Hoxhaj në Austri takohet me Kurz. I premtohet heqja e vizave së shpejti
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Austri, ku këtë të premte ka takuar homologun e tij austriak, Sebastian Kurz. Temë e diskutimeve mes tyre ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Në vazhdën e turneut europian të ditëve të fundit për të lobuar për heqjen e vizave, Hoxhaj ka ndarë me ministrin e Jashtëm austriak shqetësimin dhe njëherësh përkrahjen e palës austriake për ta përfunduar këtë proces sa më parë.
Bisedime janë zhvilluar edhe për raportin dypalësh, e në veçanti bashkëpunimin ekonomik.
“Sot kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin kemi biseduar për tri çështje të rëndësishme. Së pari, mbi mënyrën sesi Austria do të shndërrohet nga një partner i rëndësishëm politik në një partner më të rëndësishëm ekonomik, meqë investimet e huaja direkte për Kosovën janë të rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës. Së dyti, sesi Austria ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, gjë për të cilën kemi marrë edhe mbështetjen e plotë nga pala austriake; dhe së fundi sa i takon anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ku besoj se në një të ardhme të afërt do të kemi lajme pozitive për Kosovën” ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, kryediplomati austriak Kurz ka thënë se, Austria është një mbështetëse e madhe e Kosovës.
“Falënderoj ministrin Hoxhaj për vizitën e tij. Austria dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme historike. Kjo shprehet edhe nëpërmjet lidhjeve tona shoqërore që ne kemi. Shpresoj që në të ardhmen, shkëmbimi politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të zgjerohet edhe më tej” ka thënë Kurz.
Ndërkohë, Hoxhaj ka takuar edhe Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Austri, si dhe ambasadorët e Australisë dhe Estonisë.