Izraeli bombardon objektiva në Siri
Avionë luftarakë izraelitë kanë sulmuar me sa duket objekte në Siri. Siç bëjnë të ditur mediat siriane dhe libaneze, sulmet prekën rajonet që ndodhen nën kontrollin e ushtrisë siriane.
Televizioni shtetëror sirian flet për dy sulme: njërin sulm në afërsi të aeroportit ndërkommbëtar të Damaskut dhe një tjetër kundër qytetit Dimas, i cili ndodhet pranë kufirit me Libanin. Sipas raportimit, në sulme nuk ka pasur të vrarë. Një grup opozitar sirian foli për të paktën dhjetë shpërthime. Edhe kanali televiziv libanez Al-Manar-TV, i cili mbështetet nga Hizbollatë, njoftoi për sulme ajrore në afërsi të Dimas.
Nga Izraeli fillimisht nuk pati konfirmim për sulme ajrore në vendin fqinj arab. “Ne nuk komentojmë informacionet e mediave të huaja”, i tha një zëdhënëse ushtarake agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Mediet izraelite përhapën supozimin se objektiv i sulmeve izraelite mund të kenë qenë depo me sisteme të mbrojtjes raketore, për të penguar një dërgim të mundshëm armësh milicëve Hisbollah.
Luftë në kufi
Izraeli ka ndërmarrë në të kaluarën shumë herë sulme kundër pajisjeve ushtarake në Siri, pa ndërhyrë direkt në luftën midis regjimit sirian dhe kryengritësve. Në shtator Izraeli rrëzoi një avion luftarak sirian mbi Lartësitë Golan.
Luftimet që vazhdojnë të ushtrisë qeveritare siriane kundër kryengritësve janë shtrirë herë pas here në zonën e demilitarizuar të Lartësive Golan në kufi me Izraelin. Kjo ka bërë që të shkelet marrëveshja e armëpushimit. Në verë kryengritësit sirianë patën marrë thuajse krejtësisht kontrollin mbi shpatet lindore të Lartësive Golan. Ushtria qeveritare u përpoq pas kësaj që t’i rifitonte zonat e humbura me mbështetje nga ajri.
Pas luftës, në vitin 1974 në Lartësitë Golan u stacionuan ushtarë të Kombeve të Bashkuara, për të ndarë nga njëri-tjetri Sirinë me Izraelin. Rreth 1200 ushtarët e OKB-së (UNDOF) u përfshinë herë pas here në luftën aktuale civile siriane.
Izraeli pati deklaruar në të kaluarën disa herë, se do të pengojë që armë ose gaz helmues nga arsenali i ushtrisë siriane të bien në duart e kryengritësve islamikë ose të milicëve antiizraelitë Hizbollah.