Ekonomia

Intervista/Zef Preçi: Paqartësi e politikave publike dhe klimë e përkeqësuar biznesi

bbIntervistë me z.Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Preçi: “Është e mundshme që rritja ekonomike të realizohet siç është parashikuar, nëse qeveria do të përmirësojë në terma reale klimën e biznesit, nëse në vend të kompanive fantazmë apo thjesht falë mbështetjes politike të mund të vijnë në vendin tonë kompani “brand names” në formën e Investimeve të Huaja Direkte, nëse qeveria dhe autoritetet vendore do të çlirohen nga sindroma e pushtuesit, d.m.th nga koncesionet e veprimtarive apo shërbimeve të rëndësishme të shtetit, me pasoja gati-gati të pariparueshme për të ardhmen e normalitetit demokratik dhe të ekonomisë së tregun në vendin tonë…”

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në vitin 2016, cilat janë shanset dhe rreziqet?

Në fakt, në këndvështrimin e pritshmërive makroekonomike prej më shumë se dy-tre vitesh, situata është aq e ngjashme, sa është e vështirë të dallosh njërin vit nga tjetri. Kjo situatë karakterizohet nga paqartësi të theksuara në politikat publike që ndiqen nga qeveria, një klimë biznesi në përkeqësim e shprehur kjo në ndryshueshmërinë e shpeshtë të tatim-taksave dhe rritjen e disa prej tyre, në tkurrjen e investimeve publike dhe private, në zvogëlimin e konsumit dhe rritjen tejet modeste të kreditimit të ekonomisë reale, një rritje ekonomike nën kapacitetin e ekonomisë dhe nën parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe atyre qeveritare vendase, borxh publik në kufijtë e kërcënimit të stabilitetit ekonomik në tërësi. Për fat të keq, këtyre paqartësive dhe rreziqeve ju shtua gjatë 2015-s edhe një rritje e shtrëngesës buxhetore dhe i ashtuquajturi “aksion antiinformalitet” dhe largimi i rreth 100 mijë shqiptarëve drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, një faktor ky i fundit që përbën edhe një kërcënim të ri afatmesëm dhe afatgjatë, drejt financave publike dhe rritjes ekonomike në tërësi. Pavarësisht kësaj panorame jooptimiste dhe krejt të ngjashme të pritshmërie të 2016-s me vitin 2015, duhet pranuar se parashikimi qeveritar për uljen e borxhit publik përbën ndoshta lajmin e vetëm pozitiv të fundvitit dhe deri diku, edhe shpresën për një kthesë pozitive të periudhës afatmesme drejt rritjes ekonomike të qëndrueshme. Kuptohet se kjo është e mundshme nëse rritja ekonomike do të realizohet siç është parashikuar, nëse qeveria do të përmirësojë në terma reale klimën e biznesit, nëse në vend të kompanive fantazmë apo thjesht falë mbështetjes politike të mund të vijnë në vendin tonë kompani “brand names” në formën e Investimeve të Huaja Direkte, nëse qeveria dhe autoritetet vendore do të çlirohen nga sindroma e pushtuesit, d.m.th nga koncesionet e veprimtarive apo shërbimeve të rëndësishme të shtetit, me pasoja gati-gati të pariparueshme për të ardhmen e normalitetit demokratik dhe të ekonomisë së tregun në vendin tonë.

Cilët janë sektorët që pritet të udhëheqin këtë rritje?

Është e vështirë të japësh një gjykim rreth sektorëve që do të mund të kontribuojnë më shumë në rritjen ekonomike të pritshme për vitin 2016. Kjo për faktin se vendit i mungon ende një strategji e integruar e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të tij, se për shkak të politikave fiskale të paqarta dhe arbitraritetit që prodhoi aksioni për mbledhjen e pagesave të energjisë elektrike dhe atij kundër informalitetit, si dhe bllokimi dyvjeçar i lejeve të ndërtimit dhe përqendrimi i tyre në duart e qeverisë qendrore, ka penguar edhe disa investime private, sidomos në fushën e punësimit, të nxitjes së prodhimit vendas dhe në shtimin e fuqisë eksportuese të ekonomisë. Pavarësisht kësaj, falë investimeve shumëvjeçare në infrastrukturë, por edhe një lloj fokusimi më të mirë të sektorit privat ndaj agropërpunimit, shpresoj që bujqësia si degë ekonomike të rrisë kontributin e saj në PBB, duke tentuar të rifitojë peshën që ka pasur vite më parë, e për rrjedhojë edhe sektori i turizmit, që përveç infrastrukturës së përmirësuar, pritet të shfrytëzojë edhe rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral në vend. Në sektorët e tjerë të ekonomisë “tradicionale” nuk mendoj se do të ndodhin ndryshime që do të mund të çojnë në një rritje sinjifikative të kontributit të tyre në PBB e vendit, Ndoshta disa prej investimeve të filluara vite më parë, në sektorin energjetik mund të ofrojnë kontributin e tyre gjithashtu.

Çfarë efekti prisni që të japin masat antiinformalitet në të ardhurat tatimore, gjithashtu dhe në ambientin për të bërë biznes dhe prirjet e konsumit?

