Tiranë 11°C · Pjesërisht vranët 30 April 2026
S&P 500 7,136 ▼0.04%
DOW 48,862 ▼0.57%
NASDAQ 24,673 ▲0.04%
NAFTA 109.16 ▲2.13%
ARI 4,573 ▲0.26%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1695 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 95.5477 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3827 EUR/TRY 52.7716 EUR/JPY 187.17 EUR/CAD 1.5989 EUR/USD 1.1695 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 95.5477 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3827 EUR/TRY 52.7716 EUR/JPY 187.17 EUR/CAD 1.5989
₿ CRYPTO
BTC $75,732 ▼ -1% ETH $2,245 ▼ -1.91% XRP $1.3716 ▼ -0.6% SOL $82.9500 ▼ -1.31%
S&P 500 7,136 ▼0.04 % DOW 48,862 ▼0.57 % NASDAQ 24,673 ▲0.04 % NAFTA 109.16 ▲2.13 % ARI 4,573 ▲0.26 % S&P 500 7,136 ▼0.04 % DOW 48,862 ▼0.57 % NASDAQ 24,673 ▲0.04 % NAFTA 109.16 ▲2.13 % ARI 4,573 ▲0.26 %
EUR/USD 1.1695 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 95.5477 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3827 EUR/TRY 52.7716 EUR/JPY 187.17 EUR/CAD 1.5989 EUR/USD 1.1695 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 95.5477 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3827 EUR/TRY 52.7716 EUR/JPY 187.17 EUR/CAD 1.5989
30 Apr 2026
Breaking
Opinion

Hajduti me çizme sulmon hajdutët me këpucë?!

Monolog

Nga PETRO DHIMITRI

Atë ditë që fituam më dukej vetja sikur po fluturoja nga gëzimi. Më dilte para syve fytyra e gjyshit Remzi, kur toga e pushkatimit e partizanëve që sapo kishin zbritur në Tiranë e pushkatuan te bregu i lumit. Nuk kishte mundur të nxirrte as edhe një fjalë nga goja që t’u tregonte se nuk e dinte pse po e vrisnin. Nuk kishte qenë as me Ballin, as me gjermanin. Kishte parë vetëm punën e vet. Mbante hapur dyqanin dhe delet që i duheshin për kosin që shiste. Kur i trokitën tre-katër partizanë te dera dhe i kërkuan para, ai i kishte parë me habi dhe u kishte thënë: “Keni gabuar derë. Unë jam hallexhi dhe mezi mbaj robtë me bukë.” Të pasnesërmen e asaj dite fatzezë erdhën dhe e arrestuan. Duhej të nxirrte florinjtë që nuk i kishte. Brenda javës, akoma pa zbardhur mirë, drejt e te bregu i lumit.

Më kujtohej edhe babai i shkretë që i morën delet dhe atë copë tokë që kishte dhe zavallit i mbeti kazma dhe lopata në dorë për të hapur rrugët e Tironës. Mua, edhe pse më i miri i klasës, nuk ma hapën derën e Universitetit. Isha armik i klasës me gjyshin e pushkatuar. “Ej, si erdhi koha, deh vërtet kjo dynja,” thoshte shpesh, rahmet pastë babai. “U bënë ata që nuk kishin as brekë të na rrjepin për së gjalli dhe të na pushkatojnë. Ata që marrin plumbin shpëtojnë, po ne që mbetëm po heqim të zitë e ullirit.” Po Zoti qenka i madh shumë. Ne që mbetëm erdhi koha të gëzojmë ditën e fitores. Erdhi ora fatlume t’i mundnim me votë vrasësit e kuq! Ta lumsha, o doktor Saliu, o kryetari ynë sy skifter! T’u shtoftë ymri për këtë popull të përvuajtur kaq shumë! Nuk po gjej dot fjalë me tregu dashninë që kisha për këtë njeri. Nuk mund të harroj si i shkonim në mitingjet ku ai fliste, si gërthisnim me sa fuqi kishim: “Rroftë Sali Berisha!”

Kështu kaluan ditë, javë, muaj dhe po mbaronte viti i dytë që ne kishim pushtetin. Shkoja çdo ditë te PD-ja e zemrës sime. Sa shikoja doktorin, sikur shplodhesha. Kur shikoja disa të tjerë, një mendim i zymtë ma pështjellonte trurin. X kishte blerë një veturë të shtrenjtë. Y po ndërtonte një vilë me tre kate. Një tjetër shkonte në Evropë dhe në Turqi si shkonim ne në Laprakë ose te Varri i Bamit. Kishin filluar me u trashur si shumë. Jepja e merrja me vete e thoja: Pse po i lë doktori me vjedh këta ushujza?! Nuk gjeja dot përgjigje. Gëzohesha që ai vetë ishte i pastër si kristali dhe trim si dragoi. Doktorin nuk doja të ma shante njeri se kisha për t’ju hedhur në fyt.

U mërzita shumë, ndenja edhe pa gjumë kur këlyshët e komunistëve filluan të shpifnin se gjoja ai kishte vjedhur. Nuk mund t’u besoja atyre derisa Sali Berisha përbetohej dhe thoshte se ka vetëm një apartament. Bëra fjalë edhe me Rremën. Më habiti kur tha: “Ku ka zë nuk është pa gjë.” Jo, jo – u gjegja – janë gënjeshtra të bijve të komunistëve. Ai tundi kokën dhe me zë të ulur m’u përgjigj: “Në këtë botë besoji vetëm vetes, po nuk e pate ngjy dorën.” Ai nuk flet kot. I bie lapsit mirë, se është ekonomist i njohur. Megjithatë nuk mund ta besoja. As nuk doja të prishesha me shokun dhe mikun tim më të ngushtë.

