ISIS-i sulmon bazën amerikane në Irak
Zyrtarët irakianë thonë se grupi Shteti Islamik, sulmoi, por dështoi në përpjekjen për të hynte në një bazë ushtarake amerikane në provincën Anbar të Irakut.
Baza amerikane Ain al Assad ndodhet 35 kilometra në veriperëndim të Ramadait, kryeqyteti i provincës Anbar. Në bazë ndodhen 300 trupa amerikane, misioni i të cilave është të stërvisin luftëtarë irakianë.
Kjo bazë strategjike irakiane ka disa javë që është e rrethuar nga forcat e grupit ISIS. Sipas shtypit irakian, baza u godit me raketa katjusha dhe më pas u sulmua nga disa autorë sulmesh vetë-vrasëse. Sipas një zyrtari irakian 8 persona me mision sulm-vetë-vrasës u eliminuan para se të hynin në perimetrin e bazës, përcjell Zëri i Amerikës.
Anëtari i Këshillit Provincial të Anbarit, Ra’ed Amash tha se në qytetin e al Bagdatit, 15 kilometra larg bazës amerikane, u zhvilluan luftime të ashpra, kur forcat e grupit ISIS u përpoqën ta merrnin nën kontroll. Sipas tij, militantët u përpoqën të hynin në qytet përmes lumit, arritën të merrnin nën kontroll një numër ndërtesash, por ndeshën në rezistencë nga banorët vendas dhe u detyruan të tërhiqen.
Disa media arabe dhe irakiane njoftojnë për “dhjetëra militantë të grupit ISIS të vrarë” dhe “trupa militantësh të shpërndarë në rrugët e qytetit”. Zëri i Amerikës nuk i ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këto njoftime.
Khattar Abou Diab, profesor i shkencave politike në Universitetin e Parisit, i tha Zërit të Amerikës se ai mendon se ish oficerë të ushtrisë së Sadam Huseinit, mund të jenë duke ndihmuar grupin ISIS në betejën kundër bazës Ain al Assad.
Sipas një zyrtari amerikan, forcat irakiane e zmbrapsën sulmin e grupit ISIS dhe kanë rivendosur sigurinë në perimetrin përreth bazës.