☀️
Tiranë 35°C · Kthjellët 28 August 2026
S&P 500 7,747 ▲0.21%
DOW 53,731 ▲0.3%
NASDAQ 26,576 ▲0.13%
NAFTA 82.66 ▼1.04%
ARI 4,663 ▼0.02%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9372 EUR/ALL 92.2362 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3412 EUR/TRY 56.1245 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6141 EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9372 EUR/ALL 92.2362 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3412 EUR/TRY 56.1245 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6141
₿ CRYPTO
BTC $79,428 ▼ -0.09% ETH $2,515 ▲ +0.76% XRP $1.4251 ▼ -0.89% SOL $105.4800 ▼ -0.53%
S&P 500 7,747 ▲0.21 % DOW 53,731 ▲0.3 % NASDAQ 26,576 ▲0.13 % NAFTA 82.66 ▼1.04 % ARI 4,663 ▼0.02 % S&P 500 7,747 ▲0.21 % DOW 53,731 ▲0.3 % NASDAQ 26,576 ▲0.13 % NAFTA 82.66 ▼1.04 % ARI 4,663 ▼0.02 %
EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9372 EUR/ALL 92.2362 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3412 EUR/TRY 56.1245 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6141 EUR/USD 1.1651 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9372 EUR/ALL 92.2362 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3412 EUR/TRY 56.1245 EUR/JPY 185.65 EUR/CAD 1.6141
28 Aug 2026
Breaking
Politika

Intervista e Linda Ramës: Nga qendrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor!

Ekonomiste me përvojë, gjerësisht aktive ne çështjet sociale dhe njohuri të thelluara mbi transformimet sociale, politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Linda Rama analizon ndryshimet e thella, sfidat dhe mundësitë e rajonit.

PhD në Ekonomi, bashkëthemeluese e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor në Shqipëri dhe bashkëshorte e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ajo ka një këndvështrim të rrallë dhe jashtëzakonisht depërtues.

Veprimtaria e saj shumëvjeçare në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale ka qenë vendimtare dhe shkon përtej kufijve të Shqipërisë, ndërsa perspektiva e saj përbën një “vështrim të rrallë prej eksperti”, mbi Ballkanin Perëndimor, nga brenda dhe nga jashtë njëkohësisht , veçanërisht si “ekonomiste strukturore” e specializuar në çështje të zhvillimit social, te kulturës së punës dhe aftësive.

Në intervistën e saj për Fortune Greece, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë të përshtaten mjaftueshmërisht për të qenë të suksesshme brenda kuadrit të BE-së dhe njëkohësisht në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, përshpejtimi teknologjik, sfidat klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.

Ajo e konsideron Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor një mundësi të mirë që vendet e rajonit të sillen rreth së njëjtës axhendë reformash dhe zhvillimi ekonomik. Dhe thekson se “libri i ri i lojës” do të shkruhet duke ndërtuar institucione që mundësojnë besim, biznese që mund të rriten në shkallë të gjerë, politika që lehtësojnë përhapjen e inovacionit dhe teknologjisë përmes arsimit, si dhe bashkëpunim rajonal që krijon një hapësirë më të madhe ekonomike, në vend të “ndasive” të vogla politike.

Intervista e Linda Rama për “Fortune Greece”:

-Me kohë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është transformuar vazhdimisht. Sa ka ndryshuar ky rajon që nga vitet ’90 dhe si do t’i përshkruanit fazat kryesore nëpër të cilat ka ai kaluar duke na sjellë deri tek epoka e sotme?

-Ballkani Perëndimor përfaqëson një nga rajonet që ka pësuar transformimet më të thella politike, sociale dhe ekonomike në Evropën pas viteve 1990. Mund të thuhet pa hezitim se, në rastin e Shqipërisë, shkalla e këtij transformimi ka qenë edhe më e thellë sesa gjetkë në rajon, veçanërisht nëse konsiderohet izolimi ekstrem komunist i Shqipërisë, si nga rajoni ashtu edhe nga bota e gjerë dhe e kaluara e saj thellësisht e pazhvilluar përpara komunizmit. Përmasa e plotë e këtij transformimi historik të rajonit tonë do të shpërblehet vetëm kur Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë tri dekadave të fundit menaxhimi makroekonomik është përmirësuar përgjithësisht, financat publike janë bërë më të disiplinuara, shërbimet publike dixhitale janë zgjeruar, lidhshmëria infrastrukturore ka avancuar, dhe ekziston një kuptim shumë më i fortë se cilësia e qeverisjes nuk është një çështje dytësore, por vetë themeli i transformimit ekonomik. Sot pyetja për rajonin është nëse institucionet, bizneset dhe shoqëritë të përshtaten mjaftueshmërisht për të qenë të suksesshme brenda kuadrit të BE-së dhe njëkohësisht në një botë të karakterizuar nga fragmentimi, presionet e sigurisë, përshpejtimi teknologjik, sfidat klimatike dhe pasiguria gjeopolitike.

