Libri

I revoltuari

Nga Enis Sulstarova

Një pjesë e mirë e veprës së Migjenit përshkohet nga ndjenja e revoltës dhe nga thirrja për revoltë. Albert Kamy në librin Njeriu i revoltuar shkruan se revolta është thelbi i njerëzores, ngaqë njeriu është e vetmja krijesë që nuk pranon të jetë ajo që është. Më poshtë tentojmë një lexim paralel të shkrimeve të Migjenit dhe Kamysë që sillen rreth motivit të revoltës.

Vetëdija

MIGJENI“Me revoltën, lind vetëdija”, shkruan Kamyja. Mospranimi i vuajtjes në heshtje, si një fat tashmë i shkruar, pashmangshmërisht lidhet me kuptimin që ka njeriu se diçka a shumëçka nuk shkon në rregull, se ekziston padrejtësia dhe se vjen një pikë kur asaj i duhet thënë jo. Edhe spektakli i shtypjes së tjetrit është revoltues për atë që ka sy ta shquajë dhe ta vërë veten në këmbën e tjetrit: “Përditë shoh qartë e ma qartë e vuej thellë e ma thellë”. Migjeni revoltohet para pamjeve të mjerimit: fytyra të zbehta, zhele, fëmijë të sëmurë, trupa të sakatuar apo të drobitur nga uria dhe puna e stërmundimshme, fasada buzëkuqesh e lustrash që reklamojnë mishin në shitje, gotat e pijes ku mbytet dëshpërimi. Keqardhja dhe mëshira janë strategji shmangieje, sepse ato e natyralizojnë mjerimin dhe e qetësojnë ndërgjegjen. Ndërkaq, ndjenja e revoltës buron prej vetëdijesimit se mjerimi është një krim dhe i tillë kërkon drejtësi. Revolta të ndihmon që të ruash njerëzoren brenda teje, e cila shpërfaqet pikërisht te ndjenjat “barbare” të zemëratës e dëshirës për hakmarrje: “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!/ Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!/ Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…/ E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh”. Mali, simboli i qëndresës dhe revoltave shekullore të shqiptarëve, te Migjeni shndërrohet në një simbol të konservatizmit dhe shurdhërisë së pushtetit/shtetit ndaj nevojave jetike të malësorit, ndërkohë që ky vetë, në realitet i robëruar dhe i nëpërkëmbur, në propagandë dhe arte vazhdon të shërbejë si tipi ideal i shqiptarit të lirë e kryengritës. Revolta ia qartëson njeriut shikimin ndaj moralit e ligjshmërisë: te tregimi “Në kishë”, lypësi e braktis kishën atëherë ku prifti fillon të predikojë kundër vjedhjes. Alternativa ndaj revoltës është zvetënimi shpirtëror përballë shtypjes e padrejtësisë, është hipokrizia “e qytetëruar” për të mos u dalluar nga të tjerët që konformohen. Ky tjetërsim i ndodh Nushit, personazhit qendror të novelës “Studenti në shtëpi”. Ai është shkolluar në një qytet europian dhe i urren zakonet patriarkale të familjes dhe vendit të origjinës. Edhe pse e çmonte jetesën në Europë pikërisht për lirinë dhe çiltërsinë e zgjedhjeve individuale, Nushi kur kthehet në shtëpi nuk gjen forcën e brendshme për t’u rebeluar ndaj babait, duke përfunduar edhe vetë si një hipokrit, një kopje e të atit, që mbulon me një gëzim mashtrues imoralitetin e familjes.

Revolta metafizike 

Sipas Kamysë, i revoltuari synon themelimin e një rendi njerëzor, në të cilin të gjitha përgjigjet të jenë njerëzore dhe të bazuara në arsye. Meqenëse i revoltuari proteston për padrejtësitë e gjendjes njerëzore në emër të një jetese me dinjitet dhe të drejtë, një motiv për t’u rebeluar është edhe kushtëzimi biologjik i njeriut. Te vdekja, si dënim i përgjithësuar ndaj të gjithë njerëzimit, i revoltuari sheh skandalin suprem dhe ai e mban Zotin përgjegjës për këtë gjë. Më shumë sesa e mohon Zotin, rebeli e sfidon atë, d.m.th. kuptimin metafizik të krijuesit të botës dhe i flet atij nga një pozitë e barabartë me të, duke kërkuar që të ndërtojë një botë njerëzore, ku njeriu i krijon vlerat vetë dhe ku ndërhyrja hyjnore bëhet e pavlefshme. Në këtë botë mbetemi vetëm ne, njerëzit dhe vetëdija e revoltës është pishtari që na tregon rrugën për përmirësimin e botës. Për Kamynë, kjo nuk është një gjendje fataliste e dëshpëruese, përkundrazi është vetë kushti i emancipimit: “Që të mos i ikim realitetit, duhet që pikërisht këtu t’i gjejmë vlerat tona njerëzore”.

