“E ardhmja jo me Beogradin”- Spajiç paralajmëroi skenar destabilizimi në Malin e Zi, Bardhi: Shqipëria të sqarojë për
Me anë të një reagimi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, foli pas raportimeve në mediat malazeze se kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, paralajmëroi për veprimtari të koordinuara që synojnë destabilizimin e vendit.
Sipas raportimeve të bëra publike, Shqipëria dhe Serbia janë përmendur si dy vendet që mund të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve.
Bardhi i ka cilësuar këto raportime si “jashtëzakonisht serioze” dhe ka kërkuar nga qeveria shqiptare që t’i sqarojë menjëherë.
Bardhi tha se dëshiron të besojë që raportimet nuk janë të sakta, ndërsa kërkoi që qeveria shqiptare të japë një përgjigje zyrtare dhe të qartë.
Postimi i Gaz Bardhit:
“Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues në rajon!
Raportimet e mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria mund të jenë dy vendet të cilave iu referua kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kur paralajmëroi për veprimtari të koordinuara hibride nga dy vende në Rajon me synim destabilizimin e vendit, janë jashtëzakonisht serioze dhe nuk mund të kalohen në heshtje.
Dua të besoj se raportime të tilla nuk janë të sakta! Për këtë arsye, Qeveria shqiptare duhet t’i përgënjeshtrojë menjëherë dhe pa asnjë ekuivok. Nëse, ndërkaq, ekziston një bazë konkrete për këto shqetësime, opinioni publik shqiptar ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh dhe cilat janë përgjegjësitë e institucioneve shqiptare.
Është e papranueshme që Shqipëria të lejojë të krijohet qoftë edhe përshtypja se mund të jetë pjesë e ndonjë skenari të koordinuar me Serbinë për destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të bëhet instrument i askujt në rajon.
Politika e jashtme e Shqipërisë duhet të udhëhiqet nga interesat kombëtare, siguria rajonale dhe orientimi euroatlantik, jo nga pazare të errëta politike apo nga përpjekje për t’iu përshtatur agjendave të Beogradit. Mali i Zi është vend fqinj, partner dhe mik i Shqipërisë. Stabiliteti i tij është në interesin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Malin e Zi. Për më tepër, shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm politik, shoqëror dhe institucional në këtë vend.
Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim se Shqipëria mund të bashkëpunojë me Serbinë për veprimtari destabilizuese ndaj Malit të Zi do të ishte një skandal diplomatik dhe politik i përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria shqiptare nuk mund të heshtë përballë një situate të tillë.
Ajo duhet të kërkojë menjëherë, zyrtarisht dhe publikisht shpjegime nga Qeveria e Malit të Zi: A i referohej Kryeministri Spajiç Shqipërisë? A ka autoritetet malazeze informacion konkret që lidhet me institucione, individë apo struktura shqiptare? Dhe mbi çfarë të dhënash janë ngritur këto shqetësime?
Në të njëjtën kohë, Qeveria shqiptare duhet të japë një garanci të qartë dhe të pakushtëzuar se asnjë institucion i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në veprimtari që synojnë destabilizimin e Malit të Zi apo të cilitdo vend tjetër fqinj.
Në vend që të krijojë paqartësi të reja në rajon, diplomacia shqiptare duhet të punojë për të forcuar besimin me fqinjët tanë. Në vend që të përafrojë qëndrimet e Shqipërisë me agjenda që vijnë nga Beogradi, Tirana duhet të jetë në krah të vendeve që synojnë një rajon të qëndrueshëm, demokratik dhe evropian.
Në këtë kuadër, çdo hap i Qeverisë shqiptare që i shërben normalizimit të ndikimit politik të Serbisë në Shqipëri, pa transparencë dhe pa një vlerësim të qartë të interesit kombëtar, është i papranueshëm. Çështje të tilla si hapja e Konsullatës Serbe në Shkodër nuk mund të trajtohen si vendime rutinë administrative, të shkëputura nga realiteti gjeopolitik dhe nga interesat strategjike të Shqipërisë.
Shqipëria nuk ka nevojë për një politikë të jashtme që reagon pas ngjarjeve. Ka nevojë për një politikë të jashtme që parandalon krizat, mbron interesat kombëtare dhe ndërton aleanca të qëndrueshme me fqinjët dhe partnerët evropianë e euroatlantikë.
Prandaj, kërkojmë nga Qeveria shqiptare:
1-të kërkojë menjëherë sqarime zyrtare nga Qeveria e Malit të Zi;
2-të sqarojë publikisht nëse institucionet shqiptare janë përmendur apo kanë qenë objekt i ndonjë informacioni të sigurisë;
3-të garantojë se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë veprimtarie destabilizuese në rajon;
4-të informojë me transparencë opinionin publik për çdo zhvillim që prek sigurinë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje;
5-të rishikojë çdo hap diplomatik që mund të cenojë besimin e ndërsjellë me partnerët tanë rajonalë;
6-dhe të riafirmojë pa ekuivok orientimin strategjik të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe hapësirës euroatlantike.
Nuk mund të flasim për integrim evropian dhe, në të njëjtën kohë, të tolerojmë politika që krijojnë dyshime për koordinim me agjenda që cenojnë stabilitetin e fqinjëve tanë.
Nuk mund të pretendojmë se jemi faktor stabiliteti dhe të heshtim kur emri i Shqipërisë lidhet me pretendime për veprimtari destabilizuese. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të lejojmë që interesi kombëtar i Shqipërisë të bëhet pjesë e pazareve gjeopolitike të askujt.
Shqipëria duhet të jetë në krah të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Asnjë interes politik afatshkurtër nuk mund të justifikojë cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të rajonit.
E ardhmja e rajonit nuk është në Beogradin e së kaluarës, por në Evropën e së ardhmes. Dhe Shqipëria duhet të ketë guximin politik dhe diplomatik të qëndrojë në anën e duhur. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk është destabilizimi, përplasja apo rikthimi te logjika e konflikteve të së kaluarës. E ardhmja e tij është Bashkimi Evropian”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.