Izraeli planifikon të mbyllë kanalin televiziv Al Jazeera
Në kuadër të përshkallëzimit të fushatës ushtarake ndaj Hamasit, Izraeli ka ndërmarrë hapa për të goditur një media të cilën e akuzon se po përkrah grupin militant.
Si pjesë të rregullave të situatës së jashtëzakonshme, Izraeli ka përfshirë një plan për të mbyllur zyren e kanalit televiziv Al Jazeera për shkak të transmetimit, sipas autoriteteve izraelite, të propagandës së Hamasit.
Kritikët e këtij plani thonë se përpjekjet për të heshtur gazetarët apo një organizatë të tërë mediatike janë cenzurë.
Drejtorja ekzekutive e organizatës “Neni 19” për lirinë e shtypit, Quinn McKew thotë se një veprim i tillë është shqetësues.
“Ndalimi i qasjes ndaj informacionit dhe mbyllja e një agjencie legjitime lajmesh, siç është Al Jazeera, kurrë nuk duhet pranuar lehtësisht dhe ky është një hap shqetësues i humbjes së një burimi të besueshëm lajmesh, që krijon një hendek informacioni për audiencat në mbarë botën dhe Lindjen e Mesme.”
Konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është shoqëruar me dezinformata dhe keqinformime të qëllimshme si mjet lufte. Informacionet e pavërteta janë të dukshme në internet, sidomos në rrjetet sociale.
Organizatat për mbrojtjen e mediave thonë se roli i organizatave mediatike për të demaskuar dezinformimin është qenësor dhe se asnjë zë nuk duhet heshtur.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe ekspertë të tjerë të medias po nxisin Izraelin të mos e ndërmarrë një hap të tillë drastik.
Radioja publike amerikane NPR ka një ekip prej tetë gazetarësh që po mbulojnë luftën nga terreni. Drejtuesi i kësaj medie, John Lansing, që dikur drejtonte Agjencinë Amerikane për Media Globale, brenda së cilës funksionon edhe Zëri i Amerikës – thotë se detyra parësore e gazetarëve është e vërteta.
“Vetëm vigjilencë. Pavarësisht a bëhet fjalë për Zërin e Amerikës, transmetuesin NPR apo gazetën New York Times, duhet ta kemi të qartë, se krejt çfarë kemi është besueshmëria Çdo gjë që kërcënon besueshmërinë e asaj që njerëzit lexojnë apo shikojnë është dështim, dhe ne duhet gjithmonë t’iu japim përparësi audiencave tona.”
Ministria izraelite e Informimit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të komentuar. Por ministritë e informimit dhe të mbrojtjes akuzojnë kanalin Al Jazeera për njëanshmëri pro-Hamasit dhe për përhapje të propagandës.
Izraeli thotë se e konsideron raportimin e Al Jazeera-s kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, ushtarëve dhe civilëve të tij.
Al Jazeera nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.
Por kodi i etikës së publikuar nga kjo organizatë mediatike thotë se gazetarët e saj duhet të sillen në përputhje me vlerat e paanësisë dhe pavarësisë.
Disa organizata për mbrojtjen e mediave thonë se Al Jazeera nuk është një organizatë mediatike çfarëdo që shpërndanë dezinformata.
“Ata ofrojnë një këndvështrim shumë interesant, të balancuar dhe të veçantë. Mbyllja dhe heqja e tij nga transmetimi do të ishte një hap rrënqethës për lirinë e shprehjes dhe në atë rajon, do të hapte rrugën për kufizime dhe shtypje tp tjera tp tp drejtave”.
Me përshkallëzimin e konfliktit, ekspertët e mediave po përcjellin me kujdes lëvizjet që mund të kufizojnë mbulimin e ngjarjeve nga dy anët e luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.