-Pra, në opinionin tuaj, ku gjendemi sot?

-Do të thoja se gjendemi në një moment të ndërmjetëm. Ballkani Perëndimor ka kaluar fazën e stabilizimit ekonomik, por nuk ka hyrë ende në fazën e konvergjencës së qëndrueshme me BE-në të udhëhequr nga produktiviteti, ndërsa mbyllja e hendekut institucional Ballkan Perendimor–Bashkim Europian mbetet “thembra e Akilit” për çdo vend të rajonit. Duke folur për ekonominë, tashmë është bërë e qartë se vetëm rritja ekonomike nuk mjafton.

Përmbajtja e rritjes ka rëndësi. Cilësia e saj ka rëndësi. Gjithëpërfshirja ekonomike ka rëndësi. Dhe mbi të gjitha, aftësia për të siguruar vijimësinë e reformave dhe për të përkthyer politikat në transformim real për biznesin dhe shoqërinë. Në këtë rrugëtim, rritja ekonomike në rajon gjendet nën presion nga tkurrja e popullsisë, plakja dhe emigrimi, madhësia e vogël e tregut dhe e bizneseve, hapësira e ngushtë fiskale, tregjet të pazhvilluara të kapitalit, mungesa e fuqisë punëtore dhe mospërputhja e aftësive të saj me nevojat e tregut për aftësi, si dhe nga institucione që shpesh janë më të mira për të kontrolluar sesa për të kordinuar. Gjithsesi, dixhitalizimi dhe inovacioni, si dhe investimet e akumuluara në kapitalin njerëzor, mbeten aleatët më të mëdhenj për të kapërcyer një pjesë të presionit ekzistues.

Kur njerëzve u kërkohet të imagjinojnë Ballkanin Perëndimor, në mendje u vjen së pari një përzjerje e ndërlikuar kujtimesh dhe (keq)perceptimesh. Në shumë raste, sipërmarrësit që do të udhëtonin tani drejt rajonit, do të befasoheshin nga dinamizmi i komuniteteve, aftësitë dhe talenti lehtësisht i disponueshëm, dhe ritmi i ndryshimit eksponencial. Ndoshta mund të themi se kjo është bërë krejtësisht e qartë pas vitit 2020. A do të pajtoheshit me këtë?

-Ndryshimi në Ballkanin Perëndimor po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, dhe rajoni po bëhet vazhdimisht një vend më i mirë për të jetuar. Le të marrim shembullin e Shqipërisë. Numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë është katërfishuar krahasuar me një dekadë më parë, dhe pas vitit 2020 vendi përjetoi një rritje të jashtëzakonshme vizitorësh, duke i dhënë një perspektivë të re sektorit të turizmit, si dhe shumë sektorëve të tjerë të lidhur me të. Ky realitet është rezultat i një vizioni modernizues dhe të orientuar drejt reformave, që po materializohet gjithnjë e më shumë falë përpjekjeve të shtetit, sipërmarrësve dhe vetë komuniteteve.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se perceptimi në ndryshim i rajonit është ndikuar nga qasja dinamike e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit. Në veçanti, BE-ja ka kërkuar të shmangë përsëritjen e sfidave të hasura në proceset e mëparshme të zgjerimit. Kjo reflektohet kryesisht në metodologjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, si dhe në prezantimin e një instrumenti shtesë strategjik dhe financiar për transformimin e rajonit: Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë përfaqëson një mundësi konkrete që ka bashkuar gjithnjë e më shumë vendet e rajonit rreth së njëjtës agjendë reformash dhe rritjeje ekonomike, duke e bërë rajonin më të ndërlidhur, ndërkohë që nxit edhe konkurrencën mes secilit vend për të përparuar drejt përfundimit të procesit të pranimit në BE. Që nga viti 2023 e në vazhdim, kjo agjendë u bë haptazi më gjeopolitike dhe e lidhur me procesin e pranimit.

