IRAN – Shpërthime në ishullin Kharg, qendër e rëndësishme e eksporteve të naftës
TEHERAN, 8 shtator /ATSH-DPA/- Mediet iraniane raportuan sot në mbrëmje për disa shpërthime në ishullin Kharg, në Gji si dhe pranë qytetit portual Jask, në ngushticën e Hormuzit.
Agjencia Mehr, pranë qeverisë iraniane, raportoi se shpërthimet u dëgjuan në disa zona të Khargut, përfshirë zonën portuale.
Fillimisht nuk kishte informacion zyrtar mbi shkakun e shpërthimeve apo për dëme të mundshme.
Ndërkohë, agjencia iraniane Fars raportoi se shpërthime u dëgjuan edhe pranë Jaskut, në juglindje të Iranit.
Raportimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ishulli Kharg ka rëndësi të veçantë strategjike dhe ekonomike për Iranin, pasi aty ndodhet terminali kryesor i eksportit të naftës së vendit.
Një pjesë e madhe e prodhimit iranian të naftës transportohet përmes këtij ishulli.
Për shkak të rëndësisë së tij strategjike, Khargu ishte goditur vazhdimisht gjatë luftës Iran-Irak, nga viti 1980 deri më 1988.
Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat më të nxehta të konfliktit mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Irani vazhdon të pengojë në masë të madhe lundrimin përmes ngushticës, ndërsa SHBA-ja po kërkon të rrisë presionin ndaj Teheranit përmes një bllokade detare të porteve iraniane.
Të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr disa herë gjatë javëve të fundit. Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi globale për transportin e naftës, gazit natyror dhe plehrave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.