Hapen 24 kutitë e votimit të qarkut Berat/ Nga 18 të shqyrtuara, 4 me problematika! Ja cilat janë ato?
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3275, KZAZ 65 rezulton se ka pasur një tentativë për votim të dyfishtë dhe mungon raporti i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3431, KZAZ 66 rezulton se raporti i i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik mungon, gjithashtu mungon në kuti vendim gjykate për zgjedhësit që kanë votuar.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3446, KZAZ 66 rezulton se nuk gjendet në kuti manuali zgjedhor, procesverbali nga QV për kalimin në proces të votimit manual.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3445, KZAZ 66 rezulton se mungon raporti i hapjes dhe i mbylljes së procesit së pajisjes së identifikimit elektronik.
KAS do të vendosë në fund të shqyrtimit të 24 qendrave të votimit që ka kërkuar LSI nëse do të shpallë pavlefshmëri në këtë qark apo jo dhe më pas do të vendosë nëse do të ketë rivotim apo rinumërim të votave për qarkun e Beratit.
Nga 24 kutitë një prej tyre ishte ngatërruar nga LSI duke sjellë një tjetër, ku sipas informacioneve do të bëhet ndërrimi për të.
Hapja e kutive po realizohet për të marrë në cilësinë e provës së materialeve zgjedhore procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik, regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet.
Në proces janë përfshirë: QV 3446, QV 3431, QV 3445, QV 3318, QV 3275, QV 3270, QV 3287, QV 3307, QV 3472, QV 3473, QV 3482, QV 3325, QV 3456, QV 3440, QV 3330, QV 3220, QV 3433, QV 3328, QV 3429/1, QV 3518, QV 351, QV 3501, QV 3416.
Të pranishëm në shqyrtim janë anëtarët e KAS, grupet e numërimit, gazetarët dhe operatorët.
Kujtojmë se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ pranoi vetëm 1 nga 2 ankimimet e LSI dhe e rrëzoi atë të PD-së për rezultatin që u prodhua në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun Berat.
Elvis Cefa relator i këtyre ankimimeve dha detajet e vendimmarrjes së KAS. Në kushtet kur e humbi mandatin për vetëm 77 vota, LSI i kërkoi KAS pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 24 qendra votimi qarku Berat e si pasojë përsëritjen e zgjedhjeve.
Ndërsa PD po për qarkun e Beratit kërkonte nga KAS, marrjen e provave shtesë nga SPAK, ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me këtë vendim dhe paralajmëroi ankimime të mëtejshme duke lënë të nënkuptohet se beteja ligjore e demokratëve do të zhvendoset në Kolegjin Zgjedhor.