Kronika

“Hajdutët e Energjisë”/ Tahiri: Aksioni, deri kur të pritet teli i fundit i paligjshmërisë

Saimir-Tahiri-gjate-nje-inspektimit-ne-zonen-e-Tiranes-se-Re-Operacioni-Hajdutet-e-Energjise-1
Tahiri gjate nje inspektimi

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka inspektuar sot punën e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe grupit të punës të ngritur nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHEE), në kuadër të operacionit “Hajdutët e Energjisë”, në zonën tek fusha e Aviacionit.

Gjatë inspektimit, Ministri Tahiri ka theksuar se ky operacion do të përfundojë vetëm atëherë kur të gjithë vjedhësit e energjisë elektrike të jenë proceduar. “Kur teli i fundi i paligjshmërisë të pritet, vetëm atëherë do të përfundojë aksioni “Hajdutët e Energjisë””, theksoi Tahiri në fjalën e tij.

Duke përshëndetur punën e Policisë së Shtetit në këtë aksion, Tahiri është shprehur se Policia e Shtetit është në këmbë për të ndaluar çdo formë të shkeljes së ligjit. “Siç e shihni ne kemi ngritur në këmbë Policinë e Shtetit, e cila ka në krye të punës së saj mbrojtjen e qytetarëve nga shkelësit e ligjit. Prandaj jo vetëm vjedhja e energjisë elektrike apo aksione të tjera si këto, por të gjitha format e shkeljes së ligjit janë në vëmendje të Policisë së Shtetit dhe punës së saj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”, theksoi Tahiri në një prononcim për mediat, gjatë inspektimit të aksionit të policisë “Hajdutët e Energjisë. Gjatë inspektimit të Ministrit Tahiri ishte i pranishëm edhe Arben Seferi, kreu i Operatorit të Energjisë Elektrike (OSSHEE).

Kujtojmë se në  27 ditët e operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, janë ushtruar rreth 30 mijë kontrolle dhe janë prerë mbi 16 mijë lidhje të paligjshme, vjedhje apo ndaj debitorëve. 423 persona janë arrestuar, ndër ta më shumë se 300 biznesmenë që e vidhnin energjinë.

Po ashtu Ministri Tahiri, shkëmbeu dy fjalë edhe me një  qytetar invalid:

Ministri Tahiri: Ti paguan energji elektrike edhe për ata që nuk e paguajnë. Nëse do të paguanin të gjithë, do të ishte çmimi më i lirë. Me ato para do të investoheshin më shumë. Janë para që kthehen te populli me investime. Në këtë mënyrë edhe pabarazi nuk ka, edhe t’i të jesh infomal dhe zotëria në krah të jetë formal nuk ka. Edhe të jetojmë me 2 standarte, që ti je rehat se nuk paguan e lë energjinë gjithë kohën takuar atje, ndërsa ky kursen edhe nga pensioni, edhe kjo nuk është e pranueshme. Edhe ne kemi më shumë mundësi t’i përgjigjemi qytetarëve, me investime, me shkolla me kopshte. Ti qan enegjinë sot, por nesër do mendosh për kopshtin e fëmijës, për shkollën, për punësimin.
Qytetari invalid: është e vonuar, tani ndihem i barabartë. Sepse ndihesha keq që unë sakat njeri i paguaja, dhe ai me vilë 3 katëshe nuk paguante.
-Rezultatet e operacionit “Hajdutët e Energjisë”, për ditën e djeshme:

Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar kontrollet e përbashkëta në të gjithë vendin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike si dhe për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike. Gjatë ditës së dielë, në të gjithë vendin kanë vepruar 66 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, në abonentët, biznese dhe familjarë, janë arrestuar 6 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë kryer kontrolle  të përbashkëta Polici – OSHEE në 903 raste, si dhe janë ndërprerë 602 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Kontrolli po vijon në bazë zone, duke kontrolluar fidrat dhe kabinat me radhë si dhe abonetët, biznese dhe familjarë, që furnizohen nga këto kabina me energji elektrike, ku gjatë ditës së sotme janë kontrolluar 168 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button