Plani dhe Instrumenti financiar i Rritjes e lidhën financimin me realizimin e reformave duke ofruar akses gradual në elemente të Tregut të Unifikuar të BE-së përpara anëtarësimit. Kjo është një fazë e ndryshme nga ajo e mëparshmja: më politike, më kërkuese dhe potencialisht më transformuese, me synimin që rajoni të bëhet jo vetëm më i ndërlidhur, por edhe më i përputhshëm në mënyrën si funksionon.

Rajoni ka nevojë, mbi të gjitha, të mos humbasë më kohë dhe të fitojë besim. Mbetet për t’u parë se si do të evoluojë procesi i pranimit, por inkurajues është fakti se kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë diskutim sa në vitet e fundit se cili nga vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhet anëtari i radhës i Bashkimit Evropian.

Çelësi mbizotërues për transformimin rrënjësor të ekonomisë, ekosistemeve të biznesit dhe modeleve prodhuese është inovacioni. Thënë këtë, ju insistoni se për rajonin, ajo që ka përparësi kryesore është difuzioni i teknologjisë. Çfarë kuptoni me këtë?

-Shpesh flasim për inovacionin sikur çdo vend duhet të jetë një shpikës pioner në frontin teknologjik. Por për shumicën e ekonomive të vogla dhe me të ardhura mesatare, vlera e vërtetë ekonomike nuk qëndron te shpikja në frontin e teknologjisë. Është tek difuzioni. Pyetja më transformuese sot për vendet ballkanike nuk është nëse mund të krijojnë teknologji të reja. Është aftësia e tyre për të përthithur, përshtatur dhe përhapur teknologjitë ekzistuese shpejt dhe në shkallë të gjerë. Kjo mund të tingëllojë më pak spektakolare sesa të flasësh për Silicon Valley-n e ardhshëm, por në realitet është shumë më e rendësishme.

Rajoni duhet të rrisë produktivitetin dhe të përmirësojë cilësinë e rritjes. Produktiviteti nuk rritet sepse një ose dy kompani janë të jashtëzakonshme. Rritet kur mijëra kompani përmirësojnë mënyrën se si prodhojnë, menaxhojnë, eksportojnë, trajnojnë punonjësit, përdorin të dhënat dhe lidhen me zinxhirët e furnizimit.

Çfarë nënkupton kjo në praktikë për qeveritë dhe çfarë për bizneset?

Së pari, dixhitalizimi duhet të shkojë përtej lehtësimit të konsumatorit dhe të hyjë në thelbin prodhues të ekonomisë: prodhimtarinë, zinxhirin furnizues, bujqësinë, turizmin, energjinë dhe shërbimet e biznesit.

Së dyti, profili post-komunist i sipërmarrësve në rajon është karakterizuar nga ambicja, gadishmëria për të ndërmarrë risqet dhe oportunitetet e krijuara si nga faza e zhvillimit të vendeve ashtu dhe nga problematikat e tranzicionit. Ata jo domosdoshmërisht janë të aftë të përqafojnë praktikat e reja menaxheriale në kohën e revolucionit teknologjik. Firmave sot u duhet avancim menaxherial po aq sa u duhet avancim teknologjik. Vetëm një makineri e re nuk mjafton për të transformuar një kompani. Për këtë transformim janë të domosdoshme gjithashtu praktikat e reja organizative, qeverisja më e mirë, menaxhimi profesional dhe qasja e tyre në tregje.

Së treti, shteti ka rol të rëndësishëm, jo si zëvendësues i sipërmarrjes, por si mundësues i difuzionit teknologjik përmes arsimit, infrastrukturës, standardeve, politikës së konkurrencës dhe prokurimit publik inteligjent.

Vetëm rritja ekonomike nuk mjafton. Përmbajtja e rritjes ka rëndësi. Cilësia ka rëndësi. Gjithëpërfshirja ekonomike ka rëndësi.

Në rastin e Shqipërisë, cilat iniciativa të qeverisë besoni se kanë bërë ndryshim vitet e fundit?

