Disa vatra zjarri në Elbasan dhe Librazhd, nuk ka rrezik për zonat e banuara!
Situata e zjarreve në Qarkun e Elbasanit vijon të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa disa vatra janë shfaqur sërish gjatë ditës në zona të ndryshme të Librazhdit dhe Prrenjasit.
Një nga vatrat që vijon të jetë aktive raportohet në Gurëshpatë të Librazhdit. Për përballimin e situatës, në terren është angazhuar MZSH Librazhd, me një automjet zjarrfikës dhe gjashtë efektivë, të cilët po punojnë për kontrollin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Sipas informacionit të fundit, zjarri në Gurëshpatë nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, ndërsa shërbimet zjarrfikëse vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren.
Në Malin e Qukësit, në territorin e bashkisë së Prrenjasit, vatra e zjarrit e cila është aktive prej pesë javësh është aktualisht nën mbikëqyrje. Shërbimet e MZSH-së po monitorojnë situatën për të shmangur riaktivizimin apo përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera.
Ndërkohë, gjatë ditës janë raportuar vatra edhe në Malin e Polisit dhe në zonën e Hotolishtit, duke rikthyer problematikën e zjarreve në disa prej zonave malore të qarkut.
Zjarrfikësit e Librazhdit janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në përballimin e situatës, duke ndërhyrë në terrene të vështira dhe të thyera, ku puna për shuarjen e flakëve bëhet më e vështirë për shkak të aksesit të kufizuar dhe kushteve në terren, raporton gazetari Fatmir Popja.
Efektivët vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo situatë të re, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së banorëve, pronave dhe sipërfaqeve pyjore.
Shërbimet zjarrfikëse u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zona me bimësi dhe pyje.
Në këtë situatë, efektivët e MZSH-së vijojnë punën në terren, shpesh për orë të tëra dhe në kushte të vështira, për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa situata në Gurëshpatë, Malin e Qukësit, Malin e Polisit dhe Hotolisht vijon të monitorohet nga strukturat përgjegjëse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.