Ikni , çfarë prisni ?
Nga Viktor Malaj
“Me qëllim që të bëhet sundimtar, politikani pozon si shërbëtor”/Sharl de Gol
Prej disa kohësh, kryetari formal i opozitës kryesore politike të Shqipërisë shprehet andej-këtej se po sheh mundësinë e braktisjes së parlamentit nga grupi i tij parlamentar. “Argumenti” kryesor, sipas tij, është se “nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër…”. Edhe unë e besoj këtë dëshirë të tij dhe të të gjithë atyre që janë të pangopur me pushtet; me pushtet të pakufishëm në kohë, hapësirë dhe në mundësi sundimi. E besoj, sepse bëj pjesë tek ata shqiptarë që i vëzhgoj për të kuptuar çfarë përfaqësojnë dhe kujtoj ato që kanë bërë.
Kjo skotë politikanësh falsë dhe dëmsjellës, jo vetëm nuk do të donin të shkonin në zgjedhjet politike të radhës me një qeveri kundërshtare por, po t’i lejonin situatat, do të donin të mos shkonin fare në zgjedhje. Ata gjithnjë ëndërrojnë pushtetin në tryezë, marrjen e tij dhe mbajtjen e tij përjetësisht “për të mirën e popullit”.
Kështu pati vepruar “Ati” i tyre politik, kështu i mëson ai ata edhe tani sepse e di mirë se ata janë njerëz pa personalitet, të vënë aty ku janë thjesht për t’u komanduar për të bërë atë që s’duhet bërë për të mirën e vendit dhe për t’u tërhequr nga hunda për të bërë gjithçka që i shërben mbrojtjes së tij nga krimet e kryera hapur e gjysmë hapur në të kaluarën e afërt e më të hershme.
Në aventurën e tyre zhurmëmadhe dhe punëvogël, ata propagandojnë parimet e funksionimit të shtetit modern, por demonstrojnë sjellje arkaike ndaj popullit, ligjit dhe funksioneve të shtetit. Ata vishen shik, jetojnë si elitarë, por sillen si barbarë. Parimet e funksionimit të shtetit kërkojnë që qeveria e radhës, e votuar nga shumica e popullit, të qëndrojë në pushtet deri pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të radhës, mirëpo kjo gjë është e padurueshme dhe e papranueshme për ta.
Ati i tyre politik u shfaq me këto parime para 25 viteve dhe u soll në jetën politike sipas praktikave të epokës së fiseve. E bëri lëmsh Shqipërinë për të ardhur në pushtet medoemos në vitet 1990-1992 dhe e degradoi jetën shoqërore që bëhet nën një shtet normal. Në përpjekje për të përjetësuar pushtetin e vet, e çoi vendin në kaos, sepse iu kundërvu vullnetit të shumicës së popullit që jo vetëm nuk e donte, por edhe e urrente.
Bijtë e tij politikë u betuan se do të ecin në gjurmët e tij dhe ai i vëzhgon ata çdo ditë se mos gabimisht hedhin qoftë edhe një hap “gabim”. Jo se duan ta hedhin hapin gabim apo sepse kanë ndonjë busull orientuese të vetën, por sepse mund t’ua imponojnë rrethanat e sotme. Ata kanë qenë në pushtet katër herë dhe s’kanë lënë gjë pa bërë, mirëpo bëjnë të verbërin dhe shurdhin për të mos i parë e dëgjuar të metat dhe gabimet në qeverisjen e tyre e jo më të shohin përgjegjësitë për sjelljet dhe veprimet që kanë shkaktuar dëme e krime të rënda gjatë qeverisjeve.
Ata ankohen se kryeministri aktual do ua dhunojë zgjedhjet e ardhshme, por nuk na thonë pse ata vetë dhunuan zgjedhjet e përgjithshme të 1996, falsifikuan ato të 2009 dhe shpërdoruan votimet për bashkinë e Tiranës në 2011. Ankohen, me të drejtë, për përhapjen e drogës, por “harrojnë” kartelin e Lazaratit nën qeverisjen e tyre dhe nuk japin shpjegime rreth pohimit të Atit të tyre politik se “Ndërhyrjen në Lazarat kundër drogës e kam penguar unë sepse kështu e gjykova politikisht”.
Ata përpiqen të fitojnë votat e kokëboshëve duke akuzuar pushtetin e sotëm për vdekjen aksidentale të një adoleshenti në një landfill, por ndien të pafajshëm për vrasjen e 27 shtetasve nga shpërthimi i një fabrike municionesh të ndërtuar në një qendër të banuar me vendimin e qeverisë së tyre. Flasin me të drejtë për korrupsionin e qeveritarëve të sotëm, por heshtin për 230 milion euro shpërdorime në ndërtimin e rrugës Milot-Kukës në kohën e tyre dhe prej vetë atyre.
Thonë se qeverinë e sotme e ka kapur krimi, por justifikojnë të gjitha krimet e kryera në kohën e tyre dhe prej vetë atyre. Propagandojnë me të drejtë se në Shqipëri ka varfëri dhe padrejtësi, por i shmangen faktit se ata vetë kanë kontributin kryesor në krijimin e kësaj gjendjeje të turpshme. Flasin për atdhetarizëm, por heshtin për krimin e tyre kombëtar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Detit me Greqinë. Ndërsa fyejnë, shpifin e kërcënojnë çdo ditë kundërshtarët dhe qeveritarët, pa u hyrë gjemb në këmbë, ankohen se këtu nuk ka liri, por nuk na shpjegojnë se pse në kohën e tyre rriheshin, burgoseshin dhe vriteshin gazetarë (ndër ta edhe kryeministri i sotëm), deputetë dhe protestues me duar në xhepa.
