Ekonomia

Investitorët gjermanë kërkojnë siguri ligjore, transparencë, administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo të korruptuar

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi dje pasditë pritjen e përvitshme të DIHA-s, për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) ftoi kompanitë e saj anëtare dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës dhe organizatave ndërkombëtare në pritjen e përvitshme pranë Hotel Rogner në Tiranë. Të pranishëm ishin më shumë se 100 pjesëmarrës, ndër të cilët Ministra, Kryetarë të Komisioneve Parlamentare, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si OSCE, GIZ, KfW, BERZH, IRZ, FES, KAS, EURALIUS, të cilët u përshëndetën në fillim nga Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg. Në fjalën e saj ajo përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë. Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit që po përjeton vendi aktualisht.

 Si një shoqatë që ka në fokus të saj, përmirësimin e kushteve ekonomike, të cilat janë bazë për nxitjen e investimeve, tregtisë dhe shërbimeve në Shqipëri, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, DIHA ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe ofron mbështetjen e saj për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Sipas znj. Sieg, lufta kundër problemeve si korrupsioni, burokracia, papunësia, etj. (të cilat rrjedhimisht çojnë në rritjen e emigracionit), duhet të jetë prioritet i përbashkët i Qeverisë, biznesit dhe të gjithë shoqërisë.

 Ambasadorja Gjermane, znj. Susanne Schütz, përshëndeti gjithashtu të ftuarit dhe theksoi në fjalën e saj se:  “Shqipëria ka një potencial ende të pashfrytëzuar në shumë fusha, para së gjithash në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, bujqësisë moderne dhe shërbimeve. Ne shohim tashmë një interes të shtuar të sipërmarrjeve gjermane për Shqipërinë. Jam e sigurt se ky interes do të rritet dhe konkretizohet më tej, dhe aq më tepër që Shqipëria po përgatitet për fazën e ardhshme të Procesit të Integrimit Evropian.”

 “Investitorët dëshirojnë të dëgjojnë histori suksesi nga sipërmarrje, të cilat janë tashmë prezente në tregun shqiptar. Ajo çka kërkojnë investitorët në Shqipëri është: siguri ligjore, transparencë dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo të korruptuar. Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara përsa i përket një mjedisi “fair” në sektorin e ekonomisë në Shqipëri. Dëshiroj të inkurajoj të gjithë pjesëmarrësit, të rigjallërojnë entuziazmin e tyre, i cili u zgjua këtu në Tiranë në maj të vitit 2015 nga Kancelarja Federale, Angela Merkel gjatë hapjes së Konferencës Ekonomike Gjermano-Shqiptare”, shtoi më tej Ambasadorja Gjermane Schütz.

 Më pas fjalën e mori Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Ajo theksoi se Gjermania është një ndër 3 partnerët strategjikë të Shqipërisë, një nga 7 investitorët më të mëdhenj në vend, me një portofol prej 123 milionë euro dhe për këtë arsye, shteti shqiptar e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me komunitetin gjerman të biznesit. Sipas saj, DIHA po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij bashkëpunimi.

Pasi përmendi arritjet e deritanishme, ajo vuri në dukje se Qeveria Shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri. Rritja e eficencës së administratës tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri dhe ofroi mbështetjen maksimale nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në përfundim, të ftuarit patën mundësinë të diskutonin lidhur me sukseset e deritanishme dhe mundësitë për përmirësime e bashkëpunime sa më të frytshme në këtë vit që ka nisur, si dhe të zgjeronin kontaktet e biznesit.

Rreth Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA)

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë.

DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe këshillon kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe kërkime tregu. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK ka në të gjitha vendet, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane. Deri më tani numërohen 92 shtete me mbi 140 zyra përfaqësie në të gjithë botën 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button