Në një mjedis shumë skeptik, një dekadë më parë, qeveria intensifikoi revolucionin dixhital në shërbimet publike, duke e bërë atë prioritet politik me objektiva të qarta dhe duke e mbështetur plotësisht me fonde dhe burime njerëzore cilësore. Dhe nga 14 shërbime online në vitin 2013, sot ka 1,275 shërbime elektronike që u përgjigjen nevojave të 3.5 milionë qytetarëve dhe bizneseve, 850 mijë dokumente të shkëmbyera midis institucioneve për plotësimin e dosjeve të aplikantëve, 66 regjistra elektronikë të ndërlidhur midis institucioneve qeveritare, që mundësojnë plotësimin automatik të 70% të fushave në formularët e aplikimit për shërbime publike në platformën e-Albania.

Ky avancim i jashtëzakonshëm është njohur nga sisteme të ndryshme vlerësuese në nivel botëror, që e rendisin Shqipërinë ndër vendet me indeks “shumë të lartë” të zhvillimit të qeverisjes elektronike, si dhe me indeks të lartë të maturitetit GovTech. Dhe është i paimagjinueshëm kursimi në kohë, para, letra dhe veçanërisht në nerva nga shërbimi online.

Ana tjetër e medaljes janë bizneset, të cilat janë ende të ngurruara për t’u zhvendosur drejt dixhitalizimit dhe difuzionit teknologjik, dhe Shqipëria po krijon një fokus të ri, që është mbështetja publike për inovacionin, për të cilën Serbia është një shembull i mirë, duke qenë një ndër ekosistemet më të forta të inovacionit dhe startup-eve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në zona rreth Beogradit dhe Novi Sadit. Mbështetja e fortë qeveritare, përmes investimeve në parqe teknologjike, stimujve për startup-e, lehtësirave tatimore për kompanitë e TI-së dhe granteve për inovacion nëpërmjet Fondit të Inovacionit të Serbisë, kanë qenë kontribute të rëndësishme për këtë avancim.

Për ta mbyllur, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë nevojë vetëm të përshpejtojnë, përmes mbështetjes dhe angazhimit të fortë, axhendën e dixhitalizimit dhe inovacionit, por gjithashtu të krijojnë modelin ku inovacioni nuk trajtohet më veçmas në administratën publike dhe sipërmarrjen private, por ku të dyja palët ndërveprojnë përmes mekanizmave të strukturuara e të hapura të inovacionit.

Cila është lidhja midis Talentit dhe Inovacionit në rajonin tonë?

Ballkani Perëndimor kurrë nuk ka pasur mungesë talenti njerëzor apo kapaciteti intelektual. Përkundrazi, rajoni ka prodhuar vazhdimisht individë të jashtëzakonshëm në një gamë të gjerë sektorësh – përfshirë inxhinierinë, mjekësinë, sipërmarrjen, dizajnin, matematikën, ekspertizën profesionale dhe shërbimet dixhitale. Ajo që rajonit shpesh i ka munguar, nuk ka qenë talenti, por ekosistemi ekonomik dhe social i aftë për të shfrytëzuar dhe mbajtur plotësisht këtë talent brenda vendit.

Gjithashtu, inovacioni në Ballkanin Perëndimor ka hyrë jo sepse rajoni kishte burime të bollshme, por pikërisht sepse individët e talentuar ishin të detyruar të gjenin zgjidhje efikase dhe krijuese me mjete të kufizuara. Një nga pikat e forta të veçanta të rajonit është aftësia për t’u përshtatur. Meqenëse bizneset dhe individët shpesh kanë qenë të detyruar të veprojnë në mjedise ekonomike të pasigurta, shumë sipërmarrës dhe profesionistë kanë zhvilluar kulturën e fleksibilitetit, zgjidhjes së problemeve dhe ringritjes pas vështirësive. Këto karakteristika po bëhen gjithnjë e më të vlefshme në ekonomitë moderne të udhëhequra nga inovacioni.

Në të njëjtën kohë, diaspora e madhe e rajonit ka forcuar lidhjen midis talentit dhe inovacionit. Profesionistët e arsimuar apo të punësuar jashtë vendeve po kontribuojnë gjithnjë e më shumë përmes investimeve, mentorimit, rrjeteve ndërkombëtare dhe transferimit të njohurive dhe kulturës së biznesit drejt vendeve të rajonit.

