Investitorët italianë kërkojnë luleshtrydhen shqiptare
Kosto e lirë e fuqisë punëtore po tërheq investitorët italianë drejt mbjelljes së serave me luleshtrydhe në Shqipëri. Problem mbetet vështirësia për të siguruar sipërfaqe të mëdha. Sa i “ëmbël” është biznesi që po gjen gjithnjë e më shumë terren në vend…
Një grup investitorësh nga rajoni Italian i Pulias po studiojnë mundësinë për të investuar në ndërtimin e serave me luleshtrydhe në Shqipëri, duke shfrytëzuar dhe projektet ndërkufitare të Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë. Astrit Mero, përfaqësuesi i këtij grupi, pohon se ata janë në diskutime me institucionet shqiptare për të siguruar terrenet e përshtatshme për ndërtimin e serave, ku parashikojnë të kultivojnë luleshtrydhe me synim tregun e brendshëm dhe eksportin.
Jugu i Italisë është i njohur për kultivimin e luleshtrydhes, i organizuar në formën e kooperativave dhe serave të mëdha, një model pozitiv për t’u ndjekur, sidomos në zonën e Basilicata, që në vitin 2015 u bë rajoni kryesor i Italisë për prodhimin e frutit të kuq. Në gjithë Italinë sipërfaqja e mbjellë i afrohet 4000 hektarëve, me një prodhim vjetor prej 110 mijë tonësh, 44 mijë në fushë të hapur dhe 66 mijë në sera.
Për investitorët italianë, asryeja kryesore që i tërheq në Shqipëri lidhet me krahun e lirë të fuqisë punëtore, por edhe klimën e terrenin e favorshëm. “Në Shqipëri një punëtor paguhet me 150 euro në muaj, ndërsa në Itali paga arrin edhe 70 euro dita, apo 1500-2000 euro në muaj”, thotë Astrit Mero, i cili ka një përvojë të gjatë në Itali në kultivimin e luleshtrydheve, ndërsa vitet e fundit e ka sjellë këtë eksperiencë dhe në Shqipëri, si partner në investitorë të ndryshëm.
Problemi kryesor për investitorët e Pulias mbetet sigurimi i sipërfaqeve të mëdha, një shqetësim ky për gjithë bujqësisë shqiptare, me sipërfaqe të parcelizuara, ku një fermë ka mesatarisht 1.4 hektarë, sipas statistikave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë.
Një investim i tillë kërkon minimalisht 10 hektarë, në mënyrë që të ketë rendiment të lartë dhe të garantojë prodhim të mjaftueshëm për eksport, ndërsa investitorët puliezë janë të interesuar për një sipërfaqe prej 50 hektarësh.
A ia vlen investimi?
Luleshtrydhja është e ëmbël jo vetëm në shije, por edhe në biznes. Mero tregon se për një hektar, investimi i nevojshëm për serat arrin nga 20-25 mijë euro, ku 12 mijë euro duhen për blerjen e fidanëve (janë të nevojshme 70 mijë fidanë për një hektar).
4500 euro kushtojnë tubat e hekurit (900 tuba për një ha) për ngritjen e serave, 4000 euro për plasmasin që mbulon serën dhe pjesa tjetër shkon për sistemin e ujitjes dhe fuqinë punëtore.
Për një sipërfaqe prej 1 hektarësh kërkohen tre punonjës të përhershëm, ndërsa në periudhën e sezonit të mbjellljes dhe vjeljes duhen minimalisht 15 punonjës.
Investimi mund të nxirret që në vitin e parë. Prodhimi është i garantuar 25-30 ton për hektarë në vit, por mund të arrijë dhe deri në 40 ton. Luleshtrydhja shitet në tregun e brendshëm me 1.5 euro për kile, çka nënkupton që të ardhurat në vit mund të arrijnë 35-40 mijë euro.
Sa më e madhe sipërfaqja e mbjellë, aq më potencial ka për të eksportuar produktin, me çmim më të shtrenjtë.
Kostot në vitet e mëpasshme janë më të ulëta se investimi filletsar, ku pjesën kryesore e zënë fidanët. Burimi kryesor i fidanëve është Kalifornia, që njihet për cilësinë e lartë të tyre, por dhe Spanja, ndërsa duhet bërë kujdes për të shmangur fidanët jo organikë, që kanë nisur të përdoren rëndom në Shqipëri. Sistemi i ujitjes dhe hekurat për ngritjen e serave janë investim i qëndrueshëm, që bëhet vetëm në fillim, ndërsa plasmasët ndërrohen një herë në dy-tre vjet.
