Rajoni

Hija e frikshme e Erdoganit mbi Ballkan

“Që nga periudha kur Rexhep Taip Erdogan mori pushtetin në Turqi në vitin 2003, ky vend vazhdimisht thekson lidhjet kulturore dhe historike me komunitetet myslimane në Ballkan.

Duke vepruar në këtë mënyrë, historia e përbashkët e rajonit nën Perandorinë Osmane shfaqet në një dritë të re dhe të favorshme.

Qindra monumente nga e njëjta epokë u shpëtuan dhe shpesh janë restauruar me anë të investimeve të kushtueshme.

Turqia paraqet veten jo vetëm si një pasardhëse e traditës perandorake, por edhe si një shtet modern mysliman, i orientuar drejt rritjes ekonomike, e cila pa asnjë problem integron fenë dhe progresin ekonomik, transmeton “Zeri.info”.

Në këtë mënyrë u vendosën lidhje të ngushta me komunitetet myslimane fetare në Ballkan, duke krijuar një rrjet shkollash nën udhëheqjen turke. Me të drejtë ky program referohet si “neo-osman”, sepse e ndërlidh përsëri traditën dhe historinë për të rritur ndikimin politik dhe ideologjik të Turqisë në rajon.

Sa i përket fushës së arsimit nuk ka dyshim se Turqia ka bërë kontribute të mëdha për modernizimin e shoqërive myslimane në Ballkan”, shkruan “Neue Zuercher Zeitung” në lidhje me ndikimin turk në Ballkan.

Gazeta gjithashtu thekson se konflikti i brendshëm midis Erdoganit dhe lëvizjes fetare më të rëndësishme në Turqi të Fetullah Gulenit, është transferuar në Ballkanin Perëndimor.

Vëllezërit Erdogan dhe Bakir

Gazeta në fjalë konstaton se Bosnja dhe Hercegovina është bërë një shtyllë e ndikimit turk në rajon. “Arsyeja është se islami politik i Erdoganit në Bosnje dhe Hercegovinë ka një aleat ideologjik, Presidentin e SDA-së dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç. Erdogan rregullisht mbështet “vëllain e tij Bakirin” në zgjedhje. Lidhjet politike dhe ekonomike në mes të këtyre dyve janë shumë të ngushta”, shkruan NZZ.

Kjo gazetë beson se ardhja e AKP-së në pushtet në vitin 2002, në Ankara solli me vete një elitë të re fetare në pushtet e cila ka një pikëpamje krejtësisht të ndryshme ndaj Ballkanit sesa paraardhësit e saj Kemalist: “Ajo nuk e ka parë më Ballkanin si periferi ose zonë problematike, por si bërthamën e perandorisë së vjetër nga e cila e kanë origjinën shumë vezirë dhe gjeneralët e suksesshëm të saj. Kështu është formuluar një politikë e re që kryesisht me anë të mjeteve “fuqi e butë” duhet të bëjë ndikim në radhë të parë në pjesën më të madhe të popullsisë laike myslimane”, shkruan NZZ dhe vlerëson se: “Parakushti qendror për rolin e Ankarasë në Ballkanin Perëndimor është dyshimi i shumë myslimanëve ndaj gatishmërisë së BE-së për t’i pranuar këto vende në bashkësinë e saj. Turqia aktualisht është paraqitur si autokraci joliberale. Ndërsa ndikimi i BE-së po zhduket në Ballkanin Perëndimor, po formohen forma të ngjashme të sundimit politik”, përcjell “Zeri.info”.

Lista e gjatë e dëshirave

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet të enjten (sot) me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, në Ankara.

“Berliner Zeitung” publikoi një artikull me titullin “Lista e dëshirave për Merkelin është e gjatë”. Kjo është vizita e parë e kancelares gjermane Merkel në Ankara pas një grushteti të dështuar në Ankara, më 15 korrik të vitit të kaluar.

“Ushtarë turq të cilët kanë kërkuar azil në Gjermani, raporti i të dyja palëve rreth përpjekjes për grushtet, akuza të ndërsjella për shkak të vonesave në zbatimin e marrëveshjes për refugjatët: për të biseduar ka shumë tema”, shkruan “Berliner Zeitung”.

“Edhe më herët kancelarja gjermane është kritikuar për këtë udhëtim, kryesisht për shkak të kohës në të cilën udhëton: Erdogan përkatësisht në prill, planifikon një referendum për reformën kushtetuese, me anë të së cilës dëshiron për të rritur pushtetin e tij. Fakti se Merkel tani po e viziton Erdoganin, ai do të “shesë” këtë si mbështetje për kursin e tij të reformës, paralajmëron politikani i opozitës Kemal Kilicdragouglu”, shkruan “Berliner Zeitung”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button