Kronika

Hetohen ish-krerët e ALUIZNI-t për ndërtimet te sheshi “Nënë Tereza”

Prokuroria: Katër zyrtarë nën hetim, legalizuan ndërtimet që u prishën nga INUK-u 

Nga Sokol Çobo

sheshi-nene-terezaNdërtimet një, dy apo shumëkatëshe që kanë pushtuar mbarë Shqipërinë, kanë “pushtuar” edhe qendrat e qyteteve, duke prishur urbanistikën, rrugët, trotuaret, madje edhe qendrat historike. Por, shteti ka pasur përgjegjësinë për këto ndërtime, të cilat janë lejuar nga policitë bashkiake apo inspektoratet ndërtimore, ndërsa më pas janë legalizuar apo hipotekuar, ku sërish shteti ka “mbyllur” sytë. Tashmë ka nisur një aksion mbarëkombëtar për këto ndërtime, ku problemet janë pikërisht ndërtimet e legalizuara apo të hipotekuara, që kanë prishur urbanistikën e qyteteve apo edhe sheshet historike. Një nga këto raste është pikërisht në Tiranë, madje në qendër të saj, ku u ngritën pranë Presidencës, Gardës së Republikës rreth tetë objekte, në një zonë publike. Është dashur vizita e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, që këto ndërtime të prisheshin dhe sheshi “Nënë Tereza” të marrë sërish frymë lirisht. Disa muaj pas këtyre prishjeve, kanë filluar edhe proceset penale apo gjyqësore, ku nga njëra anë pronarët ankohen për veprimet e INUK-ut, ndërsa nga ana tjetër, prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën sesi janë legalizuar këto ndërtime. Nga hetimet e deritanishme, prokuroria ka gjetur elementë të veprës penale ndaj katër ish-drejtuesve të ALUIZNI-t, kryesisht të degës së Tiranës, e cila ka pranuar pa asnjë hezitim vetëdeklarimin e pronarëve të këtyre objekteve, pa parë në terren se ku ndodheshin pikërisht këto objekte. Hetuesit e çështjes i kanë konsideruar këto praktika të ALUIZNI-t të Tiranës si të paligjshme, ndërsa për disa ish-drejtues të këtij institucioni kanë filluar hetimet për shpërdorim detyre.

“Bëhet fjalë për tetë ndërtime pranë sheshit ‘Nënë Tereza’, që janë shembur pak javë më parë. Nën hetim është marrë ish-drejtori Florjan Hajdinaj dhe shefi i legalizimeve, Artur Skela, si dhe dy personat që kanë miratuar procedurat e aplikimit për legalizimin e këtyre objekteve”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Nga dokumentet e sekuestruara nga hetuesit, mësohet se këto objekte janë legalizuar gjatë periudhës qershor-shtator 2013, në një kohë që Shqipëria ishte në tranzicion, pasi qeveria e vjetër dhe institucionet në varësi të saj vazhdonin detyrën, duke marrë një sërë vendimesh shumë të diskutuara. Ligji e përcaktonte shumë qartë se pranë institucioneve të rëndësishme kombëtare, Presidenca apo Garda e Republikës, nuk lejoheshin ndërtimet, por këta zyrtarë kanë legalizuar ndërtimet në fjalë, ku më tej pronarët e tyre kanë marrë edhe hipotekat. Tashmë, qeveria është e detyruar që t’i dëmshpërblejë këta pronarë, me vlerat e tregut, ku dhe çmimet për ndërtimet në këtë zonë janë shumë të majme. Sërish barra u kalon qytetarëve të thjeshtë, të cilët duhet të paguajnë edhe për këto abuzime.

Disa javë më parë, gazeta “Shqip” paralajmëroi një hetim edhe ndaj ish-krerëve të ALUIZNI-t, të cilët kanë abuzuar me detyrën, duke legalizuar apo moslegalizuar objekte në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Tiranës ka filluar një hetim, në bazë të shumë denoncimeve të qytetarëve apo edhe të Policisë së Shtetit, që ka hasur një mori shkeljesh në këtë agjenci. “Pas nisjes së procedimit penal, oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në zyrat e ALUIZNI-t, duke bërë sekuestrimin e praktikave për legalizimin e objekteve në Tiranë, por edhe urdhrat që kanë dhënë për vartësit në rrethe”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës është në fazën e mbledhjes së dokumentacionit dhe më pas do të veprohet me dëshmitarë, por gjatë kësaj kohe mund të ketë edhe të ndaluar apo të pandehur, duke qenë se disa persona mund të fshehin provat. Hetimet kanë nisur disa muaj më parë dhe ditët e fundit, thonë burimet nga akuza qendrore, janë sekuestruar 110 dosje te zyrat e ALUIZNI-t. Bëhet fjalë për shumë praktika që ka ndjekur kjo agjenci gati një vit më parë, duke legalizuar ndërtime pa leje apo në prona publike, madje edhe pa radhë. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se përgjegjës janë disa ish-drejtues të kësaj agjencie. “Kemi marrë nën hetim disa ish-zyrtarë. Dyshojmë se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e tyre”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.

ALUIZNI është një hallkë e rëndësishme e një ndërtimi pa leje, duke qenë se shumë nga ndërtuesit shkojnë te këto zyra para se të kalojnë në Hipotekë. Madje, kohët e fundit ka pasur diskutime për prishjen e ndërtimeve pa leje, ku pronarët kanë pretenduar se ndërtimi i tyre ka qenë në proces legalizimi tek ALUIZNI.

Periudha qershor-shtator 2013 rezulton të ketë qenë “parajsë” për të gjithë personat që kanë ndërtuar pa leje. Në një kohë rekord, ata kanë ndërtuar pa leje, në pronën e tyre apo publike dhe më pas janë drejtuar pikërisht te zyrat e ALUIZNI-t, duke kërkuar legalizim. Duke qenë se pushteti po ndryshonte, shumë pronarë kanë arritur ta legalizojnë objektin dhe të shpejtojnë për leje nga bashkitë, madje kanë aplikuar edhe në Hipotekë. Nën hetim për disa episode janë edhe disa zyrtarë të tjerë, lokalë apo edhe të inspektorateve ndërtimore, që kanë shkelur haptazi ligjet apo rregulloret.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button