Kosova

Jahjaga në Kuvend: Propozova zgjidhje, por u bojkotuan

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës plenare me vetëm një pikë të rendit të ditës, adresimin vjetor të presidentes Atifete Jahjaga. Në këtë seancë nuk po merr pjesë opozita, deputetët e së cilës, sapo hyri presidentja në sallë, dolën nga seanca.

Foltorja ku po flet Jahjaga kësaj radhe nuk u rrethua nga policë civilë.

Jahjaga, që në fillim të fjalimit ka shpërndarë kritika të ashpra për bllokadën institucionale në vend. Ajo tha se është e pakuptimtë që deputetët po e bllokojnë Kuvendin dhe rrjedhimisht, sipas saj, po pengojnë të ardhmen e qytetarëve.

Jahjaga tha se në këtë situatë të krizës politike, vazhdimisht u ka kërkuar përfaqësuesve politikë që të ulen e të gjejnë marrëveshje, por, siç tha ajo, çdo herë propozimet e saj për zgjidhje, ose janë bojkotuar ose janë kushtëzuar.

Jahjaga tha se përfaqësuesit e qytetarëve, në vend që ta rrënojnë shtetin, duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje të krizës për dialogun.

Ajo tha se diskursi publik në Kosovë, në vend që të jetë për prosperitetin e vendit, përfaqëuesit e qytetarëve bëjnë akuza e kundërakuza me patriotizma për interesa ditore politike.

Ajo tha se ka dëgjuar qëndrimet e palëve për dy marrëveshjet e kontestuara dhe në frymë të Kushtetutës e ka dërguar marrëveshjen për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

“Në të njëjtën mënyrë kam vepruar edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke propozuar krijimin e një komisioni “ad hoc” për ta rishikuar gjithë procesin”, tha Jahjaga.

“Ne duhet tu besojmë institucioneve të pavarura që i kemi krijuar vetë”, shtoi Jahjaga ndër të tjera gjatë fjalimit para deputetëve.

Seancën e adresimit vjetor të presidentes, përveç deputetëve, po e ndjekin edhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë, përfaqësues të FSK-së dhe institucioneve të tjera.

Pas seancës për presidenten, Kuvendi pritet të vazhdojë punimet e seancës së rregullt që është ndërprerë ditë më parë. Për këtë seancë opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë të zhvillohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button