I dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë, deportohet nga SHBA-ja 51-vjeçari (EMRI+FOTO)
51-vjeçari, Sokol Hoxha i cili u arrestua në muajin maj në Ohai është deportua në Shqipëri. Hoxha është i dënuar për 3 vrasje të regjistruara në Shqipëri dhe Belgjikë.
Policia bën me dije se Hoxha në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Ai më datë 30 mars 1997 ka vrarë me armë zjarri dy vëllezër. Ngjarje e ndodhur për motive të dobëta. Hoxha e ka krye vrasjen në bashkëpunim me një person tjetër.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Ai më datë 29 gusht 1997, ka vrarë me armë zjarri një shqiptare të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
“Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:
-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve”, njofton policia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.