Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, akuzohet nga një juri federale
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është akuzuar nga një juri federale, një përshkallëzim i jashtëzakonshëm në përpjekjet e presidentit Donald Trump për të ndjekur penalisht armiqtë e tij politikë.
Comey, një kundërshtar i hershëm i presidentit, tani është zyrtari i parë i lartë i qeverisë që përballet me akuza federale lidhur me një nga ankesat më të mëdha të Trump: hetimin e vitit 2016 mbi dyshimet për bashkëpunim mes fushatës së tij të parë presidenciale dhe Rusisë.
“DREJTËSI NË AMERIKË! Një nga qëniet më të këqija që ky vend ka parë ndonjëherë është James Comey, ish-kreu i korruptuar i FBI-së,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se Comey është akuzuar për deklarata të rreme dhe pengim të një procedure kongresionale, dhe nëse shpallet fajtor, mund të përballet me deri në pesë vite burg.
Të dyja akuzat lidhen me dëshminë e tij më 30 shtator 2020 para Komitetit Gjyqësor të Senatit.
Sipas departamentit, Comey dëshmoi se “ai nuk kishte autorizuar askënd në FBI të ishte burim anonim.” “Sipas aktakuzës, kjo deklaratë ishte e rreme.”
Në një video në Instagram, Comey reagoi ndaj aktakuzës duke thënë: “Le të kemi një gjyq. Mbani besimin.”
“Zemra ime është e thyer për Departamentin e Drejtësisë, por kam besim të madh në sistemin gjyqësor federal dhe jam i pafajshëm,” shtoi ai.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi shkroi në një postim në X: “Askush nuk është mbi ligjin.”
“Sot aktakuza pasqyron angazhimin e këtij Departamenti të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pushtetin duke mashtruar popullin amerikan,” shkroi Bondi. “Ne do të ndjekim faktet në këtë çështje.”
Akuza u paraqit nga Lindsey Halligan, ish-avokatja personale e Trump dhe tashmë kryeprokurore në Distriktin Lindor të Virxhinias. Ajo nuk ishte e shoqëruar nga ndonjë prokuror karriere dhe është e vetmja zyrtare e Departamentit të Drejtësisë që ka nënshkruar dokumentet e akuzës.
Gjatë një seance të shkurtër, gjykatësi njoftoi çështjen e re ndaj Comey dhe deklaroi publikisht se 14 jurorë kishin rënë dakord për aktakuzën mbi deklaratat e rreme dhe pengimin e një procedure kongresionale.
Dyshimet dhe presioni politik
Aktakuza e së enjtes mbrëma vjen pasi CNN kishte raportuar më herët për shqetësimet që Bondi dhe disa prokurorë kishin për këtë rast.
Bondi është nën presion nga Trump, i cili kërkon që armiqtë e tij politikë të përballen me akuza penale ashtu siç u përball ai vetë. Por avokatë në Distriktin Lindor të Virxhinias kishin hartuar një memo ku shprehnin rezerva mbi nisjen e aktakuzës, raportoi fillimisht ABC News.
Një burim i afërt me Bondi tha se ajo kishte dyshime për rastin, i cili fokusohet në pyetjen nëse Comey ka dhënë deklarata të rreme gjatë dëshmisë së tij në Kongres për hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Megjithatë, Bondi ka besuar se ishte e mundur që çështja të çohej përpara.
Vonë të enjten, Bondi reagoi ndaj raportimit të CNN duke thënë: “Kjo është një gënjeshtër e pastër.”
Të mërkurën në mbrëmje, ajo kishte darkuar në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë me Trump dhe të tjerë.

Rachel Campos-Duffy/X
Qëndrimi i Trump dhe reagimet e brendshme
Publikisht dhe privatisht, Trump është ankuar se prokurorët ishin të gatshëm të ngrinin raste të shumta penale ndaj tij kur ishte jashtë detyre, ndërsa ai kërkon që Departamenti i Drejtësisë të veprojë po aq shpejt edhe kundër kundërshtarëve të tij politikë.
“Unë dua që njerëzit të veprojnë. Dhe duam të veprojmë shpejt,” u tha Trump gazetarëve të shtunën para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë. “Nëse nuk janë fajtorë, kjo është në rregull. Nëse janë fajtorë, ose nëse duhet të akuzohen, ata duhet të akuzohen, dhe duhet ta bëjmë tani.”
Disa brenda Shtëpisë së Bardhë e shohin gatishmërinë e Halligan për të çuar përpara këtë çështje si një sakrificë për të kënaqur Trump – dhe ky ishte arsyeja pse ajo u zgjodh të drejtonte Distriktin Lindor të Virxhinias. Ndërkohë që disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë janë të shqetësuar për forcën e rastit kundër Comey, ndihmësit politikë shprehin një tjetër pikëpamje: Trump u ndoq penalisht, ndaj njerëz si Comey meritojnë të ndiqen po ashtu.
Thirrje për llogaridhënie
“Jam gjithmonë i lumtur të flas për Comey, i cili sigurisht është i korruptuar, i përfshirë në veprime të paligjshme dhe i cili ishte në qendër të ‘Russiagate’, sulmit ndaj demokracisë amerikane,” tha Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë për Fox News. “Duhet të çojë diku, te llogaridhënia.”
Këshilltari tregtar i Trump, Peter Navarro, këtë javë bëri thirrje që Comey të burgoset për një sërë ankesash të botës Trump, shumë prej të cilave prokurorët federalë i kanë shqyrtuar më parë dhe nuk kanë gjetur arsye për të ngritur akuza.
Navarro ka vuajtur dënim në burg federal për mosrespektim të thirrjeve të Kongresit gjatë hetimit për përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, që çuan në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA.
“Ka shumë njerëz që në mendimin tim duhet të jenë në burg, dhe mendoj se edhe në gjykimin e shumë njerëzve në administratën Trump,” tha Navarro. “James Comey është tani në krye të kësaj liste.”