Sipërfaqja e mbjellë arrin në 90 hektarë
Vitet e fundit është shtuar interesi në vend për kultivimin e luleshtrydhes. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2014, si sipërfaqja edhe sasia e prodhuar u dyfishua. Në 2014-n janë mbjellë 45 hektarë me luleshtrydhe, nga 25 hektarë që ishin mbjellë një vit më parë. Kjo sipërfaqe e shtuar bëri që edhe sasia e prodhimit të saj të rritej po me këto ritme. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi u rrit me 1.8 herë, për të arritur në 1425 tonë në 2014-n.
Në gjeografinë e prodhimit kryeson dukshëm Fieri, me 77% të të gjithë tregut, ndërsa edhe Lushnja zë 18%.
Rritja e prodhimit vendas ka bërë, që nga një treg i furnizuar gati 90% nga importi, deri në vitin 2010, jo vetëm të zëvendësohen importet, por edhe të fillojnë me dërgesat e para të luleshtrydheve jashtë vendit.
Sipas projektit “AgroKapital”, financuar nga USAID, sipërfaqja e mbjellë me luleshtrydhe ka arritur aktualisht në 90 ha. Për vitin 2016 prodhimi pritet të jetë rreth 3,000-3,500 ton. Vjeljet e para në sasi të limituara kanë filluar që nga 25 nëntori por prodhimi maksimal arrihet nga 15 marsi deri 15 maj. Gjithsesi vjelja vazhdon deri në fund të qershorit. Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet e kësaj zone eksportohen dhe jashtë vendit më së shumti në Bullgari, Mali i Zi, Kosovë dhe rajon. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë të siguruara nga AgroWeb (pjesë e Agrokapital), vendin e parë për eksporte me vendet e CEFTA-s në 6 mujorin e parë 2015, e zë Bosnje dhe Hercegovina.
Për shkak të kushteve specifike dhe klimës mesdhetare, mundësia e prodhimit të luleshtrydhes në vendin tonë është e lartë.
Fidanët e luleshtrydheve vijnë nga Spanja, një prej tregjeve më të mëdha të rritjes dhe kultivimit të luleshtrydheve e farave të tyre. Farërat mbajnë certifikatën e Universitetit të Kalifornisë. Kjo ka mundësuar që prodhimi të jetë cilësor i përshtatshëm për industri dhe konsum të freskët. Kohëzgjatja e prodhimit është tre deri në pesë muaj në vit, në varësi të kushteve të motit. Periudha më e përshtatshme është mars-maj.
Luleshtrydhet, tregu botëror 3.6 miliardë tonë
Sipas të dhënave të FAO-s, tregu botëror i luleshtrydheve shënon një rritje prej 3-4% në vit. Sasia e prodhuar e luleshtrydheve i ka kaluar 3.6 miliardë tonë prodhim gjatë vitit të kaluar. Prodhimi po konsumohet gjithnjë e më shumë i përpunuar. Struktura e tregut pak ka ndryshuar ndër vite. Prodhuesi kryesor është Amerika, ndërsa në eksporte kryeson Spanja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë mbi 30% të totalit të prodhimit global të luleshtrydhes. Sipas të dhënave zyrtare, luleshtrydhet janë fruta e katërt më e rëndësishme e prodhuar në SHBA, për nga vlera e prodhimit, pas rrushit, portokajve dhe mollës. Prodhimi amerikan i luleshtrydheve është i përqendruar mbi të gjitha në zonat jugore dhe bregdetare të Kalifornisë, për shkak të klimës së përshtatshme. Florida dhe Oregoni janë dy shtetet e tjera më të mëdha prodhuese. i gjithë prodhimi i Floridës është për tregun e freskët. Florida është prodhuesi më i madh në SHBA për stinën e dimrit. Kalifornia është vendi kryesor për rritjen e fidanëve, nga i cili furnizohet pothuajse gjithë bota.
Eksportet e SHBA-së janë të drejtuara kryesisht në Amerikën e Veriut dhe pjesa më e madhe e tyre shkon në Kanada. Meksika është furnizuesi (eksportuesi) kryesor në Amerikë.
Tregtinë ndërkombëtare të këtij produkti e kryeson Spanja. Në pesë vitet e fundit, luleshtrydhet spanjolle kanë mbushur tregjet e huaja. Në vitin 2010, sektori i luleshtrydheve në Spanjë siguroi 397 milionë euro nga shitjet jashtë vendit. Spanja e ka pozicionuar veten si burimi kryesor i këtij prodhimi për pesë kontinente. Që nga viti 2007, ajo është eksportuesi kryesor në botë i luleshtrydheve. Këtë e realizon për procesit të kultivimit intensiv, çka i mundëson të mbledhë disa të lashta në vit.
Në botë llogariten mbi 700 lloje luleshtrydhesh. Përveç shijes, ato vlerësohen për efektet kurative. Të pasura me vitaminë C, kalium, e magnez ato janë shumë të mira për forcimin e sistemit imunitar.