Meqenëse teknologjia evoluon me ritme kaq të shpejta, sfida e ndërtimit të vazhdueshëm të talenteve, e përditësimit dhe rikualifikimit të kapitalit njerëzor bëhet pjesa më kërkuese e ekuacionit. Paralelisht, shumë talente zgjedhin të shkojnë jashtë vendit. Çfarë duhet bërë për t’i dhënë fund ikjes së trurit?

Pas rënies së komunizmit, shumë vende të Ballkanit Perëndimor trashëguan një avantazh të madh krahasues: një popullsi shumë të re krahasuar me mesataren evropiane. Në shumë mënyra, kjo përfaqësonte një dhuratë demografike domethënëse dhe një mundësi të madhe për zhvillim afatgjatë.

Megjithatë, në vend që të përfitonte plotësisht nga ky avantazh, rajoni gradualisht humbi pjesën më të madhe të këtij potenciali. Fillimisht, kjo ndodhi përmes valëve të mëdha të emigrimit të nxitura nga papunësia, pasiguria ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike. Më vonë, rënia e shkallës së lindshmërisë përshpejtoi më tej presionet demografike. Thënë thjesht, rajonit i mungonte fuqia ekonomike dhe stabiliteti institucional, të nevojshëm për të mbajtur në vend një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij njerëzore.

Është bërë e qartë se pa mundësi të qëndrueshme ekonomike, bëhet jashtëzakonisht e vështirë të ndalohet lëvizshmëria. Njerëzit natyrshëm lëvizin drejt vendeve ku besojnë se ekziston mundësi, stabilitet dhe vlerësim profesional. Por këtu mendoj se ka ardhur koha për një mënyrë tjetër të menduari. “Brain drain” është real dhe mbetet i kushtueshëm. Megjithatë, diaspora nuk është vetëm një simptomë humbjeje. Ajo mund të jetë gjithashtu një aset strategjik, nëse ndalojmë së menduari për kapitalin njerëzor thjeshtë në terma territorialë.

Pyetja nuk është më thjeshtë se si t’i mbajmë të gjithë dhe si të mbajmë çdo talent në vend. Kjo as nuk është realiste, as domosdoshmërisht e dëshirueshme. Pyetja është se si ta kthejmë lëvizshmërinë në qarkullim, dhe qarkullimin në zhvillim. Na duhet të krijojmë kushte të brendshme që e bëjnë qëndrimin, ose kthimin, një zgjedhje llogjike. Njerëzit nuk largohen vetëm për shkak të pagave. Ata largohen gjithashtu për shkak të paparashikueshmërisë, meritokracisë së dobët, fërkimeve burokratike, mjediseve të varfëra kërkimore, dhe ndjenjës se përpjekja nuk përputhet me mundësitë. Pra, përgjigja për enigmën e talentit nuk është sentimentale. Është strukturore. Institucione më të mira janë politikë talenti. Qytete më të mira janë politikë talenti. Shkolla dhe universitete më të mira janë politikë talenti. Një sektor privat më dinamik është politikë talenti.

Shpesh kulturat, si dhe disa nga tiparet e përbashkëta kulturore të rajonit, përbëjnë pengesë për zhvillimin dhe progresin. A ekzistojnë rrugë për të transformuar kulturën tonë në në funksion të zhvillimit dhe rritjes?

Çështja e kulturës është ndoshta më delikatja, sepse referimet mbi kulturën shpesh bëhen ose shumë sipërfaqësore ose shumë fataliste.

Dëgjojmë se rajoni frenohet nga mosbesimi, të menduarit afatshkurtër, hierarkia e tepërt, frika nga dështimi, informaliteti, apo prirja drejt rrjeteve të njohjeve personale në vend të sistemeve jopersonale. Ka njëfarë të vërtete në këto vëzhgime. Por kultura nuk është fat i paracaktuar. Kultura evoluon kur evoluojnë stimujt, kur evoluojnë institucionet, dhe kur shoqëritë fillojnë të shpërblejnë sjellje të ndryshme.