Kjo çështje është trajtuar disa herë dhe me gjithë faktin se qeveria ishte në të drejtën dhe detyrën e saj, me një qëllim qartësisht në interes të publikut, mungesa e kapaciteteve të nevojshme të administratës fiskale, eksperimenti me të rinjtë e papërvojë në administrimin fiskal, trajtimi i zhbalancuar i ndëshkimit duke injoruar edukimin dhe për më tepër, ndërhyrjet arbitrare në kuadrin ligjor për masa dhe gjoba drastike, ndëshkim penal, të cilat janë lënë pas prej dy shekujsh në vendet demokratike me ekonomi të tregut të lirë, paqartësitë në dallimin midis evazionit dhe informalitetit, injorimi i mentalitetit të bizneseve dhe qytetarëve etj., krijuan një situatë të pafavorshme për suksesin e këtyre masave. Aq më tepër që fokusimi në biznesin e vogël, përpjekjet për fiskalizimin e çdo shërbimi, por edhe ndërmarrja në mënyrë të njëkohshme e një numri masash të tilla, e cenuan disi edhe qëllimin e mirë dhe nuk lejuan që biznesi të përshtatej si dhe sa duhet, por t’i shihte masa të tilla si tendencioze, si të ndërmarra nën presionin dhe në favor të bizneseve të mëdha. (disa prej tyre rezultuan më vonë edhe si evazorët dhe pse jo, kontrabandistët më të mëdhenj që krijuan një gropë të frikshme në të ardhurat vjetore buxhetore). Për rrjedhojë, në fund të vitit 2015, më shumë se një në katër biznese rezulton i pezulluar apo me status pasiv, pa folur për bizneset që kanë vënë nën sekuestro për mospagim detyrimesh. Në vlerësimin tim, injorimi i faktit që disa prej tyre kanë numër të madh punëtorësh, luajnë rol të rëndësishëm në eksporte etj. D.m.th trajtimi “en block” dhe në mungesë të masave lehtësuese (jo amnistive) por të mbështetura mbi bazën e analizave që marrin në konsideratë sjelljen e fakteve dhe aktorëve të ndryshëm në tregje, po rrezikon edhe gjatë vitit 2016, synimet e mira për të zgjeruar bazën tatimore të kontributeve në tatim-taksa. Për rrjedhojë edhe masat populiste të faljes apo riklasifikimit të bizneseve për defekt taksash, nuk mendoj se do të zbutin perceptimin negativ të krijuar rreth “aksionit të qeverisë”. Madje, mendoj se rrezikojmë të përballemi me një situatë ku do të rritet numri i bizneseve të regjistruara apo punonjësve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, por jo me të njëjtat ritme të kontributeve në tatim-taksa, apo sigurime shoqërore, e në tatimin mbi të ardhurat personale. D.m.th do të jetë një sfidë e vërtetë përmirësimi i klimës së biznesit në vend, si rezerva e madhe për normalizimin e situatës dhe futjen e ekonomisë sonë kombëtare, në binarët e rritjes së qëndrueshme.

Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?

Kjo është një çështje që kërkon analiza më të thelluara dhe një përfshirje sa më të gjerë të ekspertëve në debatin rreth kësaj çështjeje. Pajtohem me konkluzionin se burimet e derisotme ekstensive të rritjes janë duke shteruar, por mendoj se orientimi drejt faktorëve të rinj, kërkon së pari një strategji të zhvillimit ekonomik, të paktën për një periudhë 7–10 vjeçare. Po kështu, është e nevojshme që reformat e premtuara në arsimimin e popullsisë dhe sidomos të rinisë, të thellohen dhe të mos mbeten në kuadrin e deklaratave të qëndrimeve populiste të qeverisë, si dhe të ndiqen politika më të kujdesshme, në favor të interesave të ekonomisë sonë kombëtare dhe jo të oligarkisë në fushën e koncesioneve.

Qeveria parashikon të dalë në vitin 2016 me balancë primare pozitive. Sa të arritshëm e shikoni këtë objektiv dhe planet e qeverisë për konsolidimin fiskal afatmesëm (duke pasur parasysh se në 2015, financat dështuan dy herë në parashikimin për rritjen e të ardhurave dhe e përqendruan konsolidimin te shkurtimi i shpenzimeve). 

Përvoja ka treguar se përgjithësisht qeveria tregohet më shumë sa duhet optimiste, me të ardhurat se kështu justifikon kryerjen e shpenzimeve dhe të investimeve kapitale, në funksion të zbatimit të programit të saj politiko-qeverisës. Aq më tepër kur viti elektoral duket në horizont. Të shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë gjatë 2016-s, d.m.th. që objektivat fiskale të mund të realizohen sipas parashikimit. Në këtë mënyrë, shpresoj që vendi ynë të fillojë t’i largohet rrezikut të një krize të ngjashme me atë që po përjeton prej 5-6 vitesh Greqia. Se në fund të fundit, duhet pranuar se një situatë e paqëndrueshme politike e vendit ose p.sh. zgjedhjet elektorale të parakohshme do të rrezikonin seriozisht stabilitetin makroekonomik të vendit dhe posaçërisht objektivat e rritjes ekonomike e parashikimet e të ardhurave buxhetore përkatëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button