Kronika

Gurores së Rrajave i vendoset shiriti

Gurores në pronësi të Xhelal Rrajës në Borizanë të Krujës iu vendos dje shiriti. Bllokimi i gurores u bë 2 ditë pas ngjarjes së rëndë ku anëtarë të fisit Rraja së bashku me të birin e deputetit të dorëhequr të PS-së, Rrahman Rraja, dhunuan kushërinjtë Maja.

Ditën e sotme policia e Krujës ka bërë njoftimin zyrtar:

“Bllokohet aktiviteti në subjektin gurore “Delia Group”

Bllokimi pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me AKBN dhe AKSEM.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ushtruan kontroll ne subjektin gurore “Delia Group”, me administrator shtetasin V. D., me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.

Pas këqyrjes së sipërfaqes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM.

Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.

Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

Aktet procedurale të përpiluara do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet
Kryetari i degës që banori thotë se i ka kërcënuar me burg është ish shefi i komisariati të Krujës Elton Shahini, për të cilin Report TV mësoi se ishte larguar nga detyra vëtëm pak kohë më parë. Burime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thanë se jo vetëm për rastin e sulmit barbar ndaj kushërinjve Maja, por për çfarë ndodh në Krujë, është ngritur një grup special hetimor. Do hetohet për kallëzime jo vetëm të fshatarëve të Borizanës, në lidhje me guroren që po u shëmb shtëpitë, por edhe të personave të tjerë, nga zyrtarë të lartë, pushtetarë vendorë, drejtues institucionesh, juristë, policë, shumë prej tyre të dorëhequr, si viktima të terrrorit, shantazhit dhe kërcenimeve.

Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button