Nëse një i ri sheh që iniciativa ndëshkohet, konformizmi shpërblehet, dhe rregullat zbatohen në mënyrë selektive, atëherë kultura e hezitimit dhe e cinizmit do të riprodhohen. Por nëse institucionet fillojnë të shpërblejnë kompetencën, transparencën, bashkëpunimin dhe eksperimentimin, atëherë edhe normat kulturore fillojnë të ndryshojnë. Me fjalë të tjera, kultura ndryshon jo përmes leksioneve, por përmes përvojave të përsëritura se çfarë funksionon dhe çfarë vlerësohet.

Do të shtoja gjithashtu se rajoni ndonjëherë nënvlerëson një nga avantazhet e tij të forta potenciale: dendësinë e marrëdhënieve. Ballkani Perëndimor është një hapësirë afërsie, mbivendosjesh gjuhësore, referencash të përbashkëta historike, tregjesh të ndërthurura dhe familjariteti njerëzor. Këto mund të jenë burime fërkimi, po, por mund të transformohen edhe në avantazh ekonomik. Rajonet nuk zhvillohen vetëm përmes konkurrencës. Ato zhvillohen gjithashtu përmes rrjeteve, plotësueshmërive dhe platformave të përbashkëta.

Pyetja nuk është më thjesht si t’i mbajmë të gjithë njerëzit në vend. Pyetja është si ta shndërrojmë lëvizshmërinë në qarkullim, dhe qarkullimin në zhvillim.

Rajoni karakterizohet nga afërsi kulturore, gjeografike, madje edhe gjenealogjike-sociologjike. Nëse merret parasysh edhe kjo, duket logjike që mirëqenia e rajonit do të përfitojë shumë nga lidhshmëria më e lartë, një temë që e keni theksuar si në Forumin Ekonomik të Tiranës ashtu edhe në Forumin Ekonomik të Delfit. Megjithatë, kur dikush studion lidhjet shumështresore, duket se ekziston hapësirë e konsiderueshme e paeksploruar dhe e pashfrytëzuar për sinergji dhe bashkëpunim. Si mund të trajtohen dhe të arrihen të gjitha këto?

Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të bëhet diçka tjetër për të pasur sukses. Ka nevojë të bëhet më efektiv në përdorimin e asaj që tashmë ka: talenti, afërsia, energjia sipërmarrëse, aftësia për t’u përshtatur, dhe një ndërgjegjësim në rritje se modelet e vjetra të rritjes kanë arritur kufijtë e tyre. Dhe kapitulli i ardhshëm për rajonin nuk do të shkruhet vetëm nga deklarata të mëdha. Do të shkruhet nga fakti nëse mund të ndërtojmë institucione që mundësojnë besim, firma që mund të shkallëzohen, politika që mbështesin difuzionin, dhe bashkëpunim rajonal që krijon hapësirë më të madhe ekonomike, në vend të kompartimenteve më të vogla politike.

Nëse mund ta bëjmë këtë, atëherë Ballkani Perëndimor mund të kalojë nga të parit si periferi, në të kuptuarit si një pjesë e lidhur, inteligjente dhe gjithnjë e më e rëndësishme e së ardhmes së Evropës.

Ballkanit Perëndimor nuk i duhet të bëhet diçka tjetër për të pasur sukses. Duhet të bëhet më efektiv në përdorimin e asaj që tashmë ka: talent, afërsi, energji sipërmarrëse, përshtatshmëri dhe një ndërgjegjësim gjithnjë e në rritje se modelet e vjetra të zhvillimit kanë arritur kufijtë e tyre. Dhe kapitulli i ardhshëm për rajonin nuk do të shkruhet vetëm me deklarata të mëdha. Do të shkruhet nga fakti nëse mund të ndërtojmë institucione që mundësojnë besim, biznese që mund të zgjerohen, politika që mbështesin difuzionin teknologjik dhe bashkëpunim rajonal që krijojnë hapësirë më të madhe ekonomike në vend të “ndarjeve” politike.

Nëse mund ta bëjmë këtë, atëherë Ballkani Perëndimor mund të kalojë nga të konsideruarit si periferi, në të kuptuarit si një pjesë e lidhur, e mençur dhe gjithnjë e më e rëndësishme e së ardhmes së Evropës. Dhe kjo është arsyeja pse ka baza reale për optimizëm: sepse mundësia më e madhe e rajonit sot nuk qëndron tek pritja që historia të përmirësohet, por tek të mësuarit se si të vetorganizohet më mirë. Dhe së bashku.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.