Greva në arsim po vazhdon në ditën e katërt
Greva në arsim po vazhdon në mbi 80 për qind të shkollave në Maqedoni. Mediat proqeveritare raportojnë për dështim. Greva e arsimit që ka përfshirë edhe pjesën më të madhe të shkollave në Maqedoni vazhdon me intensitet të njëjtë ashtu sikur ditëve të kaluara.
Gjatë orëve të pasdites së djeshme, koordinatorët sindikalist të rajonit Strugë, Dibër, Kërçovë etj, kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku janë informuar në mënyrë të ndërsjellët lidhur me mbarëvajtjen e grevës së punëtorëve të arsimit dhe janë diskutuar diskutua alternativat e zhvillimeve të mundshme në këtë fundjave dhe fillimin e javës që vjen.
Sipas sindikalistit Rexhep Leshko, në këtë takim janë njoftuar edhe për përpjekjet për tejkalimin e situatës së krijuar në arsim.
“Në këtë takim jemi informuar për zhvillimet në rajonin tonë të grevës së punëtorëve të arsimit në harmoni me ligjet në fuqi të të
drejtave për grevë dhe zhvillimit të sajë. Po ashtu, është arritur një pajtueshmëri, e cila ka ekzistuar në vazhdimësi- që vendimet që do të sillen në Kryesinë e sindikatës së punëtorëve të arsimit do të respektohen. Jemi në pritje të ndonjë takimi në nivel qëndror me autoritetet, për të dalë nga kjo krizë, nga ky kolaps i arsimit, sepse përkundër faktit që sipas informacioneve greva në disa komuna zhvillohet pjesërisht, ajo ka shkaktuar një kaos në arsim. Personalisht jam i prirur të besoj se do të gjendet një zgjidhje përmes një dialogu kuptimplotë pa imponime dhe kushtëzime të autoriteteve shtetërore, në përmbushjen e kërkesave të sindikatat të punëtorëve të arsimit, kërkesa që janë të arsyeshme”, theksoi prof. Rexhep Leshko.
Për sa i përket ditëve dhe orëve të humbura gjatë grevës, akoma nuk ka ndonjë paralajmërim për zgjidhje. Premtimet ose kërcënimet e Ministrisë së arsimit se të gjithë arsimtarët grevist do të zëvendësohen me arsimtar të tjerë, së paku në Komunën e Strugës nuk ka dhënë rezultate dhe nxënësit gjatë këtyre ditëve nuk vijojnë procesin shkollor.