e marrëveshjes, më të rëndësishmet, prej pranimit të gjithçkaje që prodhon Kosova në kuptimin e jurisdiksionit të saj: dokumenteve, simboleve, pasaportave dhe elementeve kryesore të shtetësisë: Serbia i pranon, domethënë do të duhej t’i pranojë sipas kësaj marrëveshjeje. Por ju e keni parë lojën e Vuçiçit. Në momentin që u kthye në Serbi, ia dha goditjen më të madhe kësaj marrëveshjeje. Dhe pas asaj goditjeje që ka ndodhë, i keni parë të gjitha, edhe organizimin e sulmit terrorist të Ibër-Lepencit për shkatërrimin e kanalit të ujit dhe për krijimin e kaosit në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.
Dëshmitë
Ministri theksoi se ekzistojnë dëshmi konkrete që lidhin Serbinë me sulmet në Kosovë. Ai përmendi dëshmitë e vëllezërve Viqentijeviç, të cilët sipas tij kanë pranuar në proces gjyqësor se janë trajnuar në struktura shtetërore serbe. Sipas Konjufcës, këto deklarime tregojnë qartë rolin e Serbisë në organizimin e sulmeve, përfshirë edhe atë në Banjskë. “Po ashtu, ju kisha lutur të jeni më të vëmendshëm edhe të bëni analiza më të thella edhe ndaj dëshmisë që e kanë dhënë vëllezërit Viqentijeviç në procesin gjyqësor për Ibër-Lepencin. Ata e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të ushtrisë që mbahen atje, prej nga ka hyrë edhe grupi i sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Këta të dy e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë për këtë sulm”, tha Konjufca.
Dialogu Kosovë-Serbi, i vështirë
Duke iu referuar situatës aktuale, Konjufca theksoi se dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një gjendje shumë të vështirë. Ai u shpreh se rikthimi i një minimumi mirëbesimi është i pamundur pa drejtësi për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. “Dialogu sot ndodhet në një gjendje goxha të vështirë. “Kryesit e akti terrorist në Banjskë, të cilët vranë Afrim Bunjakun, duhet të përfundojnë në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe krahu i djathtë e Vuçiçit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”, u shpreh ai.
Konjufca: Letra e Brnabiç, katastrofike
Në fund, Konjufca kritikoi ashpër edhe letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, drejtuar vendeve anëtare të Bashkimi Evropian, ku Serbia shpreh mosnjohjen e integritetit territorial të Kosovës. “Letra e zonjës Bërnabiç, e cila ishte katastrofike për mirëbesimin. Ju shkroi 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me njoh integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati si një shpallje lufte. Është i të njëjtit nivel. Domethënë, nuk të pranon që ekziston si integritet territorial. Këto janë adresuar vazhdimisht me Bashkimin Evropian. Pa u zgjidhur këto, nuk mund të ketë le të themi hapa të mëtutjeshëm”, përfundoi ai.
The post Glauk Konjufca i prerë me Serbinë, zbulon kushtet për dialog, akuzon Beogradin për lojë të rrezikshme dhe tregon… appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.