Jemi populli që shpenzon më shumë për ushqime në Europë
Shqipëria mund të ketë çmime më të lira se në shumë vende të Europës, por të ardhurat e ulëta, që marrin në raport me vendet e tjera, bëjnë që ata të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të siguruar nevojat minimale jetësore të të ushqyerit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, që matin shpenzimet finale për konsum nga familjarët sipas qëllimit të konsumit, konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 39% të buxhetit për të blerë ushqime dhe pije joalkoolike, raporton Monitor.
Kjo është përqindja më e lartë jo vetëm nga shtetet e Bashkimit Europian, por edhe në raport me fqinjët në rajon.
Shteti i dytë pas nesh është Bosnja, me 34% të totalit, i ndjekur nga Maqedonia me rreth 32%, Rumania 29%, Mali i Zi 28% dhe Serbia 25.7%.
Sipas Eurostat, për mesataret e 28 shteteve të BE-së (nuk janë publikuar të dhënat pa Britaninë), pesha që shpenzohet për ushqime është vetëm 12.4% e totalit të shpenzimeve mujore të një familjeje. Britanikët janë ata që shpenzojnë më pak për ushqime e pije jo alkoolike, me vetëm 8.7% të totalit, të ndjekur nga Luksemburgu me 9.1%.
Të dhënat të tjera të Eurostat tregojnë se në vlerë absolute, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri janë më të lira, sa 68% e mesatares europiane, të dytat më të lira pas Maqedonisë, teksa çmimet në shtetin fqinjë janë sa 58% e mesatares së Bashkimit Europian. Më të shtrenjtat në Europë, çmimet e ushqimeve janë në Zvicër, në 172% të totalit të mesatares së BE-së. Edhe në Britani, që ka shpenzimet më të ulëta për ushqime, çmimet janë 11% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, por britanikëve nuk u rëndon blerja e produkteve jetike, për shkak të të ardhurave të larta.
Janë pikërisht të ardhurat e ulëta ato që bëjnë që konsumatorët shqiptarë të shpenzojnë më shumë për ushqim e pije jo alkoolike, dhe më pas të mendojnë për shëndetin, energji, argëtim, veshje, ngrohje etj.
Po sipas Eurostat, Shqipëria renditet një nga vendet e fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë, që prej disa vitesh ka ngecur në 30% të mesatares së BE-së, e fundit në rajon.
Sipas peshave të publikuara nga INSTAT, pasi harxhojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime, familjarëve shqiptarë u mbeten 4.4% për Pije alkoolike dhe duhan; 4% për Veshje dhe këpucë; 20.7% për Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji; 6.5% për Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë; 3% për Shëndetin; 6.2% për Transportin; 2.5% për Komunikimin; 2.6% për Argëtim dhe kulturë; 2.5% për Shërbimin arsimor; 2.9% për Hotele, kafene dhe restorante; 4.7% për Mallra dhe shërbime të ndryshme.