Një ditë, te kafja e Dalipit, te tavolina në qoshe ku nuk na dëgjonte dot njeri, më tha avash-avash: “A e di ti, Ceno, që vajza e Saliut është juriste dhe pedagoge në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës? Meqë e di, po të shpjegoj një gjë që të mbetet midis nesh. Ajo ka hapur edhe një zyrë noteriale apo avokatore, quaje si të duash ti. Ajo u kërkon biznesmenëve 250 euro për një konsultë njëorëshe. Te ajo shkojnë ata që duan të marrin licencë për një investim. I paraqesin dokumentet dhe si private që është Argita, nxjerr nga Kryeministria licencën. Për këtë shërbim haku i saj është sa 3 përqindshi i tërë investimit. E kupton, vëlla, se çfarë loje e madhe është në këtë mes?! Në vend që këtë punë ta bëjnë pa para zyrat e shtetit, e bën vajza e Kryeministrit që të pasurohet sa më shumë. Për këtë flasin komunistët që ne duam t’i shikojmë të pjekur në hell.” E besova Rremën si veten, po se ç’bënte vajza e tij është puna e saj. Sala për mua mbetej i pastër. Nuk mund ta besoja se idhulli im dhe i të gjithë të përndjekurve është duke shkelur besimin tonë.

Një ditë tjetër, kur televizionet dhe media buçisnin për shpërthimin e punishtes së demontimit të armëve në Gërdec, ku u vranë 26 vetë dhe u plagosën, thonë, qindra, Rrema më kallëzoi mirë si ishte ngjarja: “O Ceno, shpërthimi ishte fatkeqësi. Kudo në botë ato ndodhin. Për atë nuk ka përgjegjësi Sali Berisha. Kanë ata që morën në dorëzim punishten, kur parametrat nuk ishin ato që kërkon demontimi i armatimeve. Po doktori nuk është pa gisht në këtë histori. Kërkesa për me ngrit atë punishte nuk u miratua në mbledhjen e qeverisë. Kundërshtuan shumë, dy vetë. Doktori u tërhoq. Pas një apo dy muajve, nuk e di saktë, ai ia kaloi për zbatim atë projekt shegertit të tij, Fatmir Mediut, që e ka vënë Ministër të Mbrojtjes. Pse Kryeministri do të jepte për t’u ndërtuar një punishte, kur qeveria e rrëzoi atë projekt, pa pasur interes të madh?! Nuk thonë kot se në atë muhabet ishte ngatërruar djali i tij, Zeni.”

Nuk më erdhi hiç mirë. M’u zu kafja në grykë. Nuk e di as vetë kur, po më vonë nuk po thosha më me vete: “Sali, ti je bota, Sali, ti je shpresa jonë.” Për ta dashur nuk ma hiqte dot kush nga zemra. Edhe kur nga Washingtoni erdhi lajmi bombë që e shpallën doktorin me familjen e tij non grata, domethënë je hajdut dhe nuk të pranojmë kurrë të vësh këmbët në Amerikë, thashë me vete se kjo është punë e poshtër e të gjatit dhe Sorosit. Nuk e di që Berisha të jetë aq hajdut sa të tremben kaq shumë amerikanët. Vetëm për një gjë m’u duk se kishin të drejtë ata: kur thoshin se doktori e kishte kapur drejtësinë prej gryke. Këtë akuzë nuk kisha si ta kundërshtoja. E dija mirë se prokurorët dhe gjyqtarët pshurreshin nga frika e tij. Ishte i pari i drejtësisë. I priste shpata sa majtas djathtas. Kryeprokuroren e ndershme pa pikë zori e pushoi dhe e quajti lavire kur ajo po bënte detyrën e saj.

Përsëri Rrema, ashtu javash-javash, më tha një ditë se paskëshim qenë gabuar që i besuam atij. Nuk e kundërshtova, edhe pse nuk isha i një mendjeje me Rremën. Dyshimin e parë të madh për idhullin tim, Sali Ram Berisha, e pata kur ai pagoi për avokatin në Londër 450,000 euro, dollarë apo paund për t’i hequr njollën e zezë non grata. Si u dha pa pikë dhimjeje tërë ajo para për një proces që dihej se nuk mund të fitohej kurrë?! Thashë me vete se kushedi sa para të tjera do të kenë ata, të ndershmit e mi. Kur shkrepi bubullima dhe mësuam që për t’ia hequr po atë njollë edhe në Amerikë, duke paguar gjashtë milionë dollarë, i thashë vetes: Sa gabim paskam qenë që një hajdut me çizme e kam pasur kaq vite si shenjt. Ti paske pasur gjashtë milionë dollarë kur na gënjeje se ke vetëm një apartament?! Kushedi dhe sa të tjera do të kesh, po nuk i kallxon?!

Nga ajo ditë nuk e shikoj dot me sy dhe as nuk dua t’i dëgjoj emrin. Nuk kam çfarë të bëj kur televizionet na e nxjerrin çdo ditë. U habita një herë kur doktori po sulmonte për vjedhje disa ministra të të gjatit. Kësaj i thonë që hajduti me çizme të vjellë vrer për hajdutët me këpucë?! Si ka fytyrë dhe akuzon për vjedhje të tjerët, kur vetë i tëri bashkë me familjen janë koka e vjedhjes në Shqipëri. Po ai nuk ka fytyrë. Këtë ma ka pas thënë edhe Rrema.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.