Politika

Halimi: Harta dhe tri ligjet e kthyera, në Kushtetuese

PS, Braçe: Nishani po i shërben guvernatorit dhe PD-së

halim-edPas kthimit për rishqyrtim të tri ligjeve të shumicës qeverisëse, nga ana e Presidentit të Republikës, demokratët paralajmërojnë betejën e radhës me mazhorancën në Kushtetuese lidhur me tri ligjet që socialistët i cilësojnë si kyçe për nisjen e një sërë reformash. Bëhet fjalë për ligjin për Gjykatën Administrative, KLD-së dhe ai për Policinë e Shtetit, për të cilat, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një prononcim për mediat, tha dje se tashmë është ngritur grupi i juristëve pranë Partisë Demokratike, por pritet hyrja në fuqi e këtyre ligjeve. Deputeti demokrat bëri me dije se partia më e madhe e opozitës do të ndjekë çdo hap, në mënyrë që ato të mos zbatohen asnjë ditë, pasi, sipas tij, janë në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë. “Për çështjet e ligjeve të miratuara, të cilat gjithë ekspertët ndërkombëtarë i kanë kundërshtuar dhe aktorët e drejtësisë në vend i kanë konsideruar si të pakonsultuara në kundërshtim me parimet kushtetuese, në momentin që ato do të kenë efekte ligjore, do të ndiqet çdo rrugë kushtetuese për të pamundësuar kapjen politike të pushtetit gjyqësor”, u shpreh Halimi. Duke vijuar më tej, ish-ministri i drejtësisë theksoi se të njëjtin fat do të kenë edhe marrëveshja e qeverisë me CEZ-in, si dhe reforma territoriale, pasi, siç tha ai, ka një arsye pse shumica nxitoi të bëjë ligjet natën dhe t’i miratojë pa opozitën ditën. “Demaskohet qartë qëllimi i Kryeministrit, nxituan t’i bëjnë natën ligjet dhe sigurisht tani kanë ikur me pushime të gjithë, pse nuk pritën, pasi vjen ekspertiza”, theksoi Halimi. Por kthimi i tri ligjeve dy ditë më parë nga Presidenti Bujar Nishani, për deputetin socialist Erjon Braçe është thjesht një zbatim i urdhrit të PD-së nga ana e Nishanit si një tentativë për të larguar vëmendjen nga skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Në një postim të tij në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Braçe theksoi dje, se mazhoranca nuk do të heqë dorë nga reformat e saj, pavarësisht vonesave që po shkakton Nishani gjatë këtyre ditëve. “Ka kthyer Presidenti tri ligje?! E kisha paralajmëruar; e ka qoftë të drejtë me ligj, qoftë me urdhër të partisë që ka në zyrë! Nga kjo pikëpamje, nuk ka vend për t’u ankuar për të! Po i shërben Partisë dhe Guvernatorit të tij: Po largon vëmendjen nga supervjedhja në Bankën e Shqipërisë. Për pjesën tjetër, ne kemi marrë votat e shqiptarëve për të ndryshuar Shqipërinë, këtë duhet të bëjmë, të vijojmë me reformat! 84 votat aty janë, të mblidhet Kuvendi dhe të votojë! Sa më parë e duke mos e humbur kohën që vonon Presidenti!” – thekson Braçe. Në përfundim të komentit të tij, deputeti socialist theksoi se sa i përket pavarësisë së institucioneve që pretendon Presidenti, do të flitet më vonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button