Pas gjithë kësaj maskarade, ata guxojnë të na shiten si shpëtimtarë. Edhe mëkatarë, edhe shpëtimtarë- kjo nuk mund të pranohet nga mendjet e shëndosha e të lira për t’u shprehur. Të paktën të rrëfeheshin një herë e mirë në mënyrë që të gënjenin disa nga ne besimtarët e marrosur pas shtetit ligjor dhe të tjerët të ndaleshin së qeni adhurues të kotësive. Ideologjia dhe sundimet e tyre të disahershme, të diskredituara dhe të refuzuara pambarimisht nga shumica e shqiptarëve, nuk mund të ngjallin as shpresa dhe as besim tek shumica e votuesve.
Neve na nevojitet një qeverisje shumë më e mirë se kjo e sotmja, por për plotësimin e kësaj nevoje nuk duhet t’ia lejojmë vetes shkeljen në dërrasa të kalbura që lyhen enkas me varak a bojëra tërheqëse për të na krijuar iluzionin optik që kemi provuar, sepse kemi shkelur më shumë se një herë në dërrasa të tilla dhe kemi përfunduar në katonjtë e mjerimit dhe padrejtësisë nga s’po dalim dot.
Pse u nevojitet braktisja e parlamentit ish-uzurpuesve të tij? Mendjet më të përparuara, ndonëse më të djallëzuara, të opozitës e dinë se rikthimi i besimit popullor tek të njëjtët individë, mëkatarë dhe krimbërës të së kaluarës, bartës dhe besnikë të të njëjtës ideologji dhe sjelljeje politike, është thuajse e pamundur të ndodhë.
Të ndodhur midis pamundësisë së ndryshimit, pra për të braktisur moralin e tyre të kalbur politik dhe, nga ana tjetër, prirjes për të qenë të njëjtët por për t’u shitur të ndryshëm, ata kanë zgjedhur këtë të dytën. E mira e vendit kërkon rrugën e parë, atë të pranimit të fajeve dhe dënimit të fajtorëve brenda familjes politike dhe nisjen e një rruge krejt të re. Ndjekja e rrugës dhe zbatimi i metodës së dytë iu shërben vetëm atyre dhe i sjell dëme vendit. Shqipëria ka nevojë për rrugën e parë edhe me qëllim që të trembë dhe korrigjojë pushtetarët e sotëm për gabimet dhe fajet e përditshme.
Pasi dështuan në pengimin e reformës në drejtësi dhe nuk janë të sigurt sa do e vonojnë atë nëpërmjet manovrave me ankime ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, kjo tufë zuzarësh politikë do të bëjë edhe përpjekjen e fundit dëshpëruese për mbijetesë, duke u larguar nga parlamenti. Ata besojnë se kështu do të pengohet ndëshkimi i disa prej tyre dhe se hapat e Shqipërisë drejt BE-së nuk do të përparojnë. Dëshpërimisht shpresojnë se duke ndodhur siç dëshirojnë do të rritet pakënaqësia popullore dhe ata do të rikthehen në pushtet nëpërmjet kaosit.
Në pamje të parë duket si ide “e mirë”, por në fakt “e kanë bërë llogarinë pa hanxhiun”. Kësi manovrash atdhedëmtuese kanë pasur sukses në rrethana të tjera të mëhershme kur shumica e faktorëve politikë, të brendshëm dhe të jashtëm, i favorizonin dhe jepnin mundësi për t’i shitur sjellje të tilla si progresive, ndonëse ishin antidemokratike dhe antishqiptare. Ndërsa sot, thuajse të gjithë ata faktorë politikë, socialë dhe historikë nuk ekzistojnë. Për rrjedhojë, aventurat antipopullore të një grushti sharlatanësh, me lakmi të madhe për të grabitur pushtetin, por pa ide qeverisëse dhe pa ideale, nuk kanë shanse.
Pozimet e tyre të sotme si shërbëtorë të popullit, egërshanë të padrejtësive dhe shpëtimtarë të vendit i bëjnë ata sa të pabesueshëm aq edhe qesharakë. Të shitesh si i tillë dhe të derdhësh lot krokodili për të varfëritë nga kolltukët e ngrohtë të vilave luksoze apo vendpushimet më të shtrenjta të globit, ndërsa ke pasur shanse të shumëhershme ta ndryshosh gjendjen e mjeruar të shumë bashkëkombësve, do të thotë të jesh cinik i pafytyrë dhe i pashpirt. Prandaj në vend të besimit do të marrësh përbuzjen dhe ndëshkimin e popullit.
Ikja nga parlamenti e kësaj orkestre zhurmuese pa kurrfarë interpretimesh me vlera estetike nuk do i sjellë kurrfarë dëmi vendit dhe popullit. Aktet e turpshme të vagabondazhit politik dhe ordiner të të enjteve parlamentare do të zëvendësohen nga qarjet, thirrjet dhe britmat e pafundme nëpër studio televizive dhe në sheshet e sapo rindërtuar të qyteteve. Të vetmit tifozë besnikë të kësaj marrëzie të stërpërsëritur prej dekadash do të jenë ligjshkelësit e këtyre 3-4 viteve të kthyer në të pakënaqur ndaj qeverisjes për shkak të pasojave të ligjit mbi ta. Ndërsa votuesit e përgjegjshëm të së djathtës do të mërmërisin me vete rreth kotësisë dhe pavlefshmërisë së votave të tyre të shpërdoruara nga njerëz pa integritet moral e politik.
Shqipërisë nuk i nevojitet kjo farsë, por nëse do të ndodhë, le të nisë sa më parë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda. Librat e shenjtë flasin për shenjtër të shndërruar në djaj dhe asnjëherë për djaj që të jenë kthyer në shenjtër.