Haradinaj për New Atlanticist: Shkëmbimi i territoreve na pamundëson anëtarësimin në BE
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për New Atlanticist ka deklaruar se plani i presidentit, Hashim Thaçi për shkëmbimin e territoreve është një ide e rrezikshme që minimizon aspiratat e Kosovës për antarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.
“ Formula e shkëmbimit të territoreve apo lëvizjes së kufijve nuk është një biletë për në BE por vetëm vonesë për antarësim aty”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai gjithashtu është shprehur se nuk beson se Rusia do të ndërhyjë në këtë çështje.
New Atlanticist shkruan se presidenti serb, Alekander Vuçiq dhe ai kosovar Hashim Thaçi janë duke bërë një plan që do të zvogëlojë tensionet etnike dhe do të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan.
Haradinaj ka thënë se dështimi i një marrëveshjeje për lëvizje të kufijve do të mundësonte një zgjidhje racionale.
“ Sapo ky debat për lëvizjen e kufijve ose korrigjimin siç e quajnë atë ndalon, atëherë mundemi të ulemi në tryezë për një zgjidhje racionale mes nesh”, ka shtuar ai.
Kryeministri kosovar gjithashtu ka thënë se ai preferon të jetojë në paqe dhe jo të kthente tragjeditë e së kaluarës, një gjë e cila sipas tij do të ndodhte me një marrëveshje sipas idesw së Thaçit.
Haradinaj ka deklaruar se edhe pse është kundër idesë së shkëmbimit, ai mbështetë përkushtimin e Kosovës në dialog dhe përpjekjet e Thaçit për të arritur një zgjidhje të mundshme.
Ai gjithashtu ka shtuar se frikësohet që ndryshimi i kufijve do të bëntë që nacionalistët në Evropë të bënin gjithashtu një kërkesë të tillë.
“ Hapja e kësaj çështje do të hapte të kaluarën”, ka deklaruar Haradinaj.