Interpelancë në Kuvend për shëndetësinë, opozita akuza për sistemin onkologjik, Sala: Nuk mungojnë barna në QSUT, po bëjmë decentralizimin
Një interpelancë është zhvilluar në Kuvend, ku tre deputetë të opozitës i kërkuan llogari ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, për situatën në sistemin shëndetësor, me fokus të veçantë te shërbimi onkologjik dhe analizat laboratorike.
Deputeti Kliti Hoti ngriti shqetësimin për kostot e larta që përballojnë pacientët, duke theksuar se 59% e tyre mbulohen nga vetë qytetarët. Ai kritikoi mungesën e një regjistri kombëtar funksional për sëmundjet onkologjike dhe centralizimin e shërbimit në një strukturë të vetme.
“59% e kostove në Shqipëri mbulohen nga vetë pacienti, 41% nga shteti, pra sëmundja në praktikë nuk është vetëm sfidë shëndetësore, por edhe barrë ekonomike. Shqipëria ende nuk ka një regjistër kombëtar funksional të sëmundjeve onkologjike dh epa këtë instrument bazë nuk dimë me saktësi sesa raste ka, si trajtohen dhe çfarë politikash duhet të ndiqen. Strukturat e trajtimit është thellësisht e centralizuar, i gjithë trajtimi bëhet në QSUT. Një qendër e vetme nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit. Shqipëria renditet e fundit në rajon për barnat novative. Regjistri dhe organizimi i shërbimit, kur do të bëhet? Cila është strategjia konkrete për decentralizimin e shërbimeve onkologjike? Ku do të kemi qendra funksionale, minimalisht 3, një në jug, veri dhe Shqipëri e Mesme. Barnat dhe furnizimi, çfarë masash konkrete po merren për t’i dhënë fund mungesës së barnave. Si do rritet financimi publik i shëndetësisë dhe cili është afati për të arrit 4% të PBB”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti Bardh Spahia denoncoi problemet me analizat laboratorike, duke deklaruar se pas datës 20 të çdo muaji shumë shërbime ndalojnë për shkak të mungesës së fondeve. Sipas tij, kjo situatë krijon rrezik edhe për analizat urgjente dhe lë pacientët pa shërbim në spitalet publike.
“Pas datës 20 të çdo muaji kalendarik nuk mund të ofrohet asnjë analizë laboratprike përmes koncesionit sepse mungojnë fondet. Për vite më radhë këtë problem e ka ngritur në mënyrë të vazhdueshëm jo vetëm opozita, por edhe mjekë dhe pacientë. Mungesë e theksuar në kryerjen e analizave laboratorike në të gjithë 19 spitalet publike, përfshirë edhe QSUT. Rrezik për moskryerjen edhe të analizave urgjente pasi koncesionari vendos kufij për tejkalim të planit të parashikuar. A është normale që deri tani janë shpenzuar më shumë se 60% e fondit prej 13 mld lekë dhe ende pacientët nuk marrin shërbimin e analizave laboratorike? Koncesionari e ndalon shërbimin pas datës 20 të çdo muaji kalendarik”, theksoi Spahia.
Kritika artikuloi edhe deputetja Erisa Xhixho, e cila e cilësoi situatën si “kriminalitet shëndetësor”. Ajo solli në vëmendje kushtet në spitalin onkologjik, ku, sipas saj, pacientët presin me orë për kimioterapi për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe pajisjeve funksionale, duke përmendur edhe mosfunksionimin prej muajsh të pajisjeve të rëndësishme.
“Në Spitalin Onkologjik trajtohen sot çdo ditë 100 deri në 120 pacientë me kimioterapi dhe për këtë pacientë ka vetëm 30 poltrona. Pacientët presin me orë të tëra dhe shpesh detyrohen të marrin shërbim në karrige. Ndërkohë që këto 30 poltrona janë siguruar jo nga shtet, por donator. Prej 8-9 muajsh, pajisja e brakiterapisë nuk funksionon, ajo prek 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ndërkohë ju thoni që kjo pajisje do vihet në punë brenda vitit 2026, këto pacientët duhet të presin 1 vit e gjysmë. Pse nuk e zgjidhni me rimbursim? Të rimbursoni këtë shërbim në një spital privat ose jashtë vendit. Në radioterapi kemi 2 akselerator linearë që përdoren për rrezatim të jashtëm. Rreth 100 pacientë për këtë shërbim. Keni marrë një të ri, por ende nuk është vënë në funksion. Kemi 2 pajisje për 100 pacientë në ditë. Kur do vihet në punë pajisja e tretë dhje a do blihet një e katërt? Pajisja KAPA sipas KLSH, nuk përmbahet që prej 2019. Ky proces kryhet manualisht nga infermierë që nuk kanë informim për ta kryer. Si shpjegohet kjo situatë?”, tha Xhixho.
Në përgjigje, ministrja Evis Sala hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se sistemi onkologjik është në transformim dhe po kalon drejt decentralizimit. Ajo deklaroi se shërbimi tashmë ofrohet në disa nivele dhe se aktualisht funksionojnë 8 njësi kimioterapie në spitale rajonale.
“Shërbimi onkologjik është i organizuar në një strukturë shumë nivelshe, me objektivin që ta çojën shërbimin më pranë pacientit. Shërbimi onkologjik ofrohet kryesisht pranë QSUT për të gjitha diagnozat. Shefqet Ndroqi për kancerin e mushkërive dhe po funksionon edhe njësia e kimioterapisë pranë Spitalit Mbretëresha Xheraldinë për një numër diagnozash gjinekologjike. Gjatë këtij viti, 35 stafe mjekësore janë shtuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve. Sot funksionojnë 8 njësi kimioterapie në 8 spitale rajonale, konkretisht Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë e Vlorë. Ne po ndërtojmë një model të ri ku pacienti të mos endet një sistem, por sistemi të organizohet rreth pacientit. Po shkojmë drejt ngritjes së Institutit kombëtar të Tumoreve dhe Rrjetit Kombëtar Onkologjik, të ngjashme me modelet më të mira europiane. Po forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për të sjellë standarde dhe njohuri te reja në vend. Po ndërtojnë strategji të re për tumoret për vitet 2026-2030. Qëllimi është përmirësimi i parandalimit, diagnostikimit të hershëm, trajtimit cilësor dhe rritjen e mbijetesës së pacientëve”, u shpreh Sala.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 janë trajtuar mbi 21 mijë pacientë në spitalin ditor onkologjik pranë QSUT, ndërsa shërbimet po ofrohen me kohë pritjeje të krahasueshme me vendet europiane.
“Gjatë 2025, në spitalin ditor onkologjik pranë QSUT janë trajtuar mbi 21 mijë pacientë, shifër e krahasueshme me shumë qendra prestigjioze europiane. Shërbimin e kimioterapisë e marrin çdo ditë rreth 90 pacientë. Në radioterapi 140 pacientë. Sa i përket kohës së pritjes, biopsitë dhe përgjigjet histopatologjike realizohen brenda 2 deri ne 3 javë, kohë më e shkurtër se në shumë institucione mjekësore europiane. Ndërhyrjet kirurgjikale kryhen në intervale të ngjashme, konsultat dhe fillimi i kimioterapisë apo radioterapisë shpesh realizohen brenda javës. Por kjo ngarkesë e lartë është arsyeja pse kemi marrë reformën e decentralizimit të shërbimit”, deklaroi ministrja.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rritjen e buxhetit për barnat në 19.5 miliardë lekë për vitin 2026, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.