Në poezinë “Parathanie e parathanieve” e Migjenit ndeshim pikërisht barazimin e statusit të Zotit me njeriun, në kohën moderne kur “s’po dihet ma kush asht Zot e kush njeri”. Njeriu nuk e mohon Zotin, sepse ai nuk është më i sigurt nëse Zoti është pjella e tij, apo është njeriu pjella e Zotit, një dilemë kjo që ka të bëjë me ekzistencën në pikëpyetje të një rendi të parashkruar për njeriun. Gjithsesi, në valën e shndërrimeve të vrullshme shoqërore e politike rreth e rrotull tij, njeriu e di se është i vetëm, sepse zoti ka kohë që nuk i përgjigjet më. Në mungesë të përgjigjeve, njerëzve nuk u mbetet tjetër veçse të merren vesh me njëri-tjetrin për të ndërtuar Kullën e Babelit e prej majës së saj të thërrasin: “Perëndi! Ku je?”. Kjo e fundit duhet kuptuar si një thirrje sfiduese.

Solidariteti

Për Kamynë, çdo revoltë nënkupton një lloj bashkimi: “revoltohem, pra jemi”. Njeriu ngre krye në emër të një drejtësie që e kapërcen atë vetë, në emër të një parimi moral, i cili e nxjerr individin prej vetmisë dhe e lidh me të tjerë dhe me mbarë njerëzimin. Revolta të solidarizon me bashkëkohësit, ose me ata nga brezat e djeshëm dhe të ardhshëm që thirren për të qenë bashkëkohës. Gjithsesi, të revoltuarit janë, me fjalët e Migjenit, “birtë e shekullit të ri”, ata që kërkojnë agun e një ere të re, për të mos rënë përsëri në “pellgun e mjerimit” dhe për të mos kënduar “kangën monotone, pa shpirt, të skllavnis”. Një burim solidariteti Migjeni cilëson kombin shqiptar që ka vuajtur nga padrejtësia e pushtuesve. Te poezia “Zgjimi”, “vullneteve të ndrydhuna” e të shtypura prej atyre që “vatrat tona në mjerim i përlanë”, u bëhet thirrje që të zbresin poshtë në dhé e të zbulojnë fillin e ndonjë himni të Ilirisë së vjetër, kohë kur “zemra e kombit në liri kumbonte”. Illyria jepet si vendi idilik i zanafillës, ende i dëlirë nga pushtimet dhe, si i tillë, burim i frymëzimit për ringjalljen kombëtare. Të frymëzuar nga e shkuara heroike, Migjeni i thërret shqiptarët në revoltë kundër fatit që vetëm në dukje të parashkruar, në mënyrë që të bëhet e ditur se “birt’ e Shqipes folenë ia ngrehën vetvetit”. Te e njëjta poezi, fjala “viganët” tregon perandoritë, të cilat e kujtonin veten si të përjetshme, por që të gjitha shkuan në “theqafje” e shqiptarët mbetën në dheun e tyre.

Një burim tjetër i solidaritetit te vepra e Migjenit janë punëtorët në sistemin shoqëror kapitalist. Punëtori shqiptar sillet në rrugët e qytetit në kërkim të punës, njëlloj si kolegët e tij në Berlin e Londër dhe ai është i revoltuar për gjendjen e tij, sikurse edhe ata. Në ciklin e “Këngëve të Përndimit” aludohet për revoltën që po ndizet prej klasave punëtore të Perëndimit. Siç komenton Arshi Pipa, kumti i Migjenit është se qytetërimit industrial po i afrohet orës së gjykimit. Këtë poeti e dallon edhe pse njëkohësisht ai ndien një “dashni tragjike” dhe tërheqje emocionale për viset e “Përndimit të mrrekullueshëm”. Ai ëndërron për jetën në një qytet modern europian, mirëpo gjithashtu e di se realiteti i atyshëm e përmban shfrytëzimin dhe betejat klasore që po acarohen. Vargu “dielli do të lindë nga Përndimi” shpall “kredon” e re të proletariatit si varrmihës i borgjezisë. “Merimanga” e kapitalizmit që ka kapur Perëndimin është edhe vetë e mbërthyer brenda saj, prandaj “le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung’ avulli në pika djerse” dhe në të “nesërmen fatale [të] kundrojmë një horizont me njolla [të përgjakshme]” të revolucionit që do të vijë.

Mëdyshjet mbi revoltën 

Pasi ka lexuar romanin Të mjerët të Hygoit, Migjeni ka shkruar këtë shënim: “Zemra jonë asht aq e frikëshme dhe jeta e njeriut asht një mister i atillë sa që edhe pas një vrasjeje politike, edhe pas një vrasjeje çlirimtare, në rast se ka të tillë, brerja e ndërgjegjes se kemi vrarë një njeri ia kalon gëzimit se i kemi shërbyer racës njerëzore”. Mëdyshja e personazheve të Migjenit para pyetjes nëse qëllimi i revoltës e justifikon dhunën dhe vrasjen, e pengon shndërrimin e mërisë së brendshme në agresivitet të jashtëm. Malësori dëshiron t’i bijë malit me grusht, por ndihet i pafuqishëm dhe i hakërrehet bashkëvuajtësit kur ky pa dashje shkel kokrrat e misrit që bien në tokë. I papuni shtrëngon grushtin, por aty për aty kujtohet për ligjin dhe policin dhe e braktis synimin fillestar. Në çastin kur lypësi “përpara vetes nuk shef tjetër, veçse objekte mnije” ai nuk e dallon dot se ndodhet në mes të kryqëzimit dhe rrotat e makinës i japin fund revoltës së tij. Burri i poshtëruar në nderin e tij nga skamja e thellë, nuk arrin të revoltohet as me të pasurin që e shpërfill, as me gruan që e tradhton e as me rendin shoqëror, por mbetet pa fjalë dhe i fiksuar pas vrimës “interesante” në dysheme, që është edhe zbrazëtia që ka në shpirt. Në veprën e ndërprerë të Migjenit, revolta e personazheve ndërpritet; ata nuk arrijnë të solidarizohen me bashkëvuajtësit, por mbesin, vuajnë, durojnë dhe vdesin në vetmi. Duket sikur njeriu migjenian nuk ia del dot ta dhunojë një njeri tjetër edhe kur ky është shënjestër legjitime, sepse është burim apo agjent i shtypjes dhe i padrejtësisë. Përballë njeriut të revoltuar dhe të ndrydhur nga frika apo dilemat morale, Migjeni fantazon për trajtat e një mbinjeriu që nuk ka mëdyshje për domosdoshmërinë e dhunës e të vrasjes. Nëse njeriu është i bindshëm, mbinjeriu është i përbindshëm: ai është “ndërgjegje pa dyshime”, “pa zemër, pa ndjenja” dhe ka një “grusht graniti që kurr nuk do thehet”. Ai do të hakmerret për poshtërimin e njeriut dhe do të hapë një epokë të re.

Siç e ka vërejtur studiuesi Ardian Marashi, ndërsa sprova Miti i Sizifit është hulumtimi i Kamysë mbi çështjen e vetëvrasjes, të cilin ky e konsideron si problematikën themelore të filozofisë, te sprova Njeriu i revoltuar, Kamyja ndeshet me çështjen morale të vrasjes. A është e justifikuar vrasja në emër të revoltës dhe të revolucionit? Kamyja sprovën mbi revoltën e ka shkruar duke pasur në mendje imazhet e barbarisë, masakrave, terrorit dhe të lemerive të tjera të kryera në emër të “mbinjeriut” apo të “mbiklasës”. Sipas tij, revolucionet, të cilat burojnë nga ndjenja e revoltës, e cila nga ana e saj është thelbi i njerëzores, e kanë tradhtuar motivin e revoltës në çastin kur ia nënshtruan njeriun dhe jetën ndaj domosdoshmërisë historike. E tashmja i flijohet së nesërmes kur i revolucionari është i bindur se është vetëm një agjent i ligjeve të hekurta të historisë. Skllavit i thuhet se çlirimi do edhe ca kohë dhe që të agojë. Drejtësia që do të vijë legjitimon padrejtësitë e sotme, por edhe ato që janë kryer përgjatë historisë. Në këtë mënyrë, revolta e njeriut, kur humbet orientimin e duhur për nga solidariteti njerëzor, kthehet kundër vetë njeriut. Edhe pse revolucionari ka të drejtë në faktin që historia i vë disa kufizime njeriut, në krahun tjetër, shkruan Kamyja, është po ashtu e vërtetë se “njeriu, në revoltën e tij, i vë një kufi historisë. Në këtë kufi lind premtimi i një vlere”. Revolta është pohimi i jetës, prandaj parulla e të revoltuarve është “Ne jemi!” në vend të “Ne do të jemi!”. Kamyja kërkon lindjen e një etike të revoltës, një shqyrtimi të brendshëm për ta përmbajtur revoltën prej tejkalimeve të revolucionit. Ai përkrah ata që pyesin pareshtur mbi parimet e revoltës së tyre, sepse padyshim që ndjenja të revoltës dhe rebelë do të ketë përherë: “padrejtësia dhe vuajtja do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe, pa marrë parasysh se sa të kufizuara do të jenë, ato nuk do të pushojnë së qenë një skandal. Thirrja e Dimitri Karamanzovit “Pse?” do të vazhdojë të jehojë, prandaj arti dhe revolta do të shuhen vetëm kur të vdesë njeriu i fundit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button