Guvernatori, zbardhen negociatat. Presidenti nuk pranon emra nga Kryeministri
Presidenti Bujar Nishani nuk do presë kandidatura nga Kryeministri Rama për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, por do t’i paraqesë qeverisë dhe opozitës një listë me emra për të përzgjedhur kandidatin më të përshtatshëm
.
Dy ditë pasi kreu i ekzekutivit la të kuptohet se një kandidate që punon në sistemin financiar ndërkombëtar mund të propozohet për pasardhëse të Ardian Fullanit, burime në Presidencë i referohen Kushtetutës, sipas të cilës kompetencën për të propozuar Guvernatorin e ka pikërisht Presidenti.
Kjo javë pritet të jetë e rëndësishme lidhur me procesin e zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se Presidenti Nishani do të thërrasë në negociata përfaqësues të Parlamentit, Qeverisë dhe Opozitës për të tentuar konsensusin më të gjerë të mundshëm në zgjedhjen e emrit të ri.
Këto burime theksojnë gjithashtu se kreu i shtetit ka përzgjedhur një listë me emra “që plotësojnë kriteret ligjore dhe standardet më të mira”, dhe që do t’ia paraqesë përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës. Nëse negociatat do të kenë sukses, Banka e Shqipërisë mund të njohë shumë shpejt drejtuesin e ri për shtatë vitet e ardhshme.
Në të kundërt, kreu i shtetit do t’i referohet pikërisht nenit 161, pika 2 të ligjit themeltar në të cilin thuhet se “Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje”.
Pak ditë më parë, kreu i shtetit konfirmoi se pas hapjes së procesit për përzgjedhjen e kandidatit për Guvernator në Presidencë kanë mbërritur CV-të e 42 kandidatëve ku vetëm pak prej tyre plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj. Ai tha se do të kërkojë që zgjedhja e Guvernatorit të realizohet sa më shpejt, duke njoftuar se do të nisë konsultimet me faktorin politik. “Ka pasur 42 aplikime. Një pjesë e vogël e tyre plotësonte kriteret ligjore për Guvernator të Bankës.
Në këtë proces do të ftoj kreun e Parlamentit, Kryeministrin dhe kreun e opozitës. Jam i interesuar që Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë të zgjidhet sa më parë”, tha Presidenti. Ndërsa Kryeministri Rama deklaroi të premten në mbrëmje se qeveria do t’i propozojë Kuvendit për të votuar si përfaqësues të sajin në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës një grua me karrierë në sistemin financiar ndërkombëtar. “Presim të bëjmë një kontakt tjetër me Presidentin që të shikojmë se ku është procesi lidhur me kandidaturën për Guvernator.
Vetëm para pak ditësh komisioni përzgjedhës që kam caktuar për t’i këshilluar apo sugjeruar qeverisë kandidaturën e vet ka bërë përzgjedhjen e vet, dhe unë jam i lumtur nga përshkrimi që ka bërë komisioni, të një gruaje shqiptare që ka karrierë mbresëlënëse në sistemin financiar ndërkombëtar.
Ne do ta propozojmë për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës nga ana e qeverisë” u